Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për akuzën e korrupsionit ndaj prokurorit të Dibrës Tom Deda, i cili dyshohet se i ka marrë një qytetari shumën prej 200 mijë lekë në këmbim të lirimit të një kamioni të ngarkuar me dru. Hetimi është rregjistruar nga njësia antikorrupsion në prokurorinë e krimeve të rënda.

Ndërkohë mendohet se kryeprokurori Llalla ka urdhëruar pezullimin e prokurorit të Dibrës deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, pasi prokurori Tom Deda nuk ka pranuar të jetë implikuar në afera korruptive.

Nga ana tjetër edhe qytetari Fation Zeqja ka bërë një deklaratë që ka mohuar bisedën e trasmetuar me prokurorin Tom Dedaj.

48-vjeçari nga Dibra,  Fation Zeqja, i cili njihet edhe me emrin Faik Zeqja nga fshati Majtare i këtij rrethi, është ndaluar nga policia pasditen e 5 tetorit 2016 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Maqellarës", ku është kapur duke transportuar 3 metër kub lëndë drusore me kamionçinën e tij me targë AA 296 BC. Në këto kushte, Policia e Dibrës sekuestroi në cilësinë e provës materiale lëndën drusore dhe automjetin, ndërkohë që dosjen e poseduesit e dërgoi në prokurori për ndjekje penale në gjendje të lirë, pasi dyshohet për veprën penale "prerje e paligjshme e pyjeve".

Pas dërgimit të dosjes në prokurori, Fation (Faik) Zeqja ka kërkuar vetëm rikthimin e mjetit, jo të druve, pasi sipas ligjit kjo makinë ishte me dokumentacion të rregullt. Për këtë çështje, dy ditë pas ndalimit, qytetari thotë se ka kontaktuar me prokurorin Tom Deda, i cili ka qenë i gatshëm ditën e ngjarjes dhe kishte marrë paraprakisht dosjen e tij, por kishin kaluar më shumë se 10 ditë dhe makina nuk ishte nxjerrë nga policia.

Qytetari takon prokurorin Tom Deda, e pyet se çfarë është bërë me makinën e tij. Takimi i qytetarit me prokurorin bëhet në ambientet e prokurorisë së Dibrës. Prokurori e takon qytetarin, bisedon me të në korridorët e prokurorisë dhe tregon afrimitet gjatë bisedës.Qytetari e pyet nëse mund të flasin në zyrën e  tij dhe prokurori i përgjigjet,“Ti e di”. Rrugës për në zyrën e prokurorit, gjatë bisedës, Prokurori u vë në dijeni qytetarin se e ka dërguar shkresën që një natë më parë në polici për zhbllokimin e makinës.

Madje gjatë bisedës që zhvillohet në zyrën e prokurorit Tom Deda, ai i tregon shkresën qytetarit me datën 17/10/2016 (17 tetor 2016), që ia ka dhënë sekretarja dhe është dorëzuar në polici. Në këto kushte, qytetari falenderon prokurorin, duke i thënë se "atë ditë i kishte dhënë vetëm 200, pasi nuk kishte të tjera me vete". Prokurori nuk çuditet dhe as revoltohet nga kjo shifër që qytetari përmend në zyrën e tij, por i përgjigjet shkurt “Faleminderit” dhe aty ndahen me njëri-tjetrin.

Pas bisedës me prokurorin në zyrën e tij, qytetari shkon në komisariat për të verifikuar nëse ka shkuar shkresa dhe për të marrë makinën.  


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)