Vendimi për ndërtimin e muzeut arkeologjik nëntokësor, në zonën e sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, ishte në qendër të një debati që përfshiu ministrin e kulturës, Blendi Gonxhja dhe deputeten e PD-së, Ina Zhupa, në seancën parlamentare të kësaj të enjte. Sipas Zhupës, muzeut arkeologjik i duhet ofruar një hapësirë dinjitoze.

***

Nëntokë apo mbitokë? Ku duhet të jetë Muzeu i ri arkeologjik që pritet të ndërtohet në Tiranë? Ideja e njoftuar nga qeveria për të krijuar një hapësirë, poshtë sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet, ka shqetësuar deputeten demokrate Ina Zhupa e cila kishte kërkuar për këtë, një seancë pyetje përgjigje me ministrin e Kulturës Blendi Gonxhe.

Shembujt e ngjashëm të ofruara nga ministri, ishin një muze në Romë afër Colosseum-it, një tjetër në Krakov të Polonisë, apo dhe Luvri në Paris. Gonxhe vërejti se gjetjet arkeologjike do të ruhen dhe ekspozohen sipas të gjithë kushteve të nevojshme.

“Kërkesa fillestare ka ardhur nga Akademia e Shkencave dhe institucionet përkatëse. Janë marrë në shqyrtim kushtet e ruajtjes, kontrolli mjedisor, ndriçimi dhe siguria. Procesi është ende në fazë paraprake dhe do të ketë konsultime të mëtejshme publike dhe me ekspertët”, tha Gonxhja.

Por për deputeten Zhupa, shembujt e sjellë nga ministri nuk janë fare të ngjashëm me idenë që kërkohet të realizohet në Tiranë.

“Shembujt që ju morët quhen muze ‘in situ’. Në Romë, atje u gjetën gjetje arkeologike, që nuk i lëvizën nga vendi, por u ekspozuan, se u mendua se lëvizshmëria do t’i dëmtonte. Në gjithë botën gjetjet nxirren në dritë dhe ekspozohen, ndërsa në Shqipëri po ndodh e kundërta. Kjo është një goditje për identitetin kulturor dhe një model i paprecedentë”, tha Zhupa.

Gonxhja shpjegoi se autoriteti kontraktor i përzgjedhur për zbatimin e projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa fakti që muzeu ndodhet afër një parkingu, sipas tij, do të rrisë vizibilitetin dhe vizitueshmërinë.

Por, Zhupa këmbënguli se për muzeun arkeologjik është mundësia dhe është e nevojshme një hapësirë mbitokësore dinjitoze.

 

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 5 Maj, 08:35

    Gjykata e Lartë frenon Prokuroritë dhe Gjykatat për arrestin me burg, si e vlerësoni?