DIBËR-Ruajtja e traditës dhe trashëgimi brez pas brezi mbetet një nga pasuritë e shqiptarëve, nga jugu në veri. Report TV sjell historinë 150-vjeçare që i ka mbijetuar kohës. Ky mulli shekullor në fshatin Valikadhë të Njësisë Administrative Zërçan në Dibër,u ka shërbyer banorëve të këtij qyteti që në kohën e mbretit Zog, në komunizëm e demokraci.

Ismet Hidri rrëfen se si fillimisht në këtë mulli punoi gjyshi i tij për 50 vjet më e radhe, ndërsa e trashëgoi tek i biri, për t’u menaxhuar së fundmi nga vetë ai.

“Ky mulli ka 150 vjet. Këtu ka punuar gjyshi im me vite, ka punuar babai im, dhe unë do ta mbaj sa të jem gjallë, prandaj kam bërë edhe këtë investim për ta mbajtur. Këtu kanë punuar furrat e kooperativës, janë mbajtur tre katunde me mullirin, punonte baba. Edhe në demokraci ka punuar babi, dhe unë kam 5 vite që e kam marrë”,tha mullixhiu.

Për Ismetin, ruajtja e traditës është më e rëndësishme sesa përfitimi financiar.

“Është edhe sevap, por është edhe punë dhe traditë. Këtu bluajnë 10 katunde, Shupenza, Golloborda, Zerçani apo Krajka por ama duhet korrektësi e madhe për të shërbyer. Kam lënë çdo punë por këtë nuk e lej sepse është traditë dhe është trashëguar në tre breza sa të jem gjallë nuk e lej”, thotë Ismeti.

Edhe pse Ismeti, pronari i tretë i këtij mulliri, ka kryer një investim rreth 300 mijë lekësh, për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi, procedura realizohet si në kohët ‘primitive’.

 “Unë kam bërë një investim sepse ai ishte degraduar kishte për tu shembur. Ky mulli punon me uji, është tamam si para 150 vitesh, është me uji është me fletë”, pohon Ismeti.

Dëshira e Ismetit është që kjo trashëgimi të ruhet edhe nga fëmijët dhe pasardhësit e tyre...

“Unë dua ta trashëgoj por varet se sa do të ma marrin”, thotë Ismeti.

Në këtë mulli, bluajnë misër dhe grurë e gjithë zona e Dibrës.