Minxhozi: Një tjetër vulë ka humbur

Minxhozi: Një tjetër vulë ka humbur

Ish-kryeministri Sali Berisha

Pasioni dhe vëmendja që mediat i kushtuan betejës për vulën e Partisë Demokratike në gjykatën e apelit të Tiranës krijonte të premten përshtypjen se nga ky verdikt varej dhe ende varet fati dhe e ardhmja e kësaj partie. Më gjerë se kaq, është krijuar përshtypja se vendimi burokratik se cilit i kalon e drejta e përdorimit të simboleve të PD, do të përcaktojë në mënyrë përfundimtare jo vetëm fatet e lidershipit të kësaj force politike, por edhe fatet e Shqipërisë. Të duket sikur rrëzimi i Edi Ramës mbahet peng thjesht nga një vendim gjyqtarësh anonimë të fshehur pas një kutie xhami në gjykatën e apelit buzë Lanës.

Që kjo është një procedurë që ka peshën e vet për balancat dhe funksionimin e PD, për luftën brenda gardhit dhe për fraksionet “ndërluftuese” në parti, kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Në Partinë Demokratike ka aktualisht një luftë krahësh e cila nën hijen e rëndë negative të Sali Berishës, merr gabimisht trajtat e një lufte brezash. Ngjan sikur po lufton e djeshmja me të ardhmen. Në fakt po ta analizosh këtë tabor politikanësh që nisën të kacafyten në 8 janar dhe po e vijojnë sherrin brenda gjykatave, do të vëresh se kemi të bëjmë me një grupim personash të ndarë momentalisht më dysh nga figura e Berishës, por jo diçka më tepër se kaq. Disa prej figurave politike e deputetëve navigojnë mes dy grupeve në mëdyshje për pozicionimin e tyre, të tjerë rrinë në heshtje dhe presin të dalë një fitues në fund të rrugës. Shumë prej kontestuesve të sotëm kanë qenë adhurues të Beerishës për vite me radhë dhe ende sot vijojnë t’i atribuojnë atij merita që realisht s’i ka. Lufta në PD është e tillë prej rrufesë amerikane mbi Doktorin e jo prej ndonjë ndarjeje të qartë parimore ose doktrinare.

Kjo amalgamë politike pa fund dhe pa krye, dallohet sot brenda vetes vetëm nga qëndrimi ndaj Berishës, pra nga një konflikt që bazohet tek e shkuara e jo tek e ardhmja. Dhe kjo është vula e vërtetë e humbur e Partisë Demokratike. Është vula e humbur e vizionit, e rrugës nga duhet shkuar drejt suksesit dhe pushtetit, e ndërtimit të një dige të madhe dhe serioze politike kundër të majtës dhe Ramës. Është vula e humbur e përballjes me kundërshtarin, duke harxhuar energji të pafundme në përballjet brenda oborrit të partisë.

U bënë vite që Edi Rama del lideri politik më popullor në vend, megjithë masën e madhe të shqiptarëve që nuk e duan me kryeministër dhe megjithë konsumin e stërmadh që ka akumuluar në dhjetë vjet qeverisje. Çfarë do të thotë kjo në funksion të garës politike, në funksion të së ardhmes? Do të thotë se të tjerët përballë tij janë edhe më të padëshëruar, edhe më të pëfuqishëm edhe më antipatikë se ai në sytë e votuesve.

Vula e humbur e opozitës është fjala vjen edhe pëlqyeshmëria me një shifër (8.8%) e atij që e kemi pasur President për pesë vite rresht dhe që sot është bashkëkryetar opozite. Vula e humbur është edhe tek 70% kontestimi i votuesit të sotëm për liderin historik të së djathtës shqiptare dhe tek po kaq skepticizëm ndaj pasardhësit të tij që drejtoi Partinë Demokratike për nëntë vjet rresht duke humbur çdo proces zgjedhor që i doli përpara. I parë kështu, problemi i vërtetë i PD nuk është as tek marrja ose jo e vulës nga Berisha apo Basha, por nga mungesa e një projekti serioz drejt pushtetit.

Vula e vërtetë që i ka humbur sot PD qëndron edhe tek sheshet bosh të protestave që mbushen me piskama më shumë sesa me njerëz. Nëse Rama është ai që opozita thotë se është, i korruptuar, kriminal, i pabesë, shitblerës i interesave kombëtare e plot të tjera si këto, si shpjegohet që Tirana dhe Shqipëria nuk po derdhen para kryeministrisë për ta hequr duke e kapur për veshi si prindi fëmijën rrugaç, por opozitarët e gjejnë veten duke shetitur nëpër qendrën e kryeqytetit me pak qindra militantë nga pas që nuk mund të rrëzojnë dot as një drejtor shkolle, e jo më një qeveri të tërë?!

Me zgjidhjen ligjore të çeshtjes së simboleve PD krijon vetëm premisën e krijimit të një korsie për të ardhmen, jo vetë të ardhmen. Dhjetë vjet duke u endur në kërkim të një kryetari të ri dhe të një fabule post-Berisha, janë shumë. Një dekadë kohë e humbur me eksperimentin Basha dhe për më keq, një rikthim tek Berisha vitin e fundit, e bëjnë problemin e kësaj partie shumë të komplikuar sesa një proces gjyqësor vulash. Një gjykatë apeli është shumë e vogël për të ndarë çeshtjen e pushtetit politik në Shqipëri. Gjetiu është kriza, jo tek vula e humbur e 8 janarit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, Basha-Rithemelimit: Përse nuk flisni? Çfarë kocke u hodhi Lindita Nikolla që u ka ngecur në fyt?

Mandati i Xhaçkës, Basha-Rithemelimit: Përse nuk flisni? Çfarë kocke u hodhi Lindita Nikolla që u ka ngecur në fyt?