'Mund të arratiset se akuzat mund ta çojnë deri në burgim përjetë apo të kryejë krime të tjera'/Publikohet fletë-arresti ndaj Hashim Thaçit, arsyet pse mbahet në paraburgim

Ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

TIRANË- 10 arsye e kanë shtyrë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë që të urdhërojë arrestimin e ish- presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për akuzat për krime lufte si ish- drejtues i UÇK-së.

Ditën e sotme është publikuar fletë-arresti ndaj tij, ku listohen arsyet, të domosdoshme siç i quan organi i akuzës, për të mbajtur në paraburgim Thaçin gjatë kohës që ndaj tij ka nisur një gjykim në Gjykatën Speciale në Hagë.

Arsyeja kryesore, e listuar në rresht të parë, sipas Prokurorisë është rreziku që Thaçi mund të arratiset nisur nga fakti se ishte në dijeni të akuzave që rëndojnë ndaj tij si edhe të dënimeve të mundshme që shkojnë deri në burgim të përjetshëm. Së dyti, sipas tyre, nisur nga fakti që ka mbajtur poste të rëndësishme mund të ndërhyjë te dëshmitarët dhe mund të pengojë procesin e hetimeve. Një tjetër motiv që jep Prokuroria për të mbajtur në paraburgim Thaçin është edhe "frika se ai mund të kryejë krime të tjera kundër personave të cilët konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë viktima dhe dëshmitarë".

Ky fletë-arresti mban datën 26 nëntor, ndërkohë që ish- presidenti u arrestua në datën 5 nëntor kur dhe u nis për në Hagë, pas konfirmimit të akt-akuzës.

"Arrestimi i z. Thaçi është i domosdoshëm në përputhje me nenin 41(6)(b) të Ligjit. Ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se: (i) ekziston rreziku i arratisjes së tij, duke qenë se ai është në dijeni të akuzave kundër tij që përfshihen në Aktakuzën e Konfirmuar si dhe të dënimeve të mundshme që mund të përfshijnë dënim deri në burgim të përjetshëm; (ii) është në dijeni të vendimeve për fajësi penale të ish anëtarëve të lartë të UÇK-së dhe të anëtarëve të identifikuar të NKP-së, të cilat janë raportuar publikisht; (iii) aktualisht është President i Kosovës dhe në të shkuarën ka mbajtur poste të ndryshme qeveritare dhe ka mundësinë që të mobilizojë lehtësisht një rrjet të gjerë përkrahësish dhe zyrtarësh të qeverisë ndër të cilët edhe persona me ekspertizë në lëmin e sigurisë, policisë dhe inteligjencës; (iv) ka qasje në fonde të konsiderueshme; dhe (v) ka mundësinë që të udhëtojë lirisht; (b) mund të pengojë procedimin me anë të ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, viktimave, ose bashkëkryesve, duke marrë parasysh se ai (i) ka post me pushtet dhe ndikim në Kosovë çka i mundëson të mobilizojë një rrjet të gjerë përkrahësish për të penguar hetimet e ZPSsë; (ii) ka sulmuar publikisht Dhomat e Specializuara dhe është përpjekur t’i delegjitimojë ato dhe (iii) pretendohet se është orvatur të ndërhyjë ndaj hetimeve të ZPS-së përmes ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve; dhe (c) duke marrë parasysh pjesëmarrjen e tij të pretenduar në NKP kundër kundërshtarëve realë ose të imagjinuar të UÇK-së, orvatjet e tij të pretenduara për pengimin e procedimit dhe atmosferën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar  kundër anëtarëve të UÇK-së në të shkuarën, ai mund të kryejë krime të tjera kundër personave të cilët konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë viktima dhe dëshmitarë", thuhet në dokument.

Ish- presidenti Hashim Thaçi doli para Gjykatës së Hagës në datën 9 nëntor, ku ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij. Thaçi u tregua i kursyer në fjalët e tij duke u mjaftuar të thotë para trupit gjykues thjesht "Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e akuzës". Ai së bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte, si ish- drejtues të UÇK-së. Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë ku Prokuroria argumenton pse Thaçi duhet të mbahet në paraburgim

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se kolaudimi i automjeteve në shtet do të sjellë përmirësim të shërbimit dhe sigurisë?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Kreshnik Spahiu: Venecia i dha të drejtë Ramës, s’përshëndeti bojkotin e opozitës