LEZHË- Murtaja afrikane e derrit, e cila është shfaqur në Lezhë, ku deri më tani kanë ngordhur 72 krerë, nuk e ka ndaluar tregtimin e kafshëve në tregun informal të Kurbinit këtë të dielë. Report Tv sjell pamjet nga tregu i gjëse së gjallë, ku dallohet se tregtimi i derrave vijon normalisht.
Pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë, shitja e derrave dhe mishit pa asnjë lloj sigurie vijon normalisht në Milot. Qytetarët thonë se janë të frikësuar nga shfaqja e sëmundjes, duke ndaluar konsumimin e mishit të derrit, pasi sipas tyre mungojnë kontrollet.
"Kishte po nuk duam ta blejmë se e kemi me frikë. Kam frikë ta marr.
Është e frikshme, por kush kupton. Unë e kam te shtëpia e nuk e marr në treg. Këtu s’duan t’ia dinë", shprehen qytetarët.
Në zbatim të masave për parandalimin e murtajës afrikane të derrit, Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë bën me dije se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në orët e para të mëngjesit të së dielës janë ngritur pika kontrolli në rrugët që çojnë drejt tregut të Milotit për të ndaluar lëvizjen e derrave, ku janë bllokuar disa automjete.
Por sipas veterinarisë, nuk kanë gjetur mbështetjen e Bashkisë Kurbin, e cila ka për detyrë bllokimin e pazarit informal të Milotit, i cili vijon aktivitetin çdo të dielë në kushte skandaloze.
Ndërkohë, vatra me murtajën e derrit e shfaqur në Ishull-Lezhë është izoluar dhe gjatë ditës së dielë nuk ka pasur raste të reja, ndërsa i gjithë fshati do të mbahet në karantinë për 21 ditë.
Foto nga kontrollet e Autoritetit të Veterinarisë në Lezhë dhe Policisë së Shtetit
Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë vijon të jetë në terren në zonën ku u shfaq murtaja afrikane e derrit ne Ishull-Lezhë.
Deri tani kanë ngordhur 72 derra të cilët janë groposur konform protokollit të përcaktuar, ndërsa gjatë ditës se diele fatmirësisht nuk ka patur raste të reja.
Zona me rreze deri në 3 km është futur në karantine për 21 ditë, ndërsa vijojnë të kontrollet terren për të parë nëse ka raste në stallat e tjera të këtij fshati. Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të urdhrit për ndalimin e tregtimit të derrave, janë ndaluar 48-makina dhe është kthyer mrapsht një ngarkesë me derra.
“Në vijim të monitorimit të Sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, Shërbimi Veterinar Rajonal i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve mëngjesin e sotëm me datë 29/12/2024 në orën 3:30, ka organizuar postblloqe në 4-akse rrugore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Nga kontrollet e ushtruara janë ndaluar 48-makina dhe është kthyer mrapsht një ngarkesë me derra”, njofton Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë.