Mirela Kumbaro: Pse firmosa
rrjetin europian të letërsisë

Mirela Kumbaro: Pse firmosa<br />rrjetin europian të letërsisë
TIRANE- Shqipëria bëhet pjesë e “TRADUKI”-t, rrjetit europian të Letërsisë. Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, dje nënshkroi marrëveshjen. Kështu, ajo rrëfen në një intervistë për “Shqiptarja.com” sesi marrëveshja e nënshkruar dje në Ministrinë e Kulturës i ka hapur rrugë promovimit zyrtar të letërsisë shqiptare në gjuhët e rajonit dhe Europës Juglindore. “TRADUKI”-një rrjet europian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë 14 vende, vitet e fundit nisi të përfaqësohej nga poetë e përkthyes shqiptarë, por përpjekjet e tyre nuk gjetën mbështetjen e duhur në institucionet shtetërore.

Me përpjekjet e poetit Arian Leka në Shqipëri, Lindita Arapit në Gjermani (që shërben si urë komunikimi), kontributit në përkthim të të ndjerit Ardian Klosi, e të tjerë autorë vendas, u arrit që letërsia europiane të vinte në Shqipëri, por kjo nuk do të mjaftonte për komunikimin me “Tjetrin”, term që ministres Kumbaro i pëlqen ta theksojë me shkronjë të madhe. Tjetri duhet kuptuar lexuesi europian, por që ende nuk arrin të njoh mirë letërsinë shqipe, sepse pati mbetur peng i mendësisë totalitare të mbylljes, mosnjohjes përtej kufijve.

Më në fund, falë relacioneve të mira me Antje Contius, drejtore e S. Fischer Foundation dhe themeluesit të këtij fondacioni Richard Svvartz, në bashkëpunim me ministren e Kulturës, zonjën Mirela Kumbaro, sytë u kthyen nga përkthyesit. Pas nënshkrimit të projektit, përkthyes, shkrimtarë dhe botues janë ndjerë të lumtur. Një mendësi e re synon projekte afatgjata për ngritjen e urave kulturore të komunikimit.

Ata kanë besuar tek ministrja Kumbaro, dhe ja, Shqipëria, për herë të parë bëhet pjesë, jo vetëm e rrjetit “TRADUKI”, por edhe partnere me të drejta dhe përfaqësim të plotë në këtë projekt. Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, shprehet se këtë nuk e bënë vetëm për faktin se vjen nga fusha e librit. Duke parë përtej paragjykimeve të kësaj natyre thotë se: “Libri është një nga ato kultura që lë gjurmë dhe edukon në një kuptim shumë më afatgjatë”. Ndërkohë, nisma të tilla, sipas saj, nuk kanë munguar dhe as nuk do të mungojnë për fushat e tjera, si trashëgimia kulturore, teatri, filmi, etj.
 
Zonja Kumbaro, ju sot firmosët një marrëveshje të rëndësishme me “TRADUKI”-n, ku autorët e librave dhe përkthyesit shprehen se “vjen për herë të parë një ministre që mbështet librin”. Por, ndodh që edhe jeni paragjykuar “se duke qenë ju vetë e kësaj fushe, do të ndihmoni më shumë librin”. Do të dëshironin të dinim se cila është përgjigjja juaj në këtë rast?
-Në fakt, le të themi se mbas mbështetjes që i dhamë Panairit të Librit të Tiranës, sepse edhe përkoi me fillimin e punës sime, shumëkush duhet ta ketë vënë re se hap pas hapi mbështetjet e Ministrisë së Kulturës kanë qenë të divestikuara në të gjitha fushat. Pra, jemi marrë me teatrin shumë gjatë. Kemi filluar të merremi me filmin, me të drejtën e autorit, por pa harruar asnjëherë edhe që trashëgimia kulturore është një nga sektorët tanë më të rëndësishëm, jo thjesht për kulturën, por edhe për Ministrinë e Kulturës, edhe për ekonominë, për turizmin, por edhe për fëmijët tanë, për të tashmen dhe për të kaluarën tonë. Por, padyshim, libri është i rëndësishëm, jo vetëm si një sektor që e mbulon Ministria e Kulturës, por unë besoj se libri është i rëndësishëm se është një nga ato kultura që lë gjurmë dhe edukon në një kuptim shumë më afatgjatë.

Nuk lindi kultura e librit në Ministrinë e Kulturës dhe nuk është Ministria e Kulturës ajo që e bënë kulturën e librit. Kultura e librit është ndër më të hershmet, më të lashtat. Sot ne nuk bëmë gjë tjetër veçse iu njohëm të drejtat njerëzve të librit, gjithë zinxhirit; përkthyesve, botuesve, shkrimtarëve, duke u dhënë një mbështetje institucionale nëpërmjet kësaj marrëveshjeje që ne bëmë me rrjetin “TRADUKI”. Është gjithë ky komunitet i njerëzve që kanë vite e vite që i kushtohen librit. Le të gjejnë edhe një kuadër institucional për t’i mbështetur dhe për të zhvilluar projektet e tyre. Kjo, sepse kulturën e bëjnë njerëzit e kulturës, e politika duhet t’i mbështes ata.
 
Kjo mbështetje institucionale, a do ta frenonte sadopak dukurinë e rrënimit dhe abuzimeve me cilësinë e përkthimeve, me cilësinë e botimeve?
-Një ndër synimet, pikërisht është që të kontribuojmë me “TRADUKI”-n, që të vendosim disa standarde. Roma nuk u ndërtua me një ditë, dhe nuk është e thënë se në një ditë që do të zgjidhen të gjitha problemet që u nisën nga një kulturë e gjatë izolimi. Por, çdo gur i vendosur në arritjen e një standardi të cilësisë, qoftë në përkthim, qoftë në respektin e të drejtave të autorit, është një kontribut që do të nderonte çdo njeri, qoftë ministër, politikan apo njeri të letrave.
 
Zonja Ministre, si përkthyese, ju keni qenë një ndër të parat që keni njohur kodin e komunikimit me “Tjetrin”, atë të një kulture tjetër, që ju theksuat kur folët para nënshkrimit të marrëveshjes me “TRADUKI”-n. Cili është mesazhi juaj për komunikimin me “Tjetrin”?
-Tjetrin, jo gjithmonë duhet ta kërkojmë jashtë kufirit, shpesh ne Tjetrin e kemi brenda vetes dhe në momentin që ne do ta shohim Tjetrin si të ngjashmin tonë, ne besoj se kemi ndërtuar urat e para të komunikimit. Takimet midis shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve, bibliotekarëve, kritikëve dhe shkencëtarëve kanë për qëllim të nxisin shkëmbimin e informacionit europian e ndër rajonal, si dhe të forcojnë bashkëpunimin.

  LINDITA ARAPI: KULTURA E LIBRIT PËRTEJ RETORIKËS POLITIKE TË INTEGRIMIT
Poetja dhe shkrimtarja shqiptare, Lindita Arapi, me banim në Gjermani, është një nga protagonistet e futjes së Shqipërisë në “TRADUKI”. Ajo ka qenë si shtegtare mes dy botëve dhe ka lidhur autorët shqiptarë me autorët gjermanë ose me disa ura komunikimi të tjera në Europë. Në fillim ka rekomanduar autorë të ndryshëm dhe shtëpi botuese dhe bashkëpunimi filloi. Arapi thotë për “Shqiptarja.com” se: “Me një marrëveshje të tillë, ne dalim nga izolimi kulturor që e kemi të gjithë në kokë, dhe sot ne shkojmë tek Europa. Europa është kthyer në një retorikë të madhe, sepse është politika që krijon një gjuhë të re, integrimin, por kultura e bën në heshtje vërtetë integrimin dhe politika ka nevojë për këtë lloj integrimi. “TRADUKI” e kryen këtë punë konkretisht dhe e bënë këtë punë në hapa konkretë. Është një lloj dritare e shpejtë, jo vetëm për autorët shqiptarë. Në fund të fundit, Europa nuk është traditë, por është shkëmbim dhe “TRADUKI” e mbështet më mirë këtë shkëmbim.” Vetë Lindita Arapi ka pasur një sukses të madh me romanin e fundit “Vajzat me çelës në qafë”, në gjermanisht. Frymëzuar prej kësaj, thotë se ka në dorë një vepër për “përvojën e të qenit e huaj në letërsi”.

ARJAN LEKA: “6 VJET PËRPJEKJE TË ÇOJMË LETËRSINË SHQIPE NË EUROPË”
Arjan Leka, “krushku” i marrëveshjes me “TRADUKI”-n (siç tha dje për të Ministrja e Kulturës), arritjen e kësaj marrëveshjeje e quan “një ditë e rëndësishme për kulturën e shkruar shqiptare, për autorët, për botuesit shqiptarë dhe për promovuesit e kulturës”. “Shqipëria në mënyrë institucionale bëhet pjesë e një rrjeti europian që kontribuon në kultura shkrimore dhe shkëmbyese me njëra-tjetrën. Pra nuk flitet që Shqipëria të ketë rol importues, vetëm të marrë nga kultura e tjetrit, por vlerat më të mira të saj t’i eksportojë jashtë truallit të saj”, shprehet Leka, duke saktësuar se: “Flitet për një iniciativë të lirë. Pra, nuk është ministria që do të aplikojmë, por flitet për parakushtin që të gjithë ne të aplikojmë, pra kemi të bëjmë më një hapje të skemës”. Leka është shprehur se është një bashkëpunim mbi 6-7 vjeçar, ku ai ka bashkëpunuar ndër vite me “TRADUKI”-n, duke organizuar net ballkanike në Shqipëri, duke sjell fillimisht të parët autorë që janë përkthyer, për të pasur një lloj kapërcimi të letërsisë shqipe më tej kufirit linguistik të shqipes. Leka njihet edhe për kontributin e botimit të përkthimeve të autorëve shqiptarë ose të huaj përmes revistës “Poeteka”.

Shkrimi u publikua sot (22.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane