Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka ndarë një postim që mbledh gjithë Shqipërinë në të. Një thirrje mjaft e zgjedhur për t'ia dalë mbanë të gjithë bashkë në këtë situatë të vështirë që vendi po kalon i prekur me COVID-19.

"Një recetë mbarëkombëtare. 24 Mars 2020 ora 21:00. Në këtë kohë “COVIDIANE” na duhet edhe pak optimizëm gastronomik. Jeni të mirëpritur miq e shokë, kuptohet nëse jua lejon Qeveriu daljen në këtë orë, që të konsumojmë sa është ende e ngrohtë këtë pjatë me përbërës mbarëshqiptarë: trahana Lunxhërie, bukë shtëpie me miell katunarije, suxhuk pikant Prizreni, vaj ulliri Berati e Patosi përzier, pluhur speci të kuq nga Gramshi, djathë dele Konispoli, ujë Selite, kripë Narte si dhe duart e shkathëta të një djali me përzierje genike Elbasani dhe Gjirokastre. Mos t'ju lëshojë zemra bashkëkombësit e mi. Ne bashkë do t'ia dalim mbanë!", shkruan Kalo teksa poston edhe këtë foto.