Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit ‘Moody’s’ rikonfirmon qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit tonë duke parashikuar rritje me 3.5% gjatë vitit 2026.
Shqipëria përfshihet sërish në kategorinë “Ba3” me perspektivë të qëndrueshme ekonomike, nga Moody’s, një nga tre agjencitë kryesore botërore të vlerësimit të kreditit sovran. Një vlerësim i cili ka një peshë të rëndësishme kur një vend del në tregjet ndërkombëtare për të marrë hua, si dhe përbën një pikë reference për investitorët e mëdhenj.
Moody's parashikon një rritje të PBB-së reale prej 3.6% për vitin 2025 dhe 3.5% për vitin 2026, më pak optimiste se qeveria shqiptare që pret një nivel prej 3.9 përqind. Analiza e Agjencisë vlerëson se turizmi do të mbetet shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, ndjekur nga fluksi po ashtu i qëndrueshëm i Investimeve të Huaja Direkte veçanërisht në energji dhe turizëm, por edhe nga rritja e punësimeve.
Agjencia ndërkombëtare parashikon ulje të mëtejshme të borxhit publik gjatë tre deri në pesë vitet e ardhshme, të mbështetur nga respektimi i kuadrit të kujdesshëm fiskal nga qeveria. Moody’s vlerëson që borxhi të ulet në rreth 51% në vitin 2027 nga 52.6% e vlerësuar për vitin 2025.
Zbatimi i buxhetit gjatë vitit të kaluar mbetet i kujdesshëm. Moody's vlerëson deficitin në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, i cili është rritur nga 0.7% e PBB-së në vitin 2024, por mbetet nën objektivin qeveritar prej 2.4%.
Agjencia pret që reformat për procesin e anëtarësimit në BE të vazhdojnë, megjithëse me një ritëm gradual, dhe që risqet e likuiditetit qeveritar dhe të sektorit bankar të mbeten të kontrolluara.
Ministria e Financave vlerëson se kjo analizë e fundit e agjencisë Moody’s jep një sinjal pozitiv progresin e reformave, për investitorët e huaj dhe mbështet objektivat afatgjata të integrimit të vendit.
Komente










