Në parlament shkoi vetëm për të votuar e për tu siguruar që askush nga të tijtë nuk do të dilte kundër vendimit politik për ta miratuar reformën e re territoriale, ndërsa më herët ishte marrë personalisht me dy “të pabindurit” Vullnet Sinaj e Erion Braçe. Nga salla e seancave plenare çdo gjë kaloi në heshtje nga ana e kryeministrit Rama dhe komentin e parë mbi zhvillimet e djeshme e bëri përmes rrjeteve sociale.
Rama përcolli një mesazh për ata që sipas tij kishin bërë llogari të gabuara për qëndrimin e socialistëve. Kryeministri shkroi se votimi tregoi edhe një herë se askush nuk duhet të bëjë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”, shkroi Rama.
Por mesazhet e kryeministrit, të cilat qartazi duken të orientuara ndaj të tijëve, në një kohë kur kanë filluar përplasjet e polemikat e brendshme përmes kundërshtive, Rama i vijoi edhe përmes një postimi tjetër.
Një video e realizuar me Inteligjencë Artificiale ku në pamje shfaqej një luan dhe një tekst shumë më ndryshe nga të zakonshmit që flet për sprova e zhgënjime, dukej se përcillte një mesazh të koduar.
"Sepse jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty . Nuk do të lejoj kurrë një njerëzit e gabuar të të pengojnë të përmbushësh qëllimin që kam për ty. Hekurin e kalit zjarri, sprovat kalisin besimin. Duroje zjarrin. Zoti vazhdon të të japë formë", thuhej në video.
Vetëm pak para se të votonte pro për Territorialen, Erion Braçe e bëri të qartë se ishte i detyruar. Në një intervistë për Report Tv senatori socialist bëri këtë koment.
“Ka një përpjekje shumë të madhe për të hequr logon e PS nga emri im, por nuk ia jap askujt këtë kënaqësi”, tha Braçe.
SI.E./P.J/Shqiptarja.com Rendit zhvillimet sipas orarit:Ora 22:2285 votat e socialistëve për ‘Territorialen’, Manja-opozitës: Mund të bëjmë edhe 90, por s’na duhen! Berisha pësoi disfatën e vërtetë jashtë Kuvendit
85 votat që mazhoranca mori në votimin e orëve të vona në Kuvend për reformën territoriale, dëshmuan vetëm unitetin e Partisë Socialiste. Në një postim në rrjetet sociale, Ulsi Manja i drejtohet opozitës duke i thënë se ka pësuar zhgënjim që socialistët nuk u përçanë, pavarësisht debatit mes tyre dhe përpjekjeve të kundërshtarëve për ta shfrytëzuar që t’i godisnin.
“Në PS debati nuk është dobësi, por forcë”, shkruan Manja ndërsa shton se disfata e vërtetë e Sali Berishës ishte jashtë dyerve të sallës plenare. Protesta që ai kishte thirrur nuk përmbushi dot synimin e tij.
Më tej kryetari i Komisionit të Ligjeve u thotë atyre që shpresuan se socialistët s’do të plotësonin dot 84 votat, mos të çuditen nëse arrijnë 90, edhe pse nuk u duhen.
Reagimi i plotë:
85 vota dhe një zhgënjim i madh për oborrin opozitar!
Sot kam ndjekur gjatë gjithë ditës reagimet e oborrit opozitar. Dhe kur them oborr opozitar, kam parasysh të gjithë ata që janë kundër qeverisë dhe shumicës socialiste, me apo pa parti.
Janë të zhgënjyer! Jo sepse Shqipëria do të ketë 46 bashki nga 61 që ka sot. Për këtë, në fakt, as që u bëhet vonë! Janë të zhgënjyer sepse socialistët e Edi Ramës nuk u përçanë, por qëndruan “grusht bashkuar” rreth Partisë Socialiste, siç thonë ata vetë, në përpjekje për t’u justifikuar përpara mbështetësve të tyre, të cilët prej 13 vitesh i mbajnë me gajret me të njëjtin refren: “Po ikën Rama! Hë sot, hë nesër!”
Na vjen keq që ju zhgënjyem, por kjo tregon se nuk e njihni fare PS-në dhe socialistët!
Dallimet e brendshme me dy kolegët tanë, siç e kanë shpjeguar edhe vetë, lidheshin me procesin dhe thellësinë e Reformës Territoriale 2.0, por jo me domosdoshmërinë e saj. Siç edhe unë vetë e kam deklaruar publikisht në komision dhe në Parlament, jam për 36 bashki, duke ruajtur standardin tashmë të vendosur për bashkitë minoritare. Sepse në PS debati nuk është dobësi, por forcë. Dhe uniteti nuk e përjashton mendimin ndryshe!
Sa mjerane të mendosh se Sali Berisha, pasi luajti mbrëmë të gjithë gurët e diversionit politik, nga vënia në sedër e deputetëve socialistë, te sulmet ndaj biznesit të ndershëm të kolegut Vullnet Sinaj, e deri te instrumentalizimi i identitetit historik e kulturor të bashkive që bashkohen, në fund dështoi!
Tani përpiqet ta justifikojë dështimin me përrallën e radhës për gjoja kërcënimet e Ramës ndaj deputetëve socialistë.
Por Berisha nuk dështoi vetëm brenda sallës së Kuvendit. Dështimin më të madh politik e pësoi jashtë saj! Protesta që kishte thirrur për të rrethuar Parlamentin nuk arriti atë që ai synonte. Dhe kjo është disfata e tij e vërtetë politike!
Dy herë i dëshpëruar: nga uniteti i socialistëve brenda Kuvendit dhe nga mungesa e mbështetjes që priste jashtë tij!
Kjo tregon sa sipërfaqësisht e njeh ai Partinë Socialiste, kohezionin e saj politik dhe shoqëror. PS është parti e shqiptarëve, jo parti e sajuar me copa rrugës!
Keqardhje edhe për ata që mbrëmë fërkonin duart, duke rendur nga një studio televizive në tjetrën, me shpresën se PS nuk i kishte 84 votat!
Por tabela elektronike e Kuvendit shënoi 85 VOTA!
Dhe, me mënyrën se si po përzihet vatha e opozitës, mos u çudisni nëse një ditë bëhemi 87 apo edhe 90! Edhe pse, për të qenë të qartë, nuk na duhen!
Na vjen keq, por nuk ju ndihmojmë dot! As opozitën, as oborrtarët e saj dhe as ata që kishin varur shpresat te përçarja e socialistëve!
Partia Socialiste di të debatojë, di të vendosë dhe, mbi të gjitha, di të qëndrojë e bashkuar kur bëhet fjalë për interesin e vendit!
Reformat që kemi premtuar nuk i lëmë në mes. Nuk i kemi lënë dje dhe nuk do t’i lëmë as nesër!
Këta jemi ne. Kjo është PS!
Ora 11:36Rama mesazh të koduar pas përplasjeve në PS?! Video me luanin me AI: Njerëzit e gabuar pranë meje s’do më pengojnë të përmbush qëllimin! Hekurin e kalít zjarri
Përmes një video të realizuar me inteligjencë artificiale, një luan që ecën mes disa thënieve që kthehen mjaft aktuale në situatën politike në vend, kryeministri Edi Rama heq paralele me rrugëtimin e tij në krye të qeverisë dhe vështirësitë që i kanë dalë përpara.
Në materialin e shpërndarë në rrjetet sociale, kryeministri nuk ka shkruar asnjë reagim të tijin, por ka postuar të plotë videon.
Thëniet e plota në videon e publikuar nga Kryeministri Edi Rama
I kërkova zotit dashuri. Ai largoi njerëzit nga jeta ime. I hutuar, e pyeta, pse? Sepse jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty Nuk do të lejoj kurrë një njerëzit e gabuar të të pengojnë të përmbushësh qëllimin që kam për ty
I kërkova paqe, ai lëshoi stuhi. Mes lotësh, e pyeta: Pse? Sepse paqja nuk është mungesa e stuhive, por forca për të qëndruar i palëkundur kur tërbohen stuhitë.
I kërkova forcë. Ai më ngarkoi barra mbi shpinë. I zhgënjyer, e pyeta: Pse? Forca nuk të dhurohet, ajo ndërtohet, ashtu si hekuri që kalitet në zjarr dhe merr formë nën goditjet e çekiçit. Karakteri yt formohet përmes asaj që ti përballon.
I kërkova një rrugë më të lehtë. Ai vuri një mal përpara meje. I rraskapitur, pëshpërita: Pse? Sepse këmbët bëhen më të forta duke u ngjitur, jo duke qëndruar në vend.
Atëherë e kuptova. Zoti nuk po i shpërfillte lutjet e mia. Ai po u përgjigje atyre ndryshe nga ç’prisja unë. Ai nuk po ma bënte jetën më të lehtë, po më bënte mua më të fortë.
Nuk mora jetën që kërkoja. Mora jetën që më përgatiste për çfarë më priste. Sepse rehatia rrallë na ndryshon. Hekurin e kalit zjarri, sprovat kalisin besimin. Duroje zjarrin. Zoti vazhdon të të japë formë.
Hanxhiu eshte toma i bie
Përgjigju![]()
![]()








Komente
Komento