Minxhozi: Vajti nga vajti, prapë në Çadër hyri

Minxhozi: Vajti nga vajti, prapë në Çadër hyri

Lulzim Basha

Udhëtimet pindarike të Lulzim Bashës në politikën shqiptare kanë bërë shkollë më vete. Pasiguria dhe dyzimi hamletian i kryetarit të opozitës shqiptare po kthehet në një ndër ikonat melankolike dhe fatkeqe të krizës politike shqiptare. Vetë Basha po investohet me të gjitha fuqitë e tij që të mos i ikë precedentëve negativë, por t’i bëjë ata pjesë të qenies së tij politike, duke e hallakatur gjithnjë e më keq partinë e vet, nëpër monopatet më të humbura të një rruge pa krye.

Insistimi i tij 100 ditor brenda Çadrës së famshme, në pranverën e 2017, për të mos dalë i gjallë që aty pa e nxjerrë Edi Ramën nga zyra e kryeministrit, e më pas kthesa fluturake e 17 majit që hodhi poshtë rrotave të makinës shpresat për fitoren në zgjedhje të opozitës, paska qenë i destinuar të mos mbetet vetëm. Madje duket se po përsëritet me të njëjtin cinizëm dhe absurd, sepse vetë personazhi po na thotë se s’ka mësuar asgjë në këto vite.

Prej dy ditësh, Lulzim Basha del në disa media kryesore vizive, për të thënë në thelb se nuk ka pasur asnjë pengesë që ai dhe Rama të nisin dialogun, se ai është gati të takohet me Edi Ramën, se e ka mundur dhe mund ta mundë atë në çdo rast. Po thotë fiks të kundërtën e atyre që ka predikuar sa herë që ka pasur një mikrofon në dorë, me një qetësi për t’u pasur zili. Të gënjen duke të parë sy, pa i lëvizur asnjë muskul, thoshte dikur një politikan i lartë që sot ka bërë aleancë me të!

Në këtë mënyrë, Lulzim Basha po i ul dhunshëm pritshmëritë e shpresat, jo vetëm të atyre që ka rreth e rrotull në parti, jo vetëm të masës shumëmijëshe të njerëzve që mobilizoi në emër të mos-negociimit me Edi Ramën, por po konsolidon klishenë e politikanit që nuk e ka asfare për problem të kapërdijë atë që ka premtuar dhe të hedhë poshtë e shkelë me këmbë pa asnjë lloj ndjesie apo vrasje ndërgjegje, në rastin më të parë “avatarin” e vet, deklaratat e veta, projektet për të cilat ka investuar gjithë çka pasur në xhep në një moment të caktuar. Lojtar i fortë i bllofit, por jo për këtë arsye, edhe fitimtar i shquar i improvizimit.

E martë, 21 maj 2019. Kreu i opozitës Lulzim Basha flet para përkrahësve të tij në Berat. Është një ndër udhëtimet e shumta që ai, Kryemadhi, Mediu e krerët e tjerë të opozitës ndërmerrnin në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, për të mobilizuar pjesëmarrës për protestat në Tiranë. Thotë Basha: “Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka Pazar me Edi Ramën…Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme, zgjedhjeve të lira”. Si ky citim gjen me dhjetra në internet, duke nisur nga marsi e prilli, kur Rama e ftonte “A do flasim”, e Basha përgjigjej me piskamë “Te sheshi…”! Në 6 mars për shembull, Basha i deklaronte zv.ambasadores amerikane Mozes se “Dialogu midis meje dhe zotit Rama provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë në mënyrën si i keqpërdor nga një njeri që hiqet sikur është kryetar i PS-së, por që është reduktuar në një
bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, të socialistëve, të demokracisë…”.

Këtë refren bosh, që nuk e besonte as vetë, ai e ka përsëritur qindra herë në tetë muajt e fundit. Aq sa atyre mijëra protesutesve që u premtonte rënien e qeverisë çdo fundjavë, sot u vjen të pickohen se cilin kanë ndjekur nga pas, se nga kush nga marrë zemër e frymëzim për goditur me gurë e heshta kryeministrinë, se nga e kanë marrë forcën dhe kurajon për të hedhur mbi forcat e rendit molotovë e gjithfarë rrangullash që gjenin aty pranë.

Duke marrë një kthesë spektakolare si kjo e këtyre orëve, Lulzim Basha shbën de facto çdo premisë për një bosht dinjiteti dhe serioziteti të zyrës që drejton nga vitit 2014. Ky fund surreal i stinës së dytë të protestave të dhunshme në harkun e dy viteve, është trashëgimia pa lavdi që Lulzim basha i le qysh sot opozitës shqiptare. Cilado qoftë trajektorja që do ndjekë këtej e tutje fati i saj. Një trajektore, e cila, me këtë timonier, po provohet se nuk do të jetë shumë larg asaj fantazmës së 17 majit. Asaj fantazme që Lulzim Basha u përbetua dhjetra herë publikisht se nuk do t’i kthehej, e që tani po na sheh në sy duke na thënë se s’ka egzistuar kurrë. Lulzim Basha habitet sot me habinë tonë, teksa kujtojmë ato që na tha, e shohim këto që po bën. Ndoshta, në universin paralel ku ndodhet, ka ai të drejtë, e jo ne, që duam të na drejtojnë udhëheqës që flasin hapur e mbajnë fjalën. Ndoshta në botën e sotme ky është standarti. Ndoshta-ndoshta është pikërisht kështu, por ka gjithnjë një banak në fund të korridorit, ku paguhen faturat e asaj që ke konsumuar gjatë darkës. Kësaj si i bëhet?!

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen