MOBILIZIMI/ Në Kurbin miratohet bonusi i qirasë! Rama: Marrëveshje me kompani turke! Ruçi: Mbështetje nga ndërkombëtarët për rindërtimin

MOBILIZIMI/ Në Kurbin miratohet bonusi i qirasë! Rama: Marrëveshje me kompani turke! Ruçi: Mbështetje nga ndërkombëtarët për rindërtimin

Përfaqësuesit e partive politike kanë vizituar nga afër zonat e prekura nga tërmeti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:20
Durrës, PD: Qytetarët në panik, KÇK-ja qeveritare do t'u prishë banesat dhe t'i strehojnë në periferi (VIDEO)

Një grup banorësh të lagjes 18 në Durrës, pallatet e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, kërkojnë sipas PD-së certifikimin nga shteti për t’u rikthyer të qetë në banesat e tyre. "Qeveria nuk ka dërguar asnjë njeri të vlerësojë situatën. Si nuk erdhi një njeri. Janë dy javë. Nuk më ka ardhur absolutisht asnjë njeri të më shohë se çfarë problemesh kam unë në banesë. Fjeta 5 ditë në makinë, sot unë kam hyrë në shtëpi, por jam e pasigurt aty ku fle, sepse nuk e di, unë dua një njeri të shtetit të ma certifikojë që unë të hyj dhe të fle rehat aty. Tek pallati 2000 Lagjia 18, 30 metra nga pallati 6 katësh që u rrënua, ka probleme sa të duash, asnjë nuk ka ardhur ta certifikojë. Shtet hajdut se vetëm po vjedhin i pash tek ndihmat se çfarë bënin, duke i marrë me makina. Na kanë lënë kështu. të shkoj në shtëpinë time në atë gërmadhën time, dua të jetoj në shtëpinë time. Erdhi një ekspert tha, është i pabanueshëm. vunë kryqin e verdhë dhe shirit. Dua një zgjidhje, të më japin OK-in, të futem në pallat” tha një prej banoreve, sipas njoftimit të zyrës së shtypitë të PD-së.

Kryetari i PD në Durrës Ferdinand Xhaferri, teksa u takua me banorët e Durrësit, rikthesoi se zgjidhja është plani që opozita ka propozuar për masat urgjente që duhen marrë për lehtësimin e këtyre problemeve të banorëve të dëmtuar nga tërmeti. “Qytetarët janë shumë të axhituar. Kanë dy javë që i tallin me copa letre dhe e vërteta është kjo, po nuk pate mik  ose fle në makinë, ose në banesën e pasigurt. I vetmi vendim konkret i Edi Ramës ka qenë porosia që i dha Këshillit Bashkiak të Durrësit që të emërojë njeriun e Vangjush Dakos në krye të Bashkisë. Kjo tregon se axhenda e qytetarëve nuk përputhet me axhendën e qeverisë”, tha Xhaferri.

Xhaferri theksoi se qytetarët duan siguri për banesat e tyre ndërsa akuzoi se qeveria vrapon për të fshehur provat. “Shohim qeveritarët dhe z.Rama që lëvizin lart e poshtë për të përcjellë mesazhin sikur qeveria po mundohet të jetë pranë të gjithëve  por në fakt qeveria nuk i gjendet pranë askërkujt. Qytetarët duan që të vendoset se kush janë përgjegjësit e masakrës qeveritare ndërsa shohin qeverinë që vrapon për të marrë veprime për të prishur, për të fshehur gjurmët. Kemi lagjen 18, por edhe lagjen 4, lagjen 5, lagjen 6. Ka një panik shumë të madh sepse ato banesa që konsiderohen  zona të mira qytetarët janë në panik sepse thonë që KÇK-ja qeveritare po përgatitet që t'u prishë banesat  dhe t'i strehojnë në periferi të qytetit. Zoti Rama duhet të japë një përgjigje  këtij shqetësimi”, tha Xhaferri.

Ora 15:52
Meta me ekspertët izraelitë në Armathë: Banorët tani janë më të qetë (FOTO)

Ekipi i ekspertëve të izraelit ka inspektuar sot disa banesa  në Armathë për të parë nëse janë të banueshme apo jo pas tërmetit. Ekipin e ekspertëve e ka shoqëruar edhe Presidenti Ilir Meta. "Sapo përfunduam një verifikim të ri të një banese 4 katëshe në Armathë me ekspertët e palodhur izraelitë. Besoj tani edhe banorët janë më të qartë dhe të qetë se pardje. E rëndësishme është tani të ndjekim udhëzimet e duhura për përforcimin dhe riparimet e dëmeve me përgjegjësi të plotë ligjore" shkruan Ilir Meta.

Ora 14:52
Iu prish shtëpia më 21 shtator, Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësin e banesës së re familjes 7 anëtarëshe (VIDEO)

Shtatë anëtarët e familjes Matera në fshatin "Lagje e Re" Ndroq do e presin ndërrimin e viteve në shtëpinë e tyre të re. Sikurse kishte premtuar kryebashkiau Erion Veliaj, banesa e vjetër e shkatërruar nga tërmeti i 21 shtatorit, u rindërtua në kohë rekord ndërkohë që është bërë edhe mobilimi i saj si dhe vendosja e pajisjeve elektroshtëpiake. 

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i dorëzuan çelësat e banesës së re zonjës së shtëpisë Sadihe Materës, e cila nuk do të duhet më të mendojë për çatinë e shkatërruar dhe për rrezikun që i kanosej çdo ditë nga amortizimi i banesës dhe që me tërmetin pësoi shkatërrimin total. 

Kreu i qeverisë u shpreh se sikurse kjo banesë e cila është bërë shumë herë më e mirë se ajo që ishte para se të dëmtohej nga tërmeti, edhe shtëpitë e tjera do të jenë model. “Keni kaluar pa dëmtime në shëndet. Kjo është kryesorja. Të tjerat pastaj, më mirë bëhet. Shtëpia është më e mirë se ajo që ishte. Të gjithë ata që kanë pasur dëme do t'ua bëjmë shtëpinë më të mirë”, tha Rama. 
Një fakt të tillë e konfirmoi edhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i cili deklaroi se që në fillim një nga synimet ka qenë që banesat e reja që po ndërtohen pas tërmetit të jenë më të forta dhe me kushte shumë herë më të mira duke vendosur një standard të ri. “Jo çdo e keqe vjen për keq. Edhe me porosinë e kryeministrit, dhe me ndihmën e miqve tanë, jemi dita me natën”,
tha Veliaj.

Ora 14:50
Rreth 15 mijë nxënës të transferuar në shkolla pritëse, mësimi zhvillohet pa probleme


Me rinisjen e procesit mësimor ditën e djeshme, ekipet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), drejtoritë rajonale arsimore, si dhe drejtuesit e shkollave dhe zyrave vendore arsimore kanë treguar angazhimin e tyre maksimal për normalizimin e procesit mësimor për nxënësit e shkollave të dëmtuara, të cilët u zhvendosën drejt shkollave më të afërta pritëse.

Janë rreth 30 shkolla që nuk janë hapur dje për shkak të dëmtimit të pësuar nga tërmeti, teksa për secilën shkollë janë marrë të gjitha masat e nevojshme në kohë rekord për dërgimin e nxënësve tek shkollat pritëse.

Masat janë marrë nëpërmjet drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me prindërit e nxënësve. Është treguar kujdes që secili prind të jetë i mirë-informuar se ku do të jetë shkolla pritëse dhe pika e caktuar për transportin i cili është falas për nxënësit dhe mbulohet nga buxheti i shtetit.

Më së shumti, transporti është parë i nevojshëm në zonat rurale. Ndërsa në zonat urbane, ku distancat kanë qenë më të afërta, nuk ka lindur nevoja për transport.

Në kuadër të këtij plani zhvendosjeje janë afro 15 mijë nxënës të transferuar në shkollat pritëse, ndërsa buxheti për këtë operacion varion mes 15-17 milion Lekë.

Ora 13:30
Miratohet pagesa e bonusit të qirasë në Bashkinë e Kurbinit, këto janë dokumentet për të aplikuar


Këshilli Bashkiak Kurbin miratoi pagesën e plotë të bonusit të qirasë mujore për familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, dhe që nga akt konstatimet e Institutit të Ndërtimit është marrë vendim për evakuimin e menjëhershëm të tyre.

Familjet që do aplikojnë për të përfituar bonusin e qirasë duhet të depozitojnë pranë Nj.Administrative ku ato banojnë, dokumentet e mëposhtme:

•Formularin e aplikimit (formati standart), i cili gjendet pranë Nj. Adm;

•Akt konstatimin e Institutit të Ndërtimit;

•Çertifikatën familjare;

•Çertifikatën e pronësisë së banesës së dëmtuar nga tërmeti;

•Nr. e llogarisë bankare ku do të depozitohet bonusi i qirasë.

Referuar shkresës nr.22412, datë 06.12.2019, të MFE-së, vlera e pagesës së qirasë do jetë si më poshtë:

•Apartament 1+1, 12600 lekë

•Apartament 2+1, 15400 lekë

•Apartament 3+1, 20400 lekë

Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga zëri i Emergjencave Civile, të parashikuar me vendim të KB Bashkia Kurbin.

Ora 13:12
Rama takon të prekurit nga tërmeti në Shijak, banorja lëshon batuta: Qenke zgjat më duket

Këtë të martë kryeministri Rama ka qenë i pranishëm në Shijak, ku është takuar me disa nga banorët  e prekur nga tërmeti i 26-nëntorit. Në bashkëbisedimin me banorët nuk kanë munguar edhe batutat, ndërsa kryeministri u ka sugjeruar të gjithë pensionistëve që të përfitojnë nga bonuset e qirasë dhe që mund të zhvendosen në Tiranë.

Banorja: Pa 400 mije lek një dhomë. Ka shkuar qiraja shumë.

Rama: Nuk është 400 mijë lek, problemi është se nuk ka shumë apartamente të lira. Duhet te shkohet pak më larg. Kjo është një gjë që na ra dhe s'kemi ça bëjmë.

Banorja: Na falni kur flasim gabime, se jemi te tronditu, jemi keq, jemi mbush. Vetëm me plakun jetoj.

Rama: Për këta pensionistë mund të trajtojmë edhe në Tiranë.

Banorja: A do ma bësh një nder. Po na bëjnë 100 procedura me lidh dritat. Ne Fier kam shkuar por nuk kena drita.

Rama: Do ta zgjidhim ktë.

Banorja: Qenke edhe zgjatur më duket. Shyqyr që erdhe se ke shkuar vetëm te ajo lagjia ku hedhin valle.

Rama: Po po qe kur jemi takuar herën e fundit në televizor. Për pensionistët që janë vetëm fare mirë mund të ju çojmë edhe në Tiranë.

Rama: Përfitoni nga bonusi i qirasë dhe zhvendosuni ne Tirane.

(Një banore e përqafon dhe i lë në xhaketë pudër)

Rama: Qenke ly sot gjithë ditën, dhe ma hodhe suvanë mua tashi të gjithën...

(Një banore i thërret nga apartamenti në pallat)

Rama:O vdeksha une per ty amna mos ki merak se mos na bie, se do të thonë e hodhi Rama nga shpia.

Ora 11:46
Ruçi letër kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE, SHBA e të Ballkanit: Duam mbështetje edhe për periudhën e rindërtimit


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me një letër kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian, SHBA, vendeve të rajonit si edhe vendeve të tjera mike e partnere të Shqipërisë duke u thënë se vendi ynë po mobilizohet për të marrë sa më shpejtë ndihma dhe mbështetje nga ndërkombëtarët.

Kryetari i Kuvendit ndër të tjera i falenderon homologët mbi kontributin që kanë dhënë vendet e tyre në përballimin e fazës së emergjencës për familjet e prekura dhe i informon mbi masat e Qeverisë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve të strehimit dhe pasojave të tjera të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

 “Mbështetja e ndihma që keni dhënë e po jepni  në shpëtimin e jetëve njerëzore do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Megjithë përpjekjet intensive të Qeverisë, institucioneve, ekspertëve, sipërmarrjeve private, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të mbështetur edhe nga organizata, sipërmarrje dhe qeveri të mjaft vendeve mike, të cilët po tregojnë një solidaritet dhe humanizëm të pashoq, burimet dhe kapacitetet tona në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme. Prandaj ne po mobilizohemi për të fituar sa më shumë mbështetje ndërkombëtare për të rikuperuar sa më shpejt që të jetë e mundur pasojat e rënda të kësaj tragjedie. Duke Ju shprehur mirënjohjen e thellë timen, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, do të vlerësoja shumë nëse do të ishte e mundur që ky kontribut të vazhdojë me burime financiare e burime të tjera edhe në fazën e ndërtimit të banesave për të prekurit nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar. Ju falenderoj edhe njëherë nga zemra për ndihmën ndaj vendit tim në këtë kohë të vështirë. Këtë mbështetje nuk do ta harrojmë kurrë.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Ora 11:41
Meta takon ekipin e ekspertëve izraelit të vlerësimit të dëmeve në banesa, i falenderon në gjuhën e tyre


Presidenti i vendit, Ilir Meta, paraditen e kësaj të marte ka takuar ekipin e ekspertëve nga Izraeli të cilët po punojnë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26-nëntorit.

Meta me anë të një statusi në rrjetet sociale ka publikuar edhe foto nga takimi me ekipin izraelit dhe në fund ka bërë edhe një falenderim në gjuhen izraelite.

"I nderuar të prisja sot ekipin izraelit që i erdhi në ndihmë qytetarëve tanë duke vlerësuar dhe këshilluar për shtëpitë dhe ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti. Thellësisht mirënjohës Izraelit dhe ekspertëve të tij ushtarakë! Shalom! " shkruan Meta.

Ora 11:40
Iu prish shtëpia nga tërmeti, Rama dhe Veliaj vizitojnë familjen Vladi: 1118 familje përfituan bonus qiraje

E mbetur e pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, familja e Myrvejete Vladit nga Tirana ka mundur të akomodohet në shtëpi komode falë bonusit të qirasë që ka përfituar nga Bashkia e Tiranës. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot shtëpinë ku është strehuar përkohësisht familja Vladi, ndërsa garantuan kryefamiljaren se do ketë mbështetjen e gjithë strukturave shtetërore deri sa të ndërtohet shtëpia e re. Kryebashkiaku Veliaj informoi kryeministrin se ashtu si familja Vladi kanë përfituar bonus qiraje edhe mbi 1100 familje të tjera, të cilat po ashtu janë sistemuar në shtëpi me qira deri në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

“Dje kaluam edhe 266 qira të tjera, kemi vajtur fiks 1118. Kishim edhe disa raste speciale, pra për Ajtanga Lubonjën , për të gjithë ish-të përndjekurit, edhe e gjithë ajo që ndodhi, i thashë edhe këtyre të shoqatave, sa bëni statuse në facebook dhe hartime, me 2 rreshta, ja zonja e di vetë, me 2 rreshta, vetëm kopja e kartës dhe ne i kaluam. Kështu që në momentin që lanë hartimet në facebook dhe u fokusuan ta zgjidhin, u zgjidh për 2 minuta”, tha Veliaj. 

Ai gjithashtu u shpreh se Këshilli Bashkiak pranoi akt-konstatimet e Institutit të Ndërtimit që i shpalli 10 godinat në Universitetin Bujqësor të Kamzës si të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe vendosi që ti shemb ato. Gjithashtu Veliaj bëri të ditur se edhe banorët që janë strehuar aty do trajtohen me bonus qiraje, ndërsa për studentët do kompensohen. “Do bëjmë edhe një mbledhje tjetër për të gjithë këta të Kodër Kamzës, vendimin e morëm dje në Këshill Bashkiak, do prishen të 10-ta, pra edhe 8 të zaptuarat, edhe 2 konviktet e vjetra. Janë konvikte që janë bërë me punë vullnetare, pra vinte vajza studente dhe ndërtonte dhomën e vet. Ajo kontabiliste, financa, veterinaria, ortikulturë, çfarë kanë pasur atëherë dhe ndërtonte llaç e tulla. Kështu që edhe ata që thonë hoqën vetëm ato të zaptuesve dhe jo të studentëve, e kanë gabim se aty po i prishim të 10-ta, sipas porosisë që ju latë dhe sipas Institutit të Ndërtimit. Kështu që do bëjmë një mbledhje të fundit për atë paketë”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë kreu i qeverisë dha lajmin e mirë se shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes me një nga kompanitë më të mëdha turke e njohur për ndërtimet e saj edhe në Amerikë, për të bashkëpunuar për fazën e rindërtimit. Rama tha se kjo kompani është e njohur në tregun botëror për prodhimin e shtëpive ekologjike dhe antisizmike dhe që ulin edhe faturat e energjisë pasi kanë një termoizolim të shkëlqyer. 

“Shpresoj se do realizojmë një marrëveshje me një kompani shumë të madhe turke që është në gjithë tregun botëror për shtëpi ekologjie antisizmike. Është super. Ata i shesin në Amerikë përgjithësisht se atje nuk ndërtojnë me mure dhe me suva, por me betone special të lehta. Nesër do shkojë një ekip atje. Kemi bashkë me këta të organizatave dhe nëse do e mbyllim atë marrëveshje me ta do bëjmë një rindërtim shumë të shpejtë të shtëpive. Vijnë gati, montohen. Praktikisht,  ka disa opsione, ne do rrimë në atë mesataren mes 75 dhe 100 metrave sipas familjes. Të gjithë ata që e kanë shtëpinë të dëmtuar që nuk bëhet shtëpia, do kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin pa diskutim. Shpresoj që ta mbyllim këtë marrëveshje këtë javë dhe do kemi mundësi që të sistemojmë me shumë shpejtësi”, deklaroi Rama.

Ora 11:22
Manastirliu: Do të rindërtohen të gjitha strukturat shëndetësore të dëmtuara! Zëvendësimi i tyre me ambiente të përkohshme

1575973550_ogerta.jpg

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte bashkë me kryeministrin Edi Rama për të inspektuar punimet që po bëhen në shërbimet e kardiologjisë në QSUT, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, të cilat nuk janë dëme strukturore. Manastirliu tha se do të rindërtohet të gjitha strukturat shëndetësore të dëmtuara por pa ndërprerë në asnjë moment shërbimin ndaj qytetarëve. 

“Në fazën e parë, aktualisht jemi të përqëndruar në planin e rikonstruksionit emergjent, më pas vijojmë me planin e rindërtimit. Por e rëndësishme është që qytetarëve nuk u mungon shërbimi në qendrat shëndetësore apo spitalet që kanë patur dëmtime. Po organizojmë punën për të shpërndarë qoftë mjekët në struktura të tjera apo edhe për të marrë me qera ambiente të tjera”, tha Manastirliu.

Ndërkohë që faza tjetër do të jetë rindërtimi nëpërmjet programit që tashmë e keni shpallur -u shpreh Manastirliu- siç do bëjmë me spitalin e Laçit.

Ora 10:33
'Antisizmike, ekologjike e kundër zjarrit' Rama: Po bëjmë super marrëveshje me një kompani turke për ndërtimin e shtëpive

TIRANE -Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar një nga spitalet në QSUT, i cili pati dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit. Rama deklaroi se qeveria po punon për të bërë marrëveshje me një kompani të madhe turke për një supermarrëveshje për shtëpitë që do të ndërtohen në Shqipëri.

"Po bëjmë një negociim me një kompani të madhe turke të certefikuar që punon në Amerikë për një supermarrëveshje për shtëpitë antisizmike, ekologjike, kundër zjarrit dhe i thashë të na japin disa oferta për qendra shëndetësore sepse janë me një kosto më të ulët dhe janë super, dhe mund të bëjnë më shumë", tha Rama.

Dy ditë më parë kreu i qeverisë Edi Rama ishte në Turqi në konferencën e investitorëve ku kërkoi ndihmë për të përballuar dëmet nga tërmeti. Rama tha se pallatet e dëmtuara në Durrës kalojnë nga dhjetë familje për secilin dhe për pasojë ndërtimi i banesave të tyre kërkon një kosto të madhe financiare, që siç tha ai, janë njerëzisht të papërballueshme pa ndihma nga miqtë dhe solidariteti mbarëkombëtar nuk është i mjaftueshëm.

Turqia ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë për Shqipërinë në orët pas tërmetit. Presidenti turk Erdogan tha se shteti turk do të ndërtojnë 500 banesa për familjet të cilat tërmeti i la në qiell të hapur.

Vetë kreu i qeverisë ka deklaruar se është në komunikim me agjencinë shtetërore të strehimit të Turqisë që premtimi i Erdogan për 500 shtëpi të fillojë të realizohet aty ku është dhe blloku më kompakt dhe hapësira më e mundshme për të vepruar tani është Laçi.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ilir: 12/12/2019 01:00

    QERAJA E PAGUAR NGA SHTETI eshte vetem per nje vit,,,po pas nje viti ku do shkojne njerezit…./

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Renditja/ Fitojnë Flamurtari dhe Besa, vlonjatët në krye të Kategorisë së Parë! Tri pikë edhe Kastrioti e Burreli

Renditja/ Fitojnë Flamurtari dhe Besa, vlonjatët në krye të Kategorisë së Parë! Tri pikë edhe Kastrioti e Burreli