'Misioni' i Bashës është të na tregojë krizën ekzistenciale të një njeriu që nuk di as çfarë bën e as çfarë thotë

'Misioni' i Bashës është të na tregojë krizën ekzistenciale të një njeriu që nuk di as çfarë bën e as çfarë thotë

Libri i Lulëzim Bashës « Misioni im », për të cilin kohëve të fundit janë botuar shumë shënime, komente, por edhe memeve gazmore, nuk u parapri nga ndonjë analizë dhe as nga ndonjë kritikë e njëmendtë që mund t’i bëhej nga ata që e çmojnë Lulëzim Bashën si udhëheqës « europian », djalë të shkolluar jashtë, modern e plot tipare të tjera që mbështetësit e tij, rëndom, i marrin borxh nga dyqani i fjalëve të përdorura dhe pa shenjueshmëri që gjendet në tregun mediatik shqiptar, në të cilin çdokush është i lirë të blejë fjalë apo shprehje sipas midesë dhe t’ua veshë ato cilitdo që ai e gjykon se ose duhet lëvduar, ose duhet anatemuar. Vetëm në Shqipëri dhe në ligjërimin publik shqiptar, të gjithëve ju lejohet të shprehin aluciancionet, perceptimet dhe ndjesitë e tyre si kuptim për botën dhe si të vërteta që nuk mund të vihen në diskutim. Por kjo është një çështje tjetër. Le të kthehemi te libri.

Librin e Lulëzim Bashës e mora me kërshëri sepsa isha kurioz se si mund të shfaqej ky personazh në gjuhën e shkruar. Me qenë si ai është ndër të rrallët drejtues të lartë të opozitës që nuk ka shkruar në karrirën e tij si politikan asnjë tekst, asnjë artikull apo studim, isha kurioz se si do të shfaqej ai në një libër.

Libri është një tekst modest me 100 faqe. Në kopertinën ballore ka një foto të Lulëzim Bashës  dhe në kopertinën pas po një foto të tij ulur dhe rrethuar nga fëmijët. Fotoja që zë kopertinën është një pamja e zakonshme e Bashës me modelin e flokëve të vitieve ’60 dhe me një vështrim pak të trembur. Ndërsa fotoja pas, nuk kuptohet pse duhet të jetë ashtu dhe cila është shënjueshmëria e saj. E kam të vështirë të gjej një foto të tillë të ndonjë lideri europian rrethuar me fëmijë sepse në tipologjinë e të menduarit europian lideri dhe fëmijët komunikojnë në një formë tjetër. Sot në botë është problem ndarja racore, ngjyra e lëkurës dhe integrimi. Misioni i udhëheqësve perëndimorë modernë apo « europianë » është që të ndërtojnë një Europë të integruar pa dallime etnie, race e gjinie. Ndërsa udhëheqësit konservatorë e populistë bëjnë kujdes që të tregohen më të përmbajtur dhe vendosin në qendër të veprimit apo të shfaqjes së tyre atdheun, kombin vendin. Ndërsa Lulëzim Basha me atë foto me fëmijët nuk kuptohet se çfarë mesazhi do të japë dhe çfarë shënjueshmërie ka ajo. E para, në demokraci asnjë lider nuk mund ta konceptojë dhe ta shfaqë veten si babai shpirtëror i të gjithë fëmijëve, si udhëheqësi i tyre, sepse në demokraci ka disa të tillë. Vetëm diktaturat dhe totalitarizmi krijonin profilin e udhëheqësit që ishte babai shpirtëror i të gjithë fëmijëve apo pionierëve siç quheshin në atë kohë. Mirëpo edhe në atë rast, nga ajo bashkësi fëmijësh ishin të përjashtuar fëmijët e armiqve dhe të kundërshtarëve të regjimit. Nga kjo pikëpamje zgjedhja e fotove me një protagonizëm të tepruar tregon shenjën e parë të krizës ekzistenciale të Bashës dhe ankthin që ka ai për të na thënë ne të tjerëve se çfarë është. Nga dy fotografitë e kopertinave të gjithë priren më shumë të bëjnë paralele me jehonat e shfaqjes dhe paraqitjes së një heroi të socializmit dhe libri ngjan sikur të jeto produkt i serisë « Yje të pashuar » të Insitutit të Studimeve Demokratike në PD.

Kur flasim për krizë ekzistenciale duhet të kemi parasysh debatin që ka shoqëruar filozofinë në shekuj, atë se në ç‘raport është esenca me ekzistencën. Kush i paraprin tjetrës, esenca i paraprin ekzistencës apo ekzistenca me shfaqjen e saj ndërton dhe esencën. Sartri dhe ekzitencialistët mendonin se ekzistenca modelon edhe esencën sepse që të kuptojmë esencën duhet që të presim të shfaqet ekzistenca më parë. Sartri e mbante veten për ateist.

Po çfare përmban ky libër ? Çelet me katër vargje të Asdrenit që në kohën e socializmit përdoreshin në tekstin e leximit për fëmijë të klasës së tretë : « Se për mua, o Atdhe, /je një lule aq e vyer,/ sa nuk gjendet përmbi dhe/shpirtin tim për të ushqyer. ». Që këtu ti duhet të përgatitesh se teksti do të ketë nota romantike si ato të rilindësve që jetonin jashtë atdheut dhe e shihnin atë herë si lule, herë si kopsht.

Pastaj libri prihet nga çështjet që do të trajtohen në këtë tekst të cilat janë gjithsej 10 : 1. Politika për mua, 2. Partia demokratike dje, sot dhe nesër- « Partia më e bukur e Lindjes », 3. Rithemelimi i opozitarizmit, 4. Urgjenca e normalizimit, 5. Shtet i vogël dhe efiçent, 6. Zgjimi ekonomik shqiptar, 7. Demokraci dhe liri ekonomike me dimension human, 8. Familja, e ardhmja e mbijetesës shqiptare, 9. Në borxh me kulturën, 10. Kosova, gjysma tjetër.   

Nëse Lulëzim Basha ka marrë një mision dhe përmbajtja e këtij misioni përbëhet nga këto çështje që përbëjnë librin, më duhet të them që këtu ka një mungesë të madhe. Ky misionar i madh pse e ka harruar ARSIMIN ? Si ka mundësi që një djalë i shkolluar në Perëndim, një « europian » siç e paraqesin ata që e ngrejnë lart me fjalë të marra në tregun e nocioneve të stërdala boje nuk ka asnjë fjalë për arsimin ??? Para disa vjetësh një lider i një vendi europian thoshte në një fushatë elektorale se nëse do të bënte një program politik ai do të kishte tri çështje : arsim, përsëri arsim dhe prapë arsim. Mirëpo misionari ynë nuk e përfshin në këtë libër arsimin.

Parë nga titulli e ke të vështirë të kuptosh se çfarë është ky tekst. Biografi ? Jo. Program politik ? Jo, të thonë se e kanë parë që aty mungon, fjala vjen, arsimi. Po çfarë është ? Nëse do t’i referohemi titullit, do të na duhet të shkojmë në shekullin XVI kur kjo fjalë u përdor për herë të parë nga misionarët jezuitë për të përhapur fenë e krishterë në ato vende që nuk ishte përhapur ende dhe për të konsolidura atë besim në ato vende ku ai ishte vendosur tashmë. Kuptimi i fjalës mission vjen nga latinishtja mittere që do të thotë të shërndash, të përhapësh diçka jashtë vendit ku ti je (https://www.etymonline.com/word/mission). Pra, nëse Lulëzim Basha paska një mision ai nuk përfshin arsimin në këtë sipërmarrje. Si ka mundësi ? Mund të ketë shumë arsye, por më kryesorja, sipas meje, është pikërisht kriza ekzistenciale. Lulëzim Basha nuk është shumë i sigurtë se çfarë është dhe çfarë do të bëjë. Kur rrëfen për jetën e tij ai qëmton copëza të tilla që e paraqesin më shumë si një personazh librash kinezë të kohës së Maos dhe sidomos Lej Fenin. Fjala vjen në moshë 10 vjeç daja e merrte të dëgjonte « Zërin e Amerikës ». Kush e ka jetuar atë kohë e di se ata që dëgjonin atë stacion ruheshin në familje aq shumë sa nuk e thua dot, në mënyrë që askush mos e merrte vesh se çfarë dëgjonin. Dhe, në të tilla raste, një fëmijë 10 vjeç, natyrisht, duhet të rrinte larg, mirëpo me Lulëzim Bashën kjo nuk ndodh. Ai na tregon madje se në gjimnaz, kur ra Muri i Berlinit, mësuesja i pyeti se çfarë mendonin, dhe ai bashkë me një shok u çuan e folën, por se çfarë nuk e mban mend : « Ditën e tretë pas rënies së Murit të Berlinit, mbaj mend që në orën e mësimit mësuesja kujdestare na pyeti se çfarë mendonim për ato ngjarje. Nxënësit nuk po flisnin ndaj dhe unë, së bashku me një shok, e morëm fjalën. Sot nuk më kujtohet saktësisht se çfarë thashë, por sigurisht ishte diçka kundër regjimit të Partisë së Punës. » (f. 15).

Libri është një tekst që i përket llojit të ligjërimit deklarativ e propgandistik dhe është ndërtuar me stilin gjuhësor të administratës publike dhe burokracisë. Në të nuk ka asnjë figurë gjuhësore. I gjithi është si një fjalim i vetëm në të cilin protagonisti na tregon njëherë se çfarë është politika, që për të « është një mision, që politika e mirë i zgjidh problemet pa teatër, politika është shërbim ndaj njerëzve », etj.

Kapitulli që bën fjalë për lidhjet e Lulëzim Bashës me PD-në është komentuar gjatë në media, por unë dua të ndalem në një pjesë të tij. Basha e thotë me krenari se është vazhdues i Berishës në PD. Përdor edhe termin sociopsikologjik « të vrasësh babain ». Ky term që përdoret për të ilustruar krimin në familje që vjen si jehonë e mitit të kompleksti të Edipit është bartur edhe në psikosociologji dhe shënon të ndahesh me të kaluarën, të rritesh, të krijosh një profil tëndin. Lulëzim Basha e shpall me të madhe se jo vetëm që nuk shkëputet nga babai i tij shpirtëror, por vazhdon me besnikëri të njëjtën traditë. Atëhere ku është Lulëzimi i ri, « europiani » ose profili ndryshe. Edhe në këtë rast ai shpall se është vetëm një zgjatim konfuz i Berishës. Kapitullin për rithemelimin e opozitarizmit e shfletova menjëherë se mendova mos misioni i tij ishte që të bashkonte të djathtën, të rithemelonte atë. Por, jo, rithemelimi i opozitarizmit ishin pesë aksionet e Bashë që kulmonin me daljen nga Parlamenti. Misioni i tij për kulturën dhe programi i tij për të rithemeleuar Qendrën e Studimeve Albanologjike duke injoruar Akademinë e Shkencave apo statusin që ka sot ajo qendër e bëjnë librin jo vetëm konfuz por edhe misionin të pamundur.

Siç e thashë pak më lart, libri nuk ka stil dhe është shumë i vështirë për t’u lexuar sepse është i tejmbushur me nocione të stërvjetëruara nga tregu i fjalëve të përdorura të ligjërimit të thatë të një pjesë të opinionit publik. Nëse do t’i referoheshim Bualosë që thoshte « Le style c’est l’homme meme », ky libër i Bashës ka një meritë të jashtëzakonshme se është dokumenti i vetëm që na tregon një udhëheheqës të PD-së në vitin 2021 në krizë të thellë ekzistenciale dhe cilido që e shfleton bindet më në fund se autori i këtij msioni nuk e di as vetë se cili është dhe nuk e ka të qartë se çfarë misioni do të kryejë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 26/03/2021 02:49

    Ja paskan bere dhe lulkes librin, do ta lexoj ne biruce

    Përgjigju
  • O tej: 26/03/2021 00:12

    Medemek i bie qe ky Basha te jete ko*e krejt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër