Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë Rrugore në Shijak. Ai u kap teksa drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

“Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës, gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, ndaluan në Shijak, automjetin me drejtues shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili nga testimi me aparatin drogëtestues, rezultoi në efektin e lëndëve narkotike.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi I. M., 36 vjeç, banues në Shijak. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.

Më tej në njoftim blutë theksojnë se gjatë 3 muajve të fundit kanë vendosur në pranga edhe 4 persona të tjerë gjithashtu që drejtonin automjetin në efektin e lëndëve narkotike.

“Policia Rrugore e Durrësit, gjatë 3 muajve të fundit, ka vënë në pranga edhe 4 shtetas të tjerë që drejtonin automjetin në efektin e lëndëve narkotike.

 Policia Rrugore e Durrësit apelon për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë automjetet, gjendje të dehur, në efektin e alkoolit apo të  lëndëve narkotike”, thuhet më tej në njoftim.

____________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë