Mirjam Bruçeti, aktorja që interpretoi Nicën dhe 60 role në teatrin e Shkodrës

Mirjam Bruçeti, aktorja që interpretoi Nicën dhe 60 role në teatrin e Shkodrës

Mirjam Bruçeti

Mirjam Bruçeti, para shumë vitesh aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, sot, e ndan jetën mes Francës dhe Shkodrës, vendlindjes së saj të dashur e të shtrenjtë. Ardhja e saj në vendlindjes, është e shoqëruar përherë me një emocion disi të papërcaktuar. Ajo vjen, paksa, e heshtur, e përmalluar dhe pse jo edhe me lot në sy. Vjen me plot kujtime. Kërkon e zgjon kujtime. E përsëri kur kthehet në Francë rrugëtimi i saj i ngjan një kujtimi të pafund… Në jetën e saj qe fatlume, se në shumë pjesë teatrore interpretoi përkrah të shoqit, aktorit Viktor Bruçeti, një aktor i talentuar dhe me një diapazon të gjerë interpretativ. Ajo kujton: “Veçanërisht, pas viteve 2000 interpretuam me Viktorin në pjesët (shpesh spektakle), si në: “Mesazhi i dashurisë”, “Prifti dhe Kryetari i Bashkisë”, “Prona”, etj. (në Francë). Kurse në Kanada interpretuam poezitë e Camajt, Fishtës e Mjedjes. Janë kujtime të bukura dhe të pashlyeshme me Viktorin. Janë pasuri e vyer. Janë kujtesë.”

Mirjam Bruçeti (Topçija) lindi më 15.03.1949 në lagjen “Perash”, Shkodër. Shkollën 7-vjeçare e kreu në “Ali Laçej”, ndërsa të mesmen në Shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, në vitin 1966. Në gusht të po atij viti filloi punën si mësuese në Pukë. Më pas, në vitin 1967 e shohim mësuese në fshatin Vrakë, ndërsa vitet 1968-1970 e gjejnë në Shtëpinë e fëmijës parashkollore.

Mirjami, nga vitet 1970-1973 studion në Institutin e Lartë të Arteve (dega dramë) në Tiranë. Në gusht të vitit 1973 filloi punën si aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës deri në vitin 2000, vit që del edhe në pension.

Nga studimet tona, të cilat kanë qëmtuar herë pas here jetën artistike të Mirjamit, na rezulton se ajo është aktore e më shumë se 60 roleve në dramë e komedi. Kontributet e saj janë edhe në shumë aktivitete kulturore e artistike që zhvilloheshin në qytetin e saj, ku ajo shquhej, veçanërisht,  si recituese e prezantuese.

Po përmendim disa role të Mirjamit në skenën teatrore, si në: “Mysafiri i natës” (23.10.1973, në rolin e Selvijes), “Fytyra e dytë” (14.11.1973, në rolin e Dudijes), “Djem të mbarë” (18.03.1974, në rolin e Danës, dublante me Justina Alinë), “Luani i shtëpisë” (27.03.1976, në rolin e nënës), “Lulet e shegës” (07.05.1977, në rolin e Havasë), “Jehona e një dite shkurti” (27.11.1977, në rolin e Davës, dublante me Vitore Ninon), “Nora” (27.05.1978, në rolin Plaka e dytë), “Gjaku i Arbrit” (25.05.1981, në rolin Zonja e madhe, dublante me Vitore Sekujn), “Portreti” (06.12.1983, në rolin e Amalisë), “Një fund i tillë” (01.09.1985, në rolin e Lirisë), “Shtëpia e Bernarda Albës” (21.01.1986, në rolin e Magdalenës), “Shtegtim në ankth” (17.01.1989, në rolin e Nicës, dublante me Tinka Kurtin), etj. Këtu duam të shënojmë edhe dy komeditë: “Tri halla e një tul” (Mitrovicë, 2015), “Një krisëm armiqësore” (Mitrovicë, 2016).

Po përmendim disa role të Mirjamit në kinematografi, si në: Dëshmorët e Monumenteve”, “Midis dy dasmave”, “Thesari”, “Mysafirë të paftuar”, “Flutura në kabinën time”, “Flaka e maleve”, “Rruga e lirisë”, “Militanti”… etj.

Mirjam Bruçeti ishte një aktore që nuk ra shumë “në sy”. Po të shikohet me vëmendje profili i saj artistik, të dhënat e saj na flasin se ishte e veçantë, e dallueshme dhe pakëz e rrallë në brezat e aktoreve të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Në shpirtin e saj shkrihen harmonishëm bota dhe fisnikëria e mësueses me drithërimin, përmallimin, shpirtmadhësinë e aktores. Ajo i shpërfaqi në çdo rol me talentin e saj. Në çdo rol sytë e saj flisnin shumë, edhe atëhere kur ajo, përgjithësisht, heshtëte.

 Po kujtojmë rolin e Danës te drama “Djem të mbarë” e shkrimtarit Fadil Kraja. Me këtë rol Mirjami mbrojti edhe diplomën. Na dha një Danë, që sillte “erë pranvere” në kantjer. Na dha një Danë me drithërima shpirti e me një delikatesë që i ngjante një luleje të sapo çelur. Të gjitha këto cilësi ajo i mbartëte që më parë, siç e thamë botë prej mësueseje e botë prej aktoreje. Ajo diti këto dy plane t’i gërshetojë bukur estetikisht, për rrjedhojë roli fitoi frymëmarrje e dimension. Drita e rolit i jepte dritë dhe grupit të aktorëve, të cilët në dramë përbënin brigadën. Në dialogët e tyre me Mirjamin, ajo gjithherë çelte si ‘lule borë’.

Gjithashtu, po kujtojmë edhe rolin e Nicës te drama “Shtegtim në ankth” (sipas motiveve të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë) të autorit dhe regjisorit Serafin Fanko. Regjisori Fanko, si në pjesët që ka vënë, edhe në ato që ka shkruar vetë, është shquar për shijet e holla estetike, risi të shoqëruar me fantazi regjisoriale dhe prirjen drejt një teatri poetik. Është shquar në zgjedhjen e aktorëve sipas roleve përkatëse. Ajo gjë që nuk i binte askujt në radhët e aktorëve, i binte Serafinit. Kështu, duke parë parametrat dhe karakteristikat, arritjet e aktores Mirjam Bruçeti, regjisori i besoi asaj rolin e Nicës. Serafini nuk gaboi. Në thelb, në karakter, në interpretim të dhënies së figurës Mirjami i plotësoi më së miri botën dhe karakterin e Nicës. Ajo shkëlqeu me këtë rol, që do të thosha ka një kod të rëndësishëm në jetën e saj prej aktoreje. Mënyra epike e interpretimit, njerëzorja dhe madhështia e Nicës, i kanë dhënë Mirjamit besueshmëri të mëtejshme dhe realizim me dinjitet edhe ndaj figurave që zakonisht janë komplekse dhe që përcillen me termin “të vështira”. E tillë ishte dhe Nica. I kam si tani para syve shpërthimet e saj, epizmin dhe stoicizmin e Nicës-Mirjam. Një realizim që e bën krenare aktoren Mirjam Bruçeti por edhe ato aktore që interpretuan Nicën. Mirjami, polifotos së kësaj figure, i shtoi dhe i gdhendi një Nicë të përveçme, plot dinjitet e brumë shqiptar. Një mrekulli fisnike të një Nice njerëzore.

Në udhëtimet e saj Mirjam Bruçeti nuk shëtit vetëm. Ajo shëtit me kujtime rolesh, me kujtime të vendlindjes, me kujtime… Ka dëshirë t’i zgjojë dhe të bisedojë… Të bisedojë parreshtur me to… Një dëshirë e Mirjam Bruçetit për të jetuar edhe kështu!             

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë