Pas aksionit në bregdetin e Sarandës kundër ndërtimeve pa leje që përfundoi me shkarkimin nga detyra të kupolës drejtuese të Policisë së qytetit bregdetar dhe shembjes së beach-barit ‘Copacabana’, Prokuroria ka firmosur 12 masa sigurie, në mesin e tyre dhe për pronaren Arjola Dhrami Bajo, e shpallur në kërkim si dhe Xhaferr Bajon.

Masat e sigurisë janë lëshuar për 4 efektivë, 4 zyrtarë të IMT-së Sarandë dhe 4 biznesmenë. Deri më tani në pranga kanë rënë efektivët Irakli Koçiaj e Kastriot Satka si dhe Alqi Papa, pronari i hotel ‘Oasis’. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.

Masë sigurie është lëshuar dhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Eduart Veliu.

Aksioni kundër ndërtimeve pa leje në bregdetin e Sarandës ka nisur me shembjen e ‘Copacabana’. Drejtues të komisariatit të Sarandës dyshohet se kanë lejuar zhvillimin e aktivitetit të këtij biznesi si dhe investimin pa leje, të dyshuar me prejardhje nga grupe kriminale, në këmbim të ryshfeteve. Hetimet zbuluan përfshirjen e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj.

Me akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra që dyshohet se janë kryer edhe në raste të tjera, Gjykata e Sarandës caktoi disa ditë më parë, 30 ditë burg për shefin e komisariatit Gëzim Bashllari dhe inspektorin Robert Çullaj. Për dy inspektorët e tjerë të policisë, Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”.

Beach bari 'Copacabana'

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë