Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro bëri me dije se sot mësimi është i ndërprerë në 54 shkolla në të gjithë vendin, kryesisht në qarkun e Durrësit në zonat si Krujë, Sukth, Katund i Ri apo edhe në Fier, Gjirokastër e Vlorë. Mes tyre prej 3 ditësh mësimi është i pezulluar edhe në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” për shkak të përmbytjes.

“Kemi qenë në kontakt në çdo orë në mënyrë kapilare me 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit mes orës 07:00-08:00 sot, situata është: Në Qarkun e Tiranës mësimi ka vijuar normalisht, në Qarkun e Durrësit kemi një ndërprerje në 12 shkolla. Po ashtu në qarqet Dibër, Lezhë, Shkodër mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat. Situata më problematike është në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier ku kemi ndërprerje të kontrolluar të mësimit në 10 shkolla. Këtë e bëjmë për arsye sigurie, në radhë të parë për nxënësit, por edhe për ata mësues që duhet të bëjnë rrugë në zona më të thella. Në Bashkinë e Gjirokastrës, ditën e mërkurë kemi pasur një ndërprerje të mësimit jo sepse shkollat kishin probleme si objekte, por sepse prurjet e inerteve ishin kaq masive në rrugët e bashkisë, por situata u kthye në normalitet brenda pak orësh. Në qarqet Elbasan, Korçë, Berat janë rreth 32 shkolla ku sot është pezulluar mësimi, ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë as nxënësit dhe as mësuesit. Në total kemi 54 shkolla ku sot është ndërprerë mësimi, nga 1510 shkolla në gjithë vendin. E ndjekim në vazhdimësi situatën dhe raportimin e kemi çdo një orë”, u shpreh Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.

Sa i takon përmbytjeve në qarkun e Durrësit, foli edhe kryeministri Rama

“Për shkak të pranisë së vazhdueshme në investimet e bëra në atë zonë, kam parë dhe konstatuar se qoftë në investimin e rindërtimit dhe akademisë së Manchester City qoftë në disa investime të tjera publike, është dashur një ngritje e koutës me shtresa të qëndrueshme inetrtesh deri në 2 m në raste të caktuara. Në atë territor kemi një problematikë tejet komplekse për shkak të ndërtimeve nën kuotë të zonave informale që e bëjnë praktikisht dhe objektivisht të pamundur që të shmanget edhe akumulimi i ujit duke u krijuar rezervuare në pikat e banuara. Që gjithsesi në këtë rast janë prekur shumë më pak se në të kaluarën, falë investimeve të bashkisë së Durrësit dhe mbështetjes së qeverisë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ 13 mijë ha e 1587 banesa nën ujë, Rama: Dëmshpërblim, hidrovorët të gjithë në punë! Malaj: Fondi për situatën 50 mln euro