Myzafer Korkuti: Arti shkëmbor në Shqipëri, zbulimet e viteve ‘60 dhe lidhja me piktogramet e zbuluara në Mirditë (VIDEO)

Simbole, piktura dhe kode të veçanta të njerëzimit, të gdhendura në shkëmbinj, të zbuluara në mbarë territoret shqiptare; në Lepenicë, Reç, Xibër, Bovillë, në Tren e  deri në Mal të Zi, bëjnë pjesë në rrënjët e qytetërimit. Herë të gdhendura e herë të pikturuara në gurë, ato datojnë rreth 6 mijë vjet më parë. Këto kode kanë udhëtuar në shekuj e janë bërë gjuhë e përbashkët e popujve më të vjetër të Europës e Ballkanit.

Zbulimi më i fundit, u bë dy muaj më parë në Xhuxhë të Fanit të Mirditës. Një masiv i shkëputur shkëmbor me piktograme historike bëri bujë në rrethet arkeologjike dhe në  institucionet e trashëgimisë kulturore.

Objekti arkeologjik u zbulua nga vet banorët e zonës, gjatë punimeve për të hapur një rrugë. Zbulimi i rrallë, pak ditë më vonë, u strehua në Muzeun Historik Kombëtar, duke u konsideruar si një etalon përfaqësues i atyre dhjetëra zbulimeve të kësaj natyre, të cilat janë ngurosur në shkëmbinj e shpella prehistorike.

Arkeologu i njohur, Muzafer Korkuti, autor i librit dygjuhësh shqip-anglisht “Arti shkëmbor në Shqipëri”, si dhe i veprave “Parailirët, ilirët, arbërit”, “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri”, e shuëm të tjera, rrëfen ekskluzivisht për Report TV, sesi interpretohen gjurmët e mbushura plot mistere të artit shkëmbor, të zbuluar në territoret mbarëshqiptare e më gjerë.

Akademiku Myzafer Korkuti thekson se elementet e përbashkëta janë të pranishme edhe në artin shkëmbor të vendeve të tjera.

Me vlerë të veçantë janë ngjashmëritë me artin shkëmbor të në Italinë e Veriut gjatë neolitit, eneolitit, bronzit e hekurit. Sipas arkeologut Korkuti: romakët, helenët dhe ilirët konsiderohen si popujt me qytetërimin më të vjetër dhe pasardhës autoktonë në trojet ku jetojnë edhe sot e kësaj dite.

Intervista

Profesor Korkuti, kohët  e fundit arkeologjia po përballet me disa zbulime interesante që janë pjesë kryesore e studimit tuaj, të cilat janë piktogramet ose arti shkëmbor në Shqipëri. Çfarë mund të thoni ju për këtë pasuri arkeologjike që ka vendi ynë?

-Unë ia kam kushtuar veprimtarinë time kërkimeve për epokën prehistorike, për epokën e Bronzit ose të hekurit në territorin e Ilirisë, por krahas tyre më kanë ngacmuar, më kanë nxitur edhe pikturat prehistorike. Ky ishte rasti i kërkimeve në Shpellën e Trenit në moshë të re, dhe duke u ngjitur në shkëmbin e Spilesë, në vendin që siç e quanin banorët Shpella e Shkruar, aty hasëm pikturën prehistorikë të Trenit. Isha në moshë të re, e ndoshi kjo gjë që pastaj më bëri kurioz dhe mua. Kështu unë iu kushtova  studimeve të artit shkëmbor, dhe kështu unë plus  pesëdhjetëvjetëve kërkime të tjera për Ilirinë, iu kushtova edhe artit prehistorik.

Sa vjeç ishit, në cilat vite e kërkuat pikturën e Trenit, dhe a mund të na rrëfeni emocionet?

-Ishte viti 1966, kur unë sapo kisha filluar kërkimin e e pavaruar në Shpellën e  Trenit. Dhe është vërtetë emocion, që të ngjitesh në shkëmbin e Sp-lesë, dhe është vështirë të ngjitesh. Dhe, jo rastësisht, banorët prehistorikë, arritën të gjejnë një vend mbizotërues mbi gjithë Liqenin e Prespës, në gjithë hapësirën e Trenit për të pasqyruar botëkuptimin e tyre dhe mentalitetin e tyre dhe kështu ka ndodhur edhe në pikturat e tjera.  Jo rastësisht, ata kanë gjetur vendet dominuese, më të bukura , më të mira për të treguar kuptimin që kishin ata për botën, për të treguar raportin që ata kishin me natyrën, me diellin, me jetën dhe kështu ata u futën në historinë botërore të artit shkëmbor. Kështu që janë vlera të jashtëzakonshme dhe territori i Ilirisë me shtatë tetë realizime bashkë me Malin e Zi përfshirë edhe në kufi me Kosovën përbëjnë një vlerë europiane, sepse numri më i madh i tyre është në Valkamonika, në Italinë e Jugut, dhe ne vijmë në vargun e vendeve evropiane, me pasuri më të mëdha të artit shkëmbor.

A ka kode të ngjashme në të gjithë këtë areal, ku janë zbuluar këto piktura shkëmbore?

-Po është e vërtetë. Kodi i tyre i ngjashëm është raporti i tyre me natyrën, raporti i tyre në radhë të parë me diellin, me burimin e jetës. Kështu që simbolin e diellit dhe të njeriut e gjen në të gjitha këto realizime, qoftë në territorin e Ilirisë, qoftë në Valkamonika në Itali, qoftë në Pirenej në Francë, dhe kudo në botë. Pra, njeriu gjithnjë e ka lidhur veten me natyrën, sepse burimi i jetës ishte natyra dhe e ka kthyer në art, e ka bërë të pavdekshme.

Çfarë kërkimesh keni bërë ju për të zbuluar disa nga kodet e pazbërthyeshme, siç duken edhe në këto piktograme?

-Për ne specialistët këto janë të lexueshme, janë të kuptueshme, sepse ngjajnë me njëra-tjetrën. Botëkuptimi dhe interpretimi i natyrës nga njeriu dhe raporti mes tyre është i njëllojtë. Ai e ka lidhur me ambientin, me diellin, me veten dhe me çfarë i ka shërbyer atij natyra në jetën e vet. Asaj i është adhuruar dhe sot njeriu i është falur ndaj natyrës. Sot njeriu e zotëron në një farë mase natyrën, por në prehistori natyra ishte kult i njeriut. Kështu që këto janë tempujt e prehistorisë, e thënë në kuptimin e përgjithshëm, dhe më vonë lindën tempujt, dhe çdo fe , çdo besim krijoi monumentin e vet, ashtu si  e besonte. Po marr, një shembull, atë që piktura e Bovillës në periferi të Tiranës, është në nivel ne Shën Noun, në atë kuptim siç manifestohen kultet edhe në Malin e Tomorit, apo në vet Kishën e Shën Nout. Këta shkëmbinj me piktograme janë pikërisht objektet e kultit, ku shprehin adhurimin njerëzit prehistorikë.

Profesor Korkuti, ju jeni edhe një studiues i periudhës ilirike. Si i harmonizoni ju këto kohë, këto marrëdhënie, mes fushave të studimeve të tuaja, për të kuptuar ardhmërinë tonë, ardhmërinë e banorëve shqiptarë, që kanë pasur një zanafillë të mëhershme edhe përtej Ilirisë?

-Është e vërtetë. Banorët kur jetojnë për një kohë të gjatë i përgjithësojnë këto. E kam fjalën për banorët vendas. Edhe tema për artin shkëmbor është e lidhur me studimet e mia për etnogjenezën ilire, për lashtësinë e truallit tonë. Nuk ka popuj nomandë, që të bëjnë realizime të tilla të artit shkëmbor. Këto janë të ndërthurura. Kështu unë, plus, krahas të dhënave të arkeologjisë, të burimeve antike, etj, në mbështetje të tezës së autoktonisë, vura edhe artin shkëmbor për lashtësinë e banorëve, dhe siç thashë vepra të tilla, që janë mbi tremijëvjeçare para Krishtit dhe vijnë  deri në ditët tona, nuk i bëjnë popujt nomadë. Ata përgjithësojnë veten e tyre, vlerat e tyre, realizimet e  tyre që vijnë deri në ditët tona. Dhe këto janë të pavdekshme, vijnë deri në ditët tona, pavarësisht se injoranca e njerëzve dhe kureshtja bëhet aq ndërhyrëse sa i gërvishtin dhe duan të kuptojnë se çfarë janë. Ne duhet t’i restaurojmë ato dhe të mos kemi më raste të njerëzve që i dëmtojnë ato.

Interesante është teza juaj, që kultet apo momente të tilla, nuk i bëjnë popujt nomandë. A jeni ju për një tezë që ne jemi këtu populli më i vjetër në Ballkan?

-Kjo ka qenë teza, kur unë kam mbrojtur titullin Kandidat i Shkencave në 1978-n, pikërisht për këtë për të vërtetuar autoktoninë e ilirëve. Dhe këtë tezë e vazhdova gjithë jetën time. Kjo ishte në plus i fushës së artit prehistorik në mbështetje të tezës së autoktonisë. Por natyrisht vendin e  parë e zë  arkeologjia, gjuhësia. Këto plotësojnë kuadrin historik të lashtësisë ilire në Ballkanin Perëndimor.

Ka pasur një debat mes studiuesve se këto piktograme shkëmbore i përkasin edhe mesjetës. Si keni mundur ta argumentoni ju lashtësinë e tyre dhe çfarë ka ndodhur në fakt në valën e këtyre debateve?

-Shiko, në shkencë ka gjithmonë debate. Dhe debati të çon në konkluzione, në zgjidhjen e tyre. Por, për shembull, piktura shkëmbore e Trenit që është diskutuar, shihet se ka ngjashmëri me një pikturë identike në Mal të Zi, në Cervosiena të Malit të Zi, që është në kufi me Veriun e Shqipërisë. Ajo ka ngjashmëri edhe me pikturat që janë gjetur në Bullgari. Pra koncepti është i njëjtë. Është tjetër gjë arti mesjetar. Arti mesjetar ndryshon në modelet që ka, në përmbajtjen që ka. Është diferencë shumë e madhe në pikëpamje kohore, sepse ashtu është edhe epoka, çdo epokë pasqyron artin e vet. Kjo është vlera e zbulimeve ndër të tjera.

Kur u zbulua Guri në Fan të Mirditës, ishte po i njëjti me ato piktograme që kishit studiuar, si u ndjetë?

-Botimi i monografisë time në Akademinë e Shkencave të Hajdelbergut, në Universitetin e Hajdelbergut që është pjesë e tij, e që është një nga universitetet më të vjetra në Europë krahas Universitetit të Bolonjës, ishte vlerësimi më i madh që iu bë punës sime, pikërisht për këto studime në fushën e prehistorisë së Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Kështu që, arritjet e arkeologjisë në këtë fushë u inkuadruan në studimet e Ballkanit perëndimor, dhe në tërësi edhe në Europë. Kjo është arritja më e mirë për çdo studiues, që të bëhet njohja e tyre botërore.

Dhe ju, më në fund, morët në dorë të bënit një libër me studime, që është botuar tashmë në dy gjuhë, edhe në anglisht, edhe në shqip. Si ka qenë jehona e këtij libri. A mund të na tregoni pak, përtej modestisë?

-E kam të vështirë të flas unë për arritjet e mia në fushën e artit shkëmbor, por  botimi i pikturës së Trenit, në studimet e Valkamonikas, në një buletin të njohur në gjithë Europën, më bëri të njohur që në atë moshë të re, dhe kështu unë hyra në radhën e studiuesve të artit shkëmbor botëror. Dhe revista botërore që botohet në Francë, mbi zbulimet e artit shkëmbor botëror, është vlera më e madhe  e botimit të Pikturës së Trenit dhe në vazhdim të Pikturës së Lepenicës, të pikturave të tjera.

Kështu iu vjen radha dhe zbulimeve tani në Fanin e Mirditës, që të hyjnë në këtë varg, të hyjnë në këtë radhë dhe t’iu shtohen e realizimeve të tjera të artit shkëmbor në Shqipëri. Kështu që provon edhe njëherë që territori i Shqipërisë është një trevë e realizimeve të tilla në rang evropian.

 Tani së fundi, po bëhet edhe një restaurim tek piktura e Lepenicës, tek shkëmbi i Lepenicës, i cili ka pasur mjaft dëmtime dhe ju keni ngritur zërin herë pas here për mbrojtjen e saj. Çfarë do të na thoni për restaurimin e ditëve të fundit, por edhe për studimin që po bëhet aktualisht?

-E përshëndes këtë grupin shqiptaro-spanjoll që punon për restaurimin, ose më mirë për korrigjimin e disa defekteve, gërvishtjeve,  dëmtimeve që i janë bërë pikturës së Lepenicës. Se në këtë rast duket edhe vlera e saj, bëhet edhe opinioni më i ndërgjegjshëm, por bëhet edhe më e njohur kjo pikturë. Injoranca i ka bërë njerëzit që kanë bërë ndërhyrje në këtë pikturë. Restaurimi është një vlerë. Unë them se është edhe një arritje që duhet të shërbejë si shembull edhe për pikturat e piktogramet e tjera, dhe jo vetëm tek kjo pikturë e Lepenicës që është me vlerë europiane dhe më shumë.

Cilat janë disa piktura apo piktograme që janë lënë pas dore dhe cilat janë vlerat e tyre në veçanti?

-Po bën pyetje të vështira...! Sot mungon vëmendja për monumentet. Në përgjithësi mungon nga institucionet. Nuk dua të bëjë përgjegjës personat, por le të themi se edhe institutet janë të ngarkuara nga shteti me këtë punë, por edhe bashkitë, dhe të gjitha institucionet që veprojnë duhet t’i njohin ato, në radhë të parë. Natyrisht edhe ne kemi këtë detyrë që t’i bëjmë më të njohura, por niveli i tyre është në një moment të tillë, që ne duhet t’i bëjmë që të trashëgohen edhe nga brezat e tjerë që do të vijnë. Kjo është një përgjegjësi jo e vogël, sepse sot rrëmbehen njerëzit nga interesat ekonomike, nga ngjarje të tjera, por këto trashëgimi iu takojnë shekujve, nuk i takojnë vetëm brezit tonë. Do të thosha që kjo mund të fillojë që në shkollë. Edukimi të vazhdojë edhe në tekste shkollore, duhet të fillojë, se edukimi ka vlagë dhe falë edukimit çdokush bën punën  e tij që të ruhen këto vlera.

Do të vijoni ndonjë projekt tjetër me studimin e këtyre piktogrameve?

-Shiko. Unë përshëndes brezin e ri që ka nisur të merret me këto studime. Është Rudenc Ruka që po i kushtohet kësaj pune, dhe unë jam shumë i kënaqur që studimi vijon edhe nga brezat e rinj të arkeologjisë. Kështu që Rudenc Ruka tani i është futur kësaj pune dhe unë e përshëndes. Sepse mosha bënë të vetën dhe ai ka mundësi që të shëtis, të njoh të gjitha këto zbulime që i vlejnë kësaj fushe të kërkimit, krahas punës tjetër që ka.

Për periudhën ilire dhe atë që ju e quani periudha protoilire, çfarë mund të theksoni nga tezat tuaja, disa prej atyre që doni t’i bëni edhe të ditura për publikun?

-Tezat themelore që mbeten për ilirët, për lashtësinë e tyre, unë i kam sintetizuar në katërvëllimshin e Historisë së Shqipërisë, që është botimi më i mirë i Akademisë së Shkencave. Dhe mendoj që esenca e këtyre kërkimeve të mia, për autoktoninë ilire dhe lashtësinë e territorit të tyre, është një kontribut që do të mbetet gjatë. Dhe kur flasim për këtë, nuk është se duhet të dimë me hollësi për publikun e gjerë, por esenca është që çdo nxënës që mbaron arsimin 9-vjeçar, të dijë që ilirët janë këtu autoktonë, janë nga popujt më të lashtë të Ballkanit dhe në kuadrin e përgjithshëm. Çështjet e tjera, hollësitë e tjera, raportet e tjera me fqinjët, marrëdhëniet me kulturat; ato vijnë me vazhdimin e studimit, me plotësimin e tyre, por çdo gjimnazist duhet të dijë që: Ilirët janë popujt një nga popujt më të vjetër në Ballkan dhe janë krahas qytetërimeve të helenëve në jug, të romakëve në gadishullin romak. Kështu, në këtë fqinjësi me ta, në këtë dhënie e marrje, ata janë të lashtë dhe vlera e tyre është në këtë kompleks ballkanik.

Kur shohim edhe thesaret e zbulimeve arkeologjike, ne duhet të vetëdijesohemi edhe për një kulturë unike të lashtë apo jo?

-Ju keni të drejtë, në raport me nivelin kulturor ne duhet t’i shohim të gërshetuara këto kultura e këto marrje e dhënie, siç ndodh gjithmonë mes popujve,  Por për sa iu përket zbulimeve tona, ne kemi diçitura të sakta, kur janë helenë, ne themi helenë; kur janë romakë, ne i shkruajmë romakë; dhe kur janë ilirë, janë ilirë, ne i evidentojmë saktë ato.  Ne nuk themi se jemi më të qytetëruar se qytetërimet e tjera, por që jemi pjesë e tyre dhe kemi bashkëvepruar me këto qytetërime. Ne kemi marrë nga këto qytetërime, kemi dhe dhënie nga qytetërimi ilir, ai arbëror, e pastaj shqiptar dhe kemi sërish vlerat tona. Kjo është vlera e zbulimeve. 

Si do të ishte nga ju një thirrje për mbrojtjen e vlerave?

-Çdo herë të kujdesemi me trashëgiminë. Të kujdesemi ta ruajmë, se kemi se çfarë të ruajmë  e çfarë të trashëgojmë, sepse kemi një kulturë dhe një qytetërim të lashtë.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton