Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka qenë në një takim me strukturat e partisë në njësin numër pesë në kryeqytet. Mirëpo, teksa po ftonte qytetarët që t'i bashkoheshin opozitës në protestën e dhjetë kombëtare, ajo bëri një gafë, e cila çuditi edhe ish-deputeten Floida Kërpaçi. Ajo po rendiste motivet se përse qytetarët duhet të dilnin në shesh më 8 korrik,  ndërkohë që mes arsyeve liston edhe kërkesën për "taksa më të larta". 

"Në shesh nuk do të dalim për opozitën, por për të gjitha hallet e shqiptarëve, secili sipas mënyrë së vet, dikush se kërkon një vend pune, dikush se kërkon taksa më të larta, dikush se i ka falimentuar biznesi për shkak të taksave të Edi Ramës, dikush se i ka ikur fëmija në emigracion me dokumente falso...e kështu të gjithë me radhë. Të gjithë nuk duhet të ndalojmë", tha Kryemadhi.

Mos ndoshta kemi të bëjmë këtu me një lapsus frojdian, ku në mënyrë të pavetëdijshme Kryemadhi, nëse do të ishte në pushtet, do të kishte bërë pikërisht këtë që artikuloi ?

*Çfarë është lapsusi frojdian? Lapsusi më i famshëm është ai frojdian (nga Sigmund Freud): sipas teorisë psikoanalitike të Freud-it, kemi një lapsus kur shfaqet një konflikt në mes qëllimeve të vetëdijshme të individit dhe ato të pavetëdijshme, duke shkaktuar një humbje momentale kontrolli dhe duke favorizuar keshtu dëshirat e pavetëdijshme.