Mishel Lakomi nga OPDAT: Dënimi i Balilit, shembull se drejtësia funksionoi

Sot është Dita Kombëtare e Drejtësisë në Shqipëri ndaj Prokuroria e Tiranës zhvilloi një takim me studentë të juridikut dhe magjistraturës dhe me ekspertë ndërkombëtarë. Përfaqësuesja e misionit amerikan OPDAT, Michele Lakomy, tha se me reformën në drejtësi ndryshimi po ndodh, dhe procesi po funksionon.

Ajo përmendi arrestimin e Kelmend Balilit dhe Emiliano Shullazhit si një shembull se sistemi i drejtësisë mund të funkionojë me gjyqtarë të ndershëm dhe me integritet.


“Reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjit janë dy nga përparësitë kryesore të politikës së jashtme, sepse ato mund të sjellin një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar, po ashtu si edhe lufta ndaj korrupsionit. Qysh kur kam ardhur në Shqipëri kam takuar shumë njerëz të dekurajuar nga përhapja e madhe e korrupsionit dhe lëvizja e lirë e kriminelëve pa asnjë ndëshkim. Por kapja Kelmend Balilit është një shembull se sistemi funksionoi, pasuritë e tij u bllokuan që të mos mbështesin veprimtari të tjera të paligjshme. Po ashtu është edhe rasti i Emiliano Shullazit, që bashkë me të parin tregojnë se drejtësia mund të funksionojë me gjyqtarë e prokurorë të ndershëm, të pastër dhe me integritet. Këto raste u japin gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë shpresë dhe frymëzim. Pavarësisht kërcënimeve, gjyqtarët dhe prokurorët po paraqiten ndërkohë që në të kaluarën mund të ishin fshehur me frikë. Për ta, kam një mesazh: e nderojmë kurajon tuaj dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në krahun tuaj teksa ndihmoni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Dhe, kam edhe një mesazh tjetër për të gjithë ju këtu sot. Sistemi po fillon të funksionojë. E sfidoj secilin prej jush të jetë pjesë e të ardhmes së Shqipërisë. - tha zonja Lakomy.

E.L./m.v./Shqiptarja.com
Komento