Në janar të vitit të ardhëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë aksionin anti-inormalitet në sektorin e ndërtimit që do të shtrihet përtej pagave.
Fillimisht bizneset e sektorit të ndërtimit në vend do të informohen përmes letrave për 30 ditë për të përmbushur detyrimet e tyre për tu formalizuar.
“Gjatë kësaj periudhe do të dërgojmë njoftime të shumta për t’i informuar dhe edukuar tatimpaguesit, të identifikuar përmes analizës së riskut”, thotë drejtori i Tatimeve Ilir Binaj në një takim me bizneset amerikane.
Nëse bizneset nuk u përgjigjen kërkesave të tatimeve, dhe nuk i korrigjojnë problematikat e konstatuara nga tatimet, ndaj tyre do të nisin kontrollet fizike dhe të detajuara. Kontrollet nuk do të fokusohen vetëm tek deklarimi real i pagave por edhe tek çmimet e shitjes që ata deklarojnë për pasuritë e patundshme dhe jo vetëm.
“Për bizneset që nuk reagojnë, do të nisin kontrollet, të fokusuara më shumë te aktiviteti aktual, si çmimet e shitjes, deklarimet e pagave”, thotë Binaj.
Ky sektor punëson në total 63 mijë persona, numër që është rritur me 20 mijë brenda një dekade, por klasifikohet tek ato fusha të ekonomisë me pagat më të ulta në vend, për shkak edhe të nëndeklarimit të tyre.
Shifrat e INSTAT tregojnë se paga mesatare në ndërtim është 68 mijë e 400 lekë, por në realitet ajo është me e lartë por një pjesë e saj jepet në cash.
Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve ka publikuar listën e pagave për sektorin e ndërtimit, në varësi të çdo profesioni. Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë.
Pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo biznes që nuk e respekton këtë vendim të tatimeve, do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do të jetë subjekt kontrollesh.
Komente








