Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore po rehabilitohet dhe zgjerohet, duke mundësuar ngritjen e dy laboratorëve modernë për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së barnave që prodhohen dhe qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet e rindërtimit të Agjencisë së Barnave, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me vlerë 121.4 milionë lekë.
“Ky është një investim shumë i rëndësishëm që kemi ndërmarrë sa i takon garantimit të sigurisë së barnave dhe materialeve mjekësore, ku përveç rehabilitimit të godinës, po investojmë në ngritjen e dy laboratorëve modernë, që do të jenë të çertifikuar për kryerjen e një seri analizash që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e barnave në vend”, tha Manastirliu.
Investimi në institucionin e vetëm kombëtar që ka në qendër të punës së tij kotrollin mbi sigurinë dhe cilësinë e barnave, ruajtjen dhe regjistrimin e tyre, pritet të përfundojë brenda vitit dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të pajiset me aparatura moderne laboratorike.
“Dy laboratorët e rinj që do të pajisen me aparatura bashkëkohore për analizimin e barnave që regjistrohen për herë të parë në vendin tonë si dhe të barnave që janë në qarkullim, do të akreditohen, për të përmbushur standardet europiane të cilësisë”, tha Manastirliu.
Investimi parashikon ngritjen e laboratorit fiziko–kimik dhe atij mikrobiologjik, duke bërë të mundur garancinë e çertifikimit të sigurisë dhe cilësisë së barnave, me analizimin e të gjithë gamës së barnave që tregtohen në vendin tonë dhe me kapacitete analizuese të përmirësuara.
Godina do të përfshijë një sportel të dedikuar me 2 poste ku bizneset do të kryejnë regjistrimin për barnat dhe pajisjet mjekesore. Do të ketë ambiente të posaçme (dhoma frigoriferike) per ruajtjen e mostrave dhe acideve. Si dhe dy laboratorë modernë për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore.
Ky është një investim i rëndësishëm edhe për vetë volumin e punës së Agjencisë, e cila vetëm vitin e kaluar ka lëshuar mbi 53 milion pulla për barnat e prodhuara dhe ato që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë.
Kontrolli mbi cilësinë dhe sigurinë e barnave që tregtohen në vend është në fokus të politikave të Ministrisë së Shëndetësisë. Me përfundimin së shpejti të depos qendrore të barnave në QSUT dhe investimin në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të rritet në një standard të ri kontrolli mbi sigurinë e barnave që qarkullojnë në vendin tonë.