Anëtari i FRPD, Oresti Berberi, është shprehur se është e dënueshme dhe e pandershme përdorimi i të miturve për të hedhur molotovë në protesta.
Komentet Berberi i bëri në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, ku komentoi protestën e dhunshme të 10 shkurtit, të organizuar nga Sali Berisha dhe PD.
Teksa në mediat televizive dolën pamje të adoleshentëve duke kryer akte dhune në protestën e opozitës, Berberi tha se nëse faktohet se ata kanë hedhur molotov, atëherë kemi të bëjmë me keqpërdorim të tyre.
Më tej Berberi foli edhe për të ashtuquajturin ‘grupi i zjarrit’ në protestat e PD-së, për të cilët tha se janë ata që kanë marrë përsipër për të bërë rrëmujë.
“Në protestë nuk ndalohet njeri të shkojë dhe protesta nuk ka moshë. Padiskutim të miturit nuk kanë vend te hedhja e molotovëve. Është keqpërdorimi i tyre. Madje duhen pyetur nëse kanë apo jo leje nga prindërit për të shkuar në protestë. Sa i përket të ndaluarve, nuk e di nëse kanë qenë pjesë e grupit të zjarrit, apo kanë hedhur molotov, por di të them që Policia kur nis me shoqërimet, nuk është se pyet se kë ka përballë. Dhe duke ditur që nuk pyet se kë ka përballë, edhe të miturit kanë rënë në dorën e Policisë.
Grupi i zjarrit janë të gjithë ata që mbajnë fishekzjarrët apo që hedhin molotovët. Janë disa persona që kanë marrë përsipër të bëjnë rrëmujën, për të hedhur molotovët, se nuk bien nga qielli. Dhe dikush mban përgjegjësi për këtë dhe prandaj protesta e PD-së ka disa organizatorë që do të dalin në gjykatë për të dhënë llogari nëse ata të mitur ishin apo nuk ishin pjesë e grupit të zjarrit. Padiskutim është e dënueshme që të miturit të përdoren për të hedhur molotov. Edhe nuk është e ndershme. PD ka 40 mijë anëtarë dhe nga këta 40 mijë anëtarë dhe nga 40 mijë anëtarë mund të dalin 100 të tillë që të jenë moshë madhore dhe të kenë përgjegjësi juridike në momentin që marrin përsipër të bëjnë një shkelje ndaj ligjit”, tha mes të tjerash Berberi.
Kujtojmë se gjatë protestës së opozitës u përdorën molotovë, gurë e fishekzjarre kundër institucioneve, por edhe kundër punonjësve të Policisë, të cilat shkaktuan dëmtimin e 19 efektivëve. Po ashtu, 21 persona u shoqëruan për akte dhune gjatë protestës së 10 shkurtit të organizuar nga PD.
Komente












