MITROVICË, 5 Qershor/ATSH/.- Shkolla fillore "Jusuf Rexha", në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ka shënuar 100 vjetorin e themelimit me një ceremoni ku morën pjesë drejtues të komunës jugore të qytetit më të madh verior të Kosovës.
"Ishin Isa Boletini me Hasan Prishtinën që kontribuan në hapjen e kësaj shkolle shqipe në 10 qershor të vitit 1915, dhe është koicidencë që pas 100 vitesh, pikërisht në 10 qershor 2015 do të bëhet edhe rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini", tha nënkryetari i komunës, Safet Kamberi.
Ai shtoi se, arsimi gjithnjë ka qenë shtyllë e rezistencës së këtij vendi, dhe për këtë jemi shumë mirënjohës.
Në shënimin e përvjetorit të 100-të të shkollës "Jusuf Rexha", që është një ndër shkollat e para shqipe në Mitrovicë dhe rrethina, u fol edhe për punën e këtij institucioni shkollorë, që nga themelimi e deri më sot, duke përcjellë kuadro të çmuara./b.j//m.m/












