Personalitete të fushës së artit dhe politikës kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit të njohur Agim Doci

Kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” shprehet se Doçi ishte shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore.

“I trishtuar nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta i poetit të muzikës Agim Doçi!

Një personalitet i apasionuar, një shpirt i pasur dhe një tekstshkrues këngësh brilante, Doçi ishte shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta! Mendimet dhe lutjet për familjen Doçi, të afërmit, miqtë dhe kolegët!

Le të prehet në paqen e merituar”,-shkruan Basha.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, thotë se artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë.

“Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të mijra këngëve, të qindra këngëve për Kosovën, të dhjetra çmimeve të fituara në festivale, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri.

Por artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë.

U prehsh në paqe, Mjeshtër”,- përfundon Nikolla. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra teksteve të këngëve shqiptare, Agim Doçi.

“Fort i trishtuar për ndarjen nga jeta të Agim Doçit, poetit dhe autorit të teksteve të dhjetra këngëve, fitues i shumë çmimeve në festivale.
Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe! Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe të afërmve.
U prehsh në paqe”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale. 

Poeti i njohur Agim Doçi është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT pasi pësoi hemorragji cerebrale.