SHTET I RI, BURRË SHTETI MODERN: HASHIM THAÇI - NJË BIOGRAFI
Autorë: Roger Boyes, Suzy Jagger
Përktheu: Arta Dade
Botues: Fan Noli
Çmimi: 1500 lekë
Kosova ka përshkuar një nga udhëtimet më të vështira drejt shtetformimit dhe demokracisë në Ballkan. Në këtë rrugëtim, një prej figurave më të rëndësishme politike ka qenë Hashim Thaçi. Është pikërisht historia e tij, por edhe historia e Kosovës së viteve të luftës dhe të pasluftës, që sjellin në vëmendje gazetarët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger, përmes librit “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi – Një biografi”, botuar në shqip nga shtëpia botuese “Fan Noli”, me përkthim të Arta Dades.
Ende i ri, pa mbushur të tridhjetat, Thaçi kryesoi delegacionin shqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, në Francë. Në tryezën ndërkombëtare ai hyri si një figurë për të cilën dihej relativisht pak, por pas dy javësh negociata u shfaq si një prej zërave kryesorë të kompromisit.
“Shtëpia botuese ‘Fan Noli’ gjatë këtyre 36 viteve ka botuar mbi 5 mijë tituj librash, vepra të shkrimtarëve të mëdhenj të botës. Por vepra më e rëndësishme dhe me më shumë peshë që ne mendojmë se kemi botuar është ‘Shtet i ri, burrë shteti modern’, një biografi për Hashim Thaçin", shprehet botuesi Rexhep Hida.
Sipas botuesit Rexhep Hida, libri nuk duhet parë vetëm si një biografi personale, por si një rrëfim mbi historinë e Kosovës dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb.
“Këta dy gazetarë të shquar britanikë, pas mbarimit të luftës në Kosovë, morën përsipër të shkruanin një biografi jo thjesht për Hashim Thaçin, por për të gjithë luftën e popullit shqiptar të Kosovës, veçanërisht gjatë viteve 1998-1999", vijon ai.
Libri ndalet te zhvillimet politike dhe ushtarake të asaj periudhe, te përpjekjet diplomatike dhe te roli i figurave të UÇK-së në një prej momenteve më vendimtare të historisë së Kosovës. Një vend të veçantë zë edhe Konferenca e Rambujesë, ku Thaçi u përball me një detyrë të vështirë: të bindte kolegët e tij luftëtarë për kompromis, në një kohë kur në terren dëshmoheshin krime dhe represion ndaj popullsisë shqiptare.
Botimi i librit është prezantuar së fundi edhe në Kosovë, ku më 5 gusht, në Ferizaj, u zhvillua një aktivitet promovues ku morën pjesë rreth 500 qytetarë, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe figura lokale.
“Bëmë një ceremoni të mrekullueshme më 5 gusht të këtij viti në Ferizaj. Ishin rreth 500 pjesëmarrës, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe qytetarë të tjerë. Kjo veprimtari u mirëprit dhe u prit me shumë interes", thotë Hida.
“Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi – Një biografi” vjen në shqip si një përpjekje për të dokumentuar jo vetëm profilin e një politikani, por edhe një kapitull të rëndësishëm të historisë moderne të Kosovës.
‘TURNEU I XHIMI HENDRIKSIT NË LVIV’
Autori: Andrej Kurkov
Përktheu: Bujar Hudhri
Botues: Onufri
Çmimi: 1400 lekë
Në qytetin kozmopolit të Lvivit, në perëndim të Ukrainës, po ndodh diçka e pazakontë. Pulëbardhat sillen rrotull në qiell dhe ajri mban një erë të lehtë kripe, edhe pse deti është larg, shumë larg… Rreth një varri misterioz në Varrezat e Liçakovit mblidhet një grup i çuditshëm njerëzish; mes tyre, një ish-oficer i KGB-së dhe një hipi i moshuar, dikur nën vëzhgimin e tij.
Shpejt, kapiteni Rjabcev dhe Alik Oliseviçi bashkojnë rrugët për të zbuluar burimin e këtyre “anomalive”. Ndërkohë, Tarasi – që e siguron jetesën duke transportuar pacientë me gurë në veshka mbi kalldrëmet e qytetit me makinën e tij të vjetër – i afrohet gjithnjë e më shumë Darkës, e cila punon natën në një zyrë këmbimi valutor, ndonëse është alergjike ndaj parave. Të rinjtë e dashuruar nuk e dinë, por fati i tyre lidhet me dy burra të vetmuar, mbetje të një epoke tjetër, të vendosur të bëjnë gjithçka për të shpëtuar qytetin e tyre.
Në këtë mjedis vendosen ngjarjet e romanit “Turneu i Xhimi Hendriksit në Lviv” të përkthyer së fundmi në shqip e që është prezantuar para lexuesit shqiptar në praninë e vetë autorit, Andrej Kurkov, që për herë të parë vjen në vendin tonë.
“Është hera e parë në jetën time që jam në Shqipëri. Jam shumë i emocionuar. Dje arrita të vizitoj shumë muze, sheshin Skënderbej, Piramidën... tani e kuptoj shumë më mirë historinë e Shqipërisë.
Falë shtëpisë botuese “Onufri”, tani kam dy romane në shqip dhe, sigurisht, për mua kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse përmes këtij libri mund t’ua prezantoj Ukrainën lexuesve shqiptarë, jo vetëm Ukrainën e sotme, por edhe historinë e Ukrainës dhe historinë e ëndrrave për lirinë gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik", shprehet Kurkov.
Përmes një humori të zi karakteristik dhe një ngrohtësie magjike, Kurkov ndërton një portret të ndjerë të Lviv-it sovjetik, një prej qyteteve më të mistershme të botës.
“Ky nuk është një libër i trishtuar dhe as depresiv. Është një libër me shumë humor, me shumë aventura, dhe në fakt është për Jimi Hendrix-in si simbol i lirisë për hipitë ukrainasë. Sepse Lviv-i, qyteti ku zhvillohet historia, ishte një nga qendrat e lëvizjes hipi në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’70-të. E gjithë historia është për Lviv-in, për hipitë dhe për atë që u ndodhi hipive sot, sepse ende ka disa hipi të vjetër, në moshën time, që i njoh personalisht. Në libër ka tre personazhe që janë njerëz realë nga Lviv-i, me emrat e tyre të vërtetë dhe madje edhe me adresat e tyre reale", vijon ai.
Mes personazheve reale e imagjinare, si një ish-oficer KGB-je, një hipi i moshuar, dhe një i ri që transporton pacientë mbi kalldrëme, libri shndërrohet në një simbol të rezistencës kulturore dhe ëndrrës për liri.
“Vëllai im, vëllai i madh, ishte hipi. Emri i tij është Michael Mishak dhe, sigurisht, unë i njihja hipitë që kur isha fëmijë. Prandaj, kam përdorur edhe përshtypjet dhe kujtimet e mia nga e kaluara", tha Kurkov.
Kurkov vëren se shpreson që të ketë më shumë libra të shkrimtarëve të tjerë ukrainas të përkthyer në shqip, sepse ukrainasit duan të dëgjohen, ndërsa mendon se një vend që është larg Ukrainës, si Shqipëria, e ka më të vështirë të ketë akses në informacion të drejtpërdrejtë për Ukrainën.
“Tani është një kohë kur, sigurisht, duhet të flasim për luftërat. Ukrainasit janë një popull për të cilin liria është më e rëndësishme se stabiliteti. Dhe, në fakt, kjo luftë me Rusinë ka të bëjë me lirinë, me lirinë e Ukrainës dhe të ukrainasve. Tani shohim se vendet demokratike kanë shumë probleme për shkak të ndikimit fizik, ushtarak ose politik të vendeve autoritare, si Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia. Prandaj, mendoj se të gjithë ata që duan të jetojnë në një botë të lirë duhet të jenë shumë më vigjilentë dhe duhet të flasin e të mendojnë për demokracinë dhe vlerat demokratike shumë më tepër se më parë. Do të doja që lexuesit dhe intelektualët shqiptarë të lexonin për historinë e Ukrainës, të krahasonin historinë e Ukrainës me historinë e Shqipërisë dhe të zbulonin vetë historinë, kulturën dhe, veçanërisht, letërsinë ukrainase", vijon ai.
“Turneu i Xhimi Hendriksit në Lviv” vjen si një urë lidhëse mes dy popujve që njohin mirë peshën e së kaluarës dhe çmimin e lirisë.
“KORRESPODENTJA”, ROMANI QË ZBULON SEKRETET PËRMES LETRAVE
Autori: Virgina Evans
Përktheu: Elsa Skënderi
Shtëpia botuese: Pegi
Çmimi: 1200 lekë
Pothuajse çdo mëngjes, rreth orës dhjetë e gjysmë, Sibila van Antëerpen ulet dhe shkruan letra. Ajo shkëmben mesazhe me të vëllanë, shoqen e ngushtë, pjesëtarët e klubit të kopshtarisë, e deri te autorët e saj të preferuar. Pikërisht atëherë kur duket sikur jeta e saj ka marrë një rrjedhë të qetë, një letër e papritur e detyron të përballet me të kaluarën. Ky është boshti i romanit “Korrespondentja”, bestseller-i më i ri i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”.
“‘Korrespondentja’ është libri më i ri i sjellë nga shtëpia botuese PEGI. Përveçse është një bestseller ndërkombëtar, është një nga botimet më të diskutuara të muajve të fundit. Bën fjalë për historinë e një gruaje në moshë, e cila tregon të gjithë ekzistencën e saj përmes letrave që u nis familjarëve, njerëzve të afërt, por edhe shkrimtarëve të famshëm. E veçanta e librit është pikërisht rrëfimi përmes letërkëmbimit. Këtu nuk kemi një rrëfimtar klasik apo një zë autori që tregon ngjarjet në mënyrë kronologjike", shprehet Skënderi.
Në qendër të këtij rrëfimi epistolar qëndron një letër e gjatë, e cila nuk dërgohet kurrë. Është pikërisht ky dorëshkrim i fshehur ai që mbart të gjithë konfliktin jetësor të protagonistas dhe që i jep formë fatit të saj, duke zbuluar sekretet e një karriere në drejtësi, një martese të përfunduar dhe të kaluarës së saj si fëmijë i adoptuar.
“Libri ka një përmasë shumë emocionale që lidhet me këtë letër që shkruhet në vijimësi dhe nuk dërgohet asnjëherë. Deri në fund, lexuesi nuk e di se kujt i drejtohet ajo, por aty fshihet i gjithë konflikti që i ka dhënë formë jetës së personazhit. Nga ana tjetër, protagonistja është një fëmijë i adoptuar, ku e vetmja lidhje me prindërit biologjikë është një letër që ata i kanë lënë. Prej saj ajo ka marrë zakonin dhe nevojën për të shkruar, si një mënyrë për t'u lidhur me identitetin e vet", vijon Skënderi.
Autorja e librit, Virginia Evans, vjen për herë të parë para lexuesit shqiptar. Megjithëse ky është romani i saj i parë i botuar, i cili u vlerësua edhe me çmimin prestigjioz “Women’s Prize for Fiction 2026”. Ai ishte i teti me radhë që ajo kishte shkruar, duke shërbyer si një shembull i fuqishëm i këmbënguljes artistike.
“Përveç çmimeve që ka marrë, autorja në të vërtetë e ka këtë debutimin e saj të parë të botuar, por është libri i tetë që ka shkruar. Është një shembull shumë i mirë se si asnjëherë nuk duhet të heqim dorë nga nevoja për t'i shprehur në formë letrare botën tonë të brendshme. Sa i përket titullit, zgjodhëm 'Korrespondentja' për t'i qëndruar sa më pranë origjinalit, ku personazhi kryesor është në thelb një letërshkruese", vijon ajo.
“Korrespondentja” nga Virginia Evans vjen si një ftesë për të zbuluar se si një jete e vogël mund të zgjerohet përmes fuqisë së fjalës së shkruar. Ai na tregon se si një grua ndryshon, edhe kur kjo gjë duket e pamundur dhe ky ndryshim, ashtu si edhe ky roman, rezulton të jetë një arsye për të jetuar.






Komente
Komento