Nëse një gazetar siguron pjesë të një dosjeje penale, drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon që për publikimin e atyre materialeve t'i duhet autorizimi i gjykatës.
Por drafti, sipas avokatit Erlis Çela, nuk jep përgjigje të qarta se mbi çfarë kriteresh do të vendosë gjykata, çfarë ndodh kur autorizimi refuzohet dhe ku mund ta ankimojë media vendimin.
Ndërkohë për kreun e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, vetë pritja për një vendim gjykate mjafton për t'i humbur vlerën lajmit.
Këto ishin dy prej shqetësimeve kryesore të ngritura në "Studio Live" në Report TV, ku ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale u diskutuan këtë herë nga këndvështrimi i lirisë së medias.
Çela tha se Kodi kishte nevojë për ndryshime, por mekanizmi i propozuar për median është lënë i paplotë. Nëse ligji i kërkon gazetarit të marrë autorizim përpara publikimit, sipas tij, duhet të përcaktojë edhe të gjithë procedurën që vjen pas kësaj kërkese.
"Kodi i Procedurës kishte nevojë për ndryshime, por në opinionin tim nuk janë të plota dhe të gjitha të nevojshme ashtu siç janë formuluar. Këtu lindin disa pyetje që do të duhej të ishin parashikuar në propozimin për ndryshimin e Kodit. Nëse media do të kërkojë leje për lajmin, kujt do t'ia kërkojë lejen? Cilat do të ishin kriteret që gjykata duhet të zbatojë në rastin e autorizimit dhe kush është mjeti i ankimit? Nëse gjykata refuzon dhënien e një lajmi, a ka të drejtë media të ankimojë vendimin dhe kujt do t'i drejtohej? Ligji do të duhet të ketë balancë mes parimit të lirisë së medias dhe proporcionalitetit sa i përket sekretit hetimor. Kjo duhej rregulluar mirë me ligj dhe duhej të kishte garanci për të dyja palët", tha Çela.
Kundërshtimi i tij nuk lidhet me faktin që sekreti hetimor duhet mbrojtur. Çështja është, sipas tij, se drafti duhet të përcaktojë se ku mbaron mbrojtja e hetimit dhe ku fillon e drejta e medias për të informuar publikun, si dhe çfarë garancish ka gazetari kur gjykata nuk e autorizon publikimin.
Myzyraj nga ana tjetër e solli problemin te puna e përditshme e gazetarit. 'Lajmi nuk pret procedurat e gjykatës' tha ai duke paralajmëruar se pasoja nuk do të jetë vetëm një procedurë shtesë për redaksitë, por më pak informacion për publikun për çështjet që lidhen me prokuroritë dhe gjykatat.. Për këtë arsye, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka bërë një analizë paraprake të draftit dhe ka angazhuar një ekspert ligjor për ta shqyrtuar nen për nen. Analiza e plotë do t'i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit.
"Ne kemi bërë një analizë paraprake të Kodit të Procedurës Penale dhe kemi angazhuar ekspert ligjor për t'i bërë një analizë tërësore nen për nen, që do ta depozitojmë më pas tek Ministria e Drejtësisë dhe Parlamentit të Shqipërisë. Kufizimet janë shqetësuese, janë shumë flagrante. Me këtë Kod, nëse ne kemi pjesë nga një dosje duhet të kërkojmë leje. Pra është e paprecedentë. Edhe nëse qëllimi është i mirë, thjesht rendja në gjykatë, humbet rëndësinë e lajmit. Lajmi shuhet. Ka edhe pika të tjera shqetësuese. Le të marrim lajmin e sotëm të kontrolleve të SPAK tek banesa e Roni Yeffet. Në rast se miratohet Kodi gazetarët nuk do të mund të jepnin këtë lajm, as të raportojnë kush hyri dhe doli nga SPAK dhe pse është atje. Ne jemi kundër këtij Kodi. Kemi një punë të gjatë para për ta kundërshtuar dhe ftoj çdo gazetar për ta kundërshtuar sepse s'do të kemi më lajme sa i përket sektorit të drejtësisë. Mua më bën çudi që Rama tha që Kodi ka kaluar në filtrin e Këshillit të Europës që lufton më së shumti për lirinë e medias. Unë dyshoj shumë që ata të kenë dhënë OK për këtë draft nëse e kanë lexuar pikë për pikë", tha Myzyraj.
Në diskutim, Çela ngriti edhe një problem tjetër të draftit, këtë herë për koherencën e politikës penale. Ai vuri përballë ndryshimet e fundit në Kodin Penal dhe propozimin aktual për kufizimin e masës "arrest me burg" për vepra të caktuara.
"Kemi një ndryshim në thelbin e politikës penale. Dy muaj më parë ky Parlament votoi ndryshimet në Kodin Penal ku parashikohet që për parkimin dysh të bësh një vit burg, tani ka ndryshime që thonë se nuk ka masë 'arresti me burg' për vepra që dënohen nën 5 vjet me burg. Ku jemi? Tek burg, burg, burg apo s'ka burg fare?", tha Çela.









Komente
Komento