Konflikti qëndron tek mosbindja e Mehmetit ndaj jugosllavëve dhe varësia e tepërt deri në bërjen vegël, e Enver Hoxhës ndaj Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës.
Ky fakt, bëhet i ditur nga Spiro në këtë letër që mban datën 15 prill 1944, për Enver Hoxhën, të cilën kemi zgjedhur të botojmë sot.
Por duhet të rikujtojmë edhe letrën e 2 marsit 1944, ku Hoxha e porosiste Nako Spiron të gjejë një zv.komisar për brigadën e III-të që të fitojë simpatinë dhe influencën e partizanëve, pasi e gjitha do ti mbetej Mehmetit (Shehut).
Ky konstatim a shqetësim, i Nako Spiros që përcjell deklaratën e Pelivanit për konfliktin mes Mehmetit dhe Enverit për shkak të jugosllavëve, dhe kujdesi i Hoxhës në letrën e 2 marsit, që simpatia e partizanëve të mos shkojë tek Mehmeti, përforcojnë bindjen e një përplasjeje a rivaliteti mes Hoxhës dhe Shehut që në kohën e luftës.
Përtej këtij fakti, që në të vërtetë është veçse një pjesëz interesante në dokumentin e sotëm, letra 15 prillit e Nako Spiros për Hoxhën është një thesar me fakte e informacione.
Mjaft ngacmues është personazhi i Xha Halilit, që Nako Spiro e përmend dy herë. Xha Halili (babai i Enver Hoxhës) në këtë kohë duket se luftonte fort për të ndihmuar të birin të ngjitet në pozicionin e numrit 1. Nako i shkruan Enverit: “Lajmi sensacjonal qi kalon gojë më gojë këtu âsht formimi i nji qeverije, nga ana e jonë, në Skrapar, me kryetar Enver Hoxhën dhe me pjestar Mehmetin, Sejfullan, Mustafën dhe s’di ke tjetër. xha Halili ka kontribue gjërësisht për përhapjen e kti sensacjoni...”
Pra artikulimi hapur i Hoxhës si kryetar qeverie kishte nisur që në fillim të ’44 dhe kjo nga vetë babai i tij.
Më tej në letrën e tij Nako Spiro shkruan për vrasjet aksidentale sidomos në brigadën e III. “Disa vrasje aksidentale nuk më kan pëlqye: Në Brig. III Raqi Bexho (drejtues i rinis) vritet aksidentalisht nga nji partizan; Zanel Baboçi sekr. pol. i rinis Beratit po ashtu; gjithashtu dhe nja 2 të tjerë më duket”.
Nako lë të kuptojë se është kundër kësaj gjendjeje dhe këshillon të kihet kujdes, ndërsa pak më poshtë zë në gojë Zaho Kokën, njeriun për të cilin u pushkatua e fejuara e tij Ramize Gjebrea. Çfarë ka ndodhur me Zaho Kokën? Nako Spiro artikulon një pyetje që ngërthen brenda saj dyshimin e një ekzekutimi. “Asht hap fjala se Zaho Koka âsht vra ose pushkatu kur shkonte nga nji vend në nji tjetër. asht e vërtetë? Në se po, për ç’far arsye?”, pyet Nako Spiro.
Deri më dje i është mëshuar idesë se Zaho Koka u dërgua në një mision të vështirë dhe vdiq në betejë. Por Nako Spiro nuk përmend betejë. Përkundrazi thekson, ndërsa shkonte nga një vend në një tjetër, dhe përvec foljes “asht vra” përdor edhe foljen “pushkatu”. Pra përforcohet idea që Zaho Koka të jetë pushkatuar nga shokët e luftës, dhe jo më kot Nako Spiro e rendit çështjen Zaho Koka, menjëherë pas “varasjeve aksidentale” në brigadnë e III-të. Në fund Nako i shkruan Hoxhës sërish për çështjen e Interesantit (Ramize Gjebresë), për të cilën siç e cilëson ai barometri shënon kohë të keqe për ditët në vijim, pasi opinioni, nuk e pranon vendimin që i është dhënë.
Letra e plotë...
I dashur Taras.
Morra letrën t’ate me dat 4-4-’44. (e morra më 13). Të kam shkruejt nji letër me datë 17-3-’44. Nuk më tregon a e morre.
1 - Përsa i përket delegatëve të rinis për atje, Shpuza akoma nuk ka ardh. Shpirto nuk mundet me shkue për arsye qi Delegatja e di. Un kam lajmërue qi të vij Hamdiu, e pres. Kta të dy kujtoj mjaftojn, pse kongresi tani mund të ket fillue dhe sa të shkojn këto puna do ket mbarue; por sido qi të jetë, për disa kohë atje, do përfitojn. Kemi dërgue me nji herë kurier në Shkodër e në Kosovë qi të hapin rrugën; presim me sot e me nesër përgjigje.
2 – Për sa i përket qarkores së rinis, opinionin t’em do t’a njofësh nga letra qi po të mbyll për Delegaten.
3 – Për sa i përket konferencës së vendit të rinis antifashiste shkruani ma ne hollsina, sa deleg. do jen nga gjith Shqipnija, sa kohë mund të zgjasi konferenca, dhe disa udhëzime të tjera. Duhet të ket nji referat org., nji politik dhe, simbas skjarimeve të jueja, edhe të tjera, bji fjala, referat i deleg. të rinis komuniste. Referatin org. e mbaj un, referatin politik e mban shoku Shkurti qi ktu (pyet Deleg.) dhe Delegatja refer. mbi rinin komuniste etj.
4 – Letrat për Kosovë, ke Daliu e Beqiri i nisëm. Xha Halilit ja dërgova.
5 – Aty vjen Dyli, Ganiu, Rrema, shok të tjerë qi mund të dërgoj Shulja, dhe të tjerë qi do të dërgohen qi këtu gradualisht. Vjen gjithashtu Selo Resnja. Me shumë probabilitet edhe 2 Srazimirt e Dibrës. Dyli me Ganiun janë shokë të mirë, por asnjeri nuk e njef mirë jetën e çetës. Rrema na duket i mirë, sidomos për çeshtje intendence. Selo Resnja asht nji shok plot vullnet qi merret me rinin – mund të shkoj shumë përpara. Për të tjerë shok ju shkruaj kto dy ditë.
6 – Na thoni dy fjalë ma tepër se ç’bahet andej. Jo vetëm lajme të përgjithshme. Shkruenani pak edhe për jetën e Partis andej. Si i keni punët me misjonin aleat? Londra lajmëroj se ktu ka nji misjon amerikan. Ku asht?
7 – Thohet – nuk kujtoj të jet rren –se Pelivani ka dezertue. Gjithmon simbas pazarit, ky zotni paska deklarue se ka nji konflikt ndërmjet Mehmetit, i cili nuk i bindet jugosllavëve dhe Enver Hoxhës, qi qenka vegël e Milad. dhe Dushanit.
8 – Lajmi sensacjonal qi kalon gojë më gojë këtu âsht formimi i nji qeverije, nga ana e jonë, në Skrapar, me kryetar Enver Hoxhën dhe me pjestar Mehmetin, Sejfullan, Mustafën dhe s’di ke tjetër. xha Halili ka kontribue gjërësisht për përhapjen e kti sensacjoni.
9 – Pamvarsisht nga fjalët e Pazarit, un mendoj, i dashur shok, se duhet pas pak syt hapët në ushtri, se në momentet qi po kalojm, mund të dalin Xhelala të tjerë, të mdhej ose të vegjël. Gjithashtu syt hapët për grupazhin dhe kundra sektarizmit qi, dashka pa dashka, i hap rrugën grupazhit, e le grupazhin të bëj fole mbrenda dhe, tue u hek si ortodoks, të trubulloj ujët dhe të godas elementin besnik. Disa vrasje aksidentale nuk më kan pëlqye: Në Brig. III Raqi Bexho (drejtues i rinis) vritet aksid. nga nji partizan; Zanel Baboçi sekr. pol. i rinis Beratit po ashtu; gjithashtu dhe nja 2 të tjerë më duket. S’asht puna qi të shofim errët ku âsht kjart, por duhet të sigurohemi pak ma mirë.
10 – Asht hap fjala se Zaho Koka âsht vra ose pushkatu kur shkonte nga nji vend në nji tjetër. asht e vërtetë? Në se po, për ç’far arsye? Në çeshtjen e Interesantit barometri këtu shënon kohë të keqe për ditët e ardhëshme. Shpresojm të jenë të shkurta. Opinioni, si po duket, nuk aprovon dënimin. Sikur me pas këndue letrën qi më dërgoshit juve. Do mundohemi t’a minimizojm.
11 – Dulcis in fundo – Më ka gzue pa masë fakti qi jemi të nji mejtimi pik për pik me shokët e Q. për çeshtjen e Interesantit.
Sikur të bajshe lajmërim në gazetë do ju thosha: falenderoj, etj, etj, dhe ja u shpërblefsha në raste gëzimi. Por nuk jam tue shkruejt në gazetë dhe ndryshe s’di si t’ju them – por ju e kuptoni vet.
Shumë të fala
Deti
15-4-44
P.S. Shumë të fala shokve të tjerë – sikur të na thonjin nga dy fjalë në nji cop letër, s’do ishte keq. Së paku firmën.
Shkrimi u publikua sot (07.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)