Vetëm një ditë pas takimit të kryeministrit Rama me furnizuesit e naftës, çmimi i lëndës djegëse ka arritur në 217 lekë/litër. Rritja e papritur me gati 15 lekë brenda 24 orëve duket se nuk është parashikuar nga institucionet pasi në studion e “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, reagoi i habitur kur mësoi çmimin.

“Edhe për mua ishte surprizë sepse është një task-forcë që po punon mes doganave e tatimeve që monitoron çmimin e naftës që vjen në Shqipëri dhe çmimin që shitet pasi janë aplikuar edhe taksat apo tarifat e tjera, sic është akciza. Njëkohësisht me këtë, është ngritur një mekanizëm që bën të mundur të ketë shkëmbim informacioni në kohë reale sa u ërket çmimeve të shitjes me pakicë. Çmimi maksimal që është raportuar para 2-3 orësh ka qenë 200 lekë/litër”, tha ai duke shtuar se çmimi 214 lekë/litër duhet verifikuar.

Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, shprehu shqetësimin që Shqipëria është i vetmi vend në Europë pa një “paketë sociale funksionale”.

“Jam shumë i shqetësuar që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk e ka filluar reagimin e saj me një paketë sociale. Në krah të kryeministrit dje duhet të ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sepse paketa e parë është e mbrojtjes sociale sepse pasojat do të jenë shumë të rënda dhe s’mundet km pa një studim, të dalë e të deklarojë që ne do të ndihmojmë vetëm pensionistët”, tha Malaj.

Ai shtoi se nuk e kupton falënderimin e kryeministrit ndaj furnizuesve të naftës dhe shprehu kundërshtim për krijimin e kompanisë shtetërore në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe për gjurmimin e hidrokarbureve.

“Unë nuk e di pse kryeministri i vendit duhet të falënderojë grosistët pse at s’e kanë rritur çmimin aq sa mund ta kishin rritur. Në kulmin e krizës, kryeministri e paska mendjen për të krijuar një ndërmarrje në Emiratet e Bashkuara për të kontrolluar gjeokarburantet, praktikë që OECD e FMN nuk e mbështesin sepse bëhet abuzive”, u shpreh Malaj.

Lidhur me debatin e taksave, ai tha se nuk është e nevojshme të hiqen, por të ketë subvencionime për më të prekurit.

“Çmimet rriten shumë më shpejt sesa ulen dhe ka një çorganizim të organizuar në mënyrën sesi po reagon qeveria ndaj një krize që të varfrit i bën shumë më të varfër, klasën e mesme e varfëron, fermerët i çon në pikën e mbijetesës dhe me mosveprimin ndaj krizave, qeveria detyron shqiptarët të braktisin vendin e tyre. Nuk jam që të hiqen taksat, aty kryeministri ka të drejtë. Taksat t’i mbajmë se i paguajnë edhe ata që s’ka nevojë t’i favorizojmë, subvencionimet duhet të jenë të targetuar te grupet ku duhet të shkojnë dhe një problem specifik, taksat nga rritja e çmimeve, të tatohen me tatim të veçantë dhe këto para shkojnë te mbrojtja sociale”, tha ish-ministri duke thënë se vendet e tjera të rajonit tashmë i kanë ndërmarrë veprimet e tyre, por Shqipëria ka mbetur pas.

Për këtë pikë, zv/ministri Musabelliu nuk u shpreh fort i bindur, por tha se situata po monitorohet për të parë masat potenciale të ndërhyrjes.

“Janë reagime të ngjashme me atë që ka bërë Shqipëria, një monitorim i situatës, marzheve të fitimit. Serbia, një vend që rafinon naftë, ka bllokuar eksportet e naftës për një periudhë të përkohshme sa të qetësohet situata e krizës. Kur themi që stuata është në monitorim, nuk po shohim thjesht sa rriten çmimet çdo ditë, po studiohen edhe masa specifike për të ndërhyrë nëse rritja do të jetë e jashtëzakonshme ose me efekt shumë të lartë mbi ekonominë tonë”, tha Musabelliu.

Në fund, ish-ministri Malaj tha se gjendemi “në pasiguri” për kohëzgjatjen e krizës dhe shpreson që mos të përsëritet historia e viteve ’70 që çoi në kolaps financiar.

Nafta ka pësuar rritje me gati 15 lekë brenda 24 orëve. Vetëm një ditë më parë, nafta po tregtohej me 202 lekë për litër, por sot ka arritur deri në 217 lekë/litri. Rritja vjen ndonëse kryeministri Edi Rama e paralajmëroi sektorin e hidrokarbureve që të mos abuzojnë me çmimet ose në të kundërt do rikthehet Bordi i Transparencës, që cakton çmimet tavan. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:17
Një ditë pas paralajmërimit të qeverisë, nafta rritet sërish, arrin deri në 217 lekë/ litër

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi karburantet që të mos abuzojnë me çmimin e naftës ose në të kundërt do të rikthehet Bordi i Transparencës, çmimi i naftës ka pësuar brenda 24 orëve rritje me 15 lekë. Në disa pika karburanti në Tiranë, nafta po tregtohet deri në 217 lekë/litri.

Që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Shqipëri ka pësuar një rritje me 40-45 lekë për litër. Nafta para nisjes së luftës, tregtohej me 173-175 lekë.