Tiranë- Ndërsa afrohet shtatori, sezoni i betejave politike, nga selia e Partisë Demokratike janë të shumta deklaratat e përditshme, me fakte dhe akuza në drejtim të qeverisë, por në asnjë prej tyre nuk shfaqet vetë lideri i të djathtëve.

Lulzim Basha është shfaqur për herë të fundit live më 27 korrik. Ai zgjodhi të bashkëbisedojë me gazetarët për çështjen e ndërtimit të Teatrit të ri, akuzoi qeverinë për aferë dhe u zhduk.

Që nga ajo ditë vendndodhja e kryetarit të Partisë Demokratike mbetet mister. Pak ditë më parë teksa u përfol për pushimet e liderëve të politikës, në media shkruhej se Basha kishte zgjedhur të kalonte ditët e nxehta të gushtit në Qerret.

Që këtu nisi misteri. Presidenti, Kryeministri e kryetarë të tjerë partish, ministra e deputetë shpejtuan të postonin foto nga ditët e tyre buzë detit apo pranë malit. Ndërsa kreu i opozitës asgjë.

Mund të mendojmë që ka dashur të ruajë privatësinë, por pyetja se ku është zhdukur prej një muaji kryetari i Partisë Demokratike vazhdon. Atë nuk e kemi parë të bëjë asnjë deklaratë nga selia e PD-së, asnjë takim në Tiranë apo gjetkë dhe asnjë foto me të tretë. Shpresojmë që bashkë me shtatorin të rikthehet  edhe kryepozitari Basha.