HAGË- I fundit që doli përballë Gjykatës Speciale në Hagë ishte Rexhep Selimi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 'Çlirimtar' e ka quajtur veten Selimi, asgjë më shumë, duke hedhur poshtë të 10 akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime lufte. Ironia e fatit ishte që ai po gjykohet nga një Gjykatë për të cilën ka qenë kundër që në fillim për krijimin e saj. Është një Gjykatë e ngritur "mbi synimet anti- shqiptare", tha Selimi, duke shtuar se ka qenë i mendimit se drejtësia duhet të bëhej nga autoritetet e Kosovës, si një shtet i pavarur.
Raportin e Dick Marty, Selimi thotë se nuk është gjë tjetër veçse një 'hakmarrje' e Serbisë pasi Kosova u shpall e pavarur. Për këtë arsye, iu drejtua gjykatësit duke thënë se"beson që qëllimi i tyre është drejtësia mbi të gjitha e vërteta", dhe se nuk do mbajnë anën e askund. Njësoj si ish- presidenti Hashim Thaçi, edhe ai ka ngritur pretendimet se kjo akt-akuzë është e redaktuar, pra që i mungojnë akuzat për "trafik të organeve" dhe për "Shtëpinë e Verdhë", dy akuzat kryesore për të cilat është ngritur kjo Gjykatë. Të padrejta për të, por edhe për luftën e UÇK-së, i ka quajtur Selimi të 10 akuzat, por i bindur se ky proces gjyqësor ndaj tij do e vërtetojë se UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte, por ka luftuar për liri.
Ndaj Selimit rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991. Më herët përpara Gjykatës Speciale të Hagës kanë dalë ish- kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, ish- presidenti i Hashim Thaçi, ish- kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët të tre i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Theksojmë që ndryshe nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës (që ka gjykuar ish- presidentin serb Slobodan Milošević) e cila trajtonte të gjitha krimet e kryera në Ish-jugosllavi, kjo Gjykatë Speciale është ngritur nga vetë Kosova në bashkëpunim me BE dhe trajton vetëm ato krime të supozuara të kryera në periudhën mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, të cilat kanë ndodhur ose kanë filluar në Kosovë. Edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, kjo gjykatë funksionon me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.
Rexhep Selimi ka deklaruar para gjykatës se është i pafajshëm.
"Sot këtu të deklarohem që ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë", tha Selimi.
Por fjala "ndihem" e përdorur nga Selimi, nuk ishte një përgjigje bindëse për gjykatësin sipas procedurave, prandaj e ripyeti sërish nëse deklarohet apo jo i pafajshëm.
"Unë zakonisht deklaroj cfarë ndjej, unë deklarohem i pafajshëm", tha Selimi.
Në një fjalim të shkurtër, Selimi tha se ka qenë kundër ngritjes së kësaj Gjykate pasi sipas tij drejtësinë duhet ta bënin institucionet kosovare, pasi shpalljes të pavarur. Ai u shpreh i bindur në pafajësinë e tij, duke thënë se nuk është gjë tjetër veçse një 'çlirimtar'.
"E di që ndoshta nuk është momenti dhe as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate duke e ditur se këtë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës, dua të theksoj se unë si deputet e pata kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, jo se jam kundër drejtësisë, por doja që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës. Pasi Kosova shpalli pavarësinë, Serbia e pati paditur Kosovën në Gjykatën ndërkombëtare se shpallja e pavarësisht ishte e paligjshme. vendimi i Gjykatës ndërkombëtare ishte në favorin tonë, por vetëm pak muaj pas këtij vendimi, Serbia përmes Dick Marty nxorën një raport si kundërpeshë ndaj vendimit të kësaj Gjykate dhe pavarësisë së Legjitimuar të Kosovës. Prandaj nuk doja që të ngrihej një gjykatë mbi synimet anti shqiptare. Sot Kjo Gjykatë është fakt dhe këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por si një luftëtar i UCK, përballë një akt akuze i vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj cështje. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, më bëni të besoj se po ashtu qëllimi do të jetë drejtësia mbi të gjitha e vërteta. pashë aktakuzën e ngritur, ishte e rëndë, voluminoze, por shumë e padrejtë dhe e pasaktë, ndaj meje por edhe ndaj luftës. Por ky proces do ta dëshmojë se ishim një popull i shtypur që luftuam për liri, ishte e drejtë, bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë dhe e tillë do të jetë edhe pas këtij procesi se kushdo që ka dyshime do të bindes se as unë e as UCK nuk kemi të bëjmë me krime e as ndërrmarje të përbashkët kriminale. po kam luftuar kundër Serbisë, pushtuese, kudër Serbisë që vetëm të këqija i ka sjellë vendit tim. Prandaj e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit, unë jam vecse një Çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe kemi përfunduar me NATO, e kam për detyrë dhe nder të jem në anën e UCK dhe atletëve të kësaj Ushtrie. Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta duhet të jenë qëllimi i të gjithëve ne, pse jo edhe e prokurorisë", tha Selimi.
Njësoj si ish- presidenti Hashim Thaçi, edhe Rexhep Selimi ka deklaruar se aktakuza është e redaktuar.
"Po e flas dhe e kuptoj shumë mirë gjuhën shqipe. Një akt akuzë e redaktuar siç jeni ju në dijeni", tha Rexhepi. Më herët Thaçi tha se në këtë akuzë janë hequr akuza për shtëpinë e verdhë dhe trafikun e organeve, që kanë qenë kyçe për ngritjen e kësaj Gjykate Speciale.
Nis seanca në gjykatën speciale në Hagë për Rexhep Selimin.