Tirana është veshur me ngjyrat kuqezi në prag të Festës së Pavarësisë. Flamuj kombëtar janë vendosur në anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombëtar” e kuqezi janë veshur edhe institucionet kryesore në vend.
Për të dytin vit, në kryeqytet do të mbahet parada e Shqiptarëve, një aktivitet që promovon veshjet e tipare tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare.
Parada do të nisë në orën 11:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe do të përfundojë rreth orës 14:00 në sheshin “Skënderbej”. Fillimisht festën do ta hapin shqiptarët e New York dhe do ta mbyllin ato të Tiranës.
Në prag të mbajtjes së kësaj parade, në Pallatin e Brigadave u mbajt ceremonia e mikpritjes së përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqipfolëse, kryetarë komunash e përfaqësues nga shoqatat shqiptare në SHBA.
Mikpritësi në këtë aktivitet, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shqiptarët janë ndarë me kufinjsh shtetesh, por kufijtë e bashkëpunimit mes tyre, janë të padukshëm.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali.
"Ra ky nëntor i 112-të dhe u pamë sërish! Ndoshta kështu do na përshëndeste shqiptari i madh Kadare kur të shihte bashkë në këtë sallë kaq shqiptarë të mirë, të dashur, miq. Asgjë nuk mund t’i bashkojë dhe ti afrojë më tepër shqiptarët sesa nëntori i lavdishëm i Plakut të Vlorës, Ismailit tjetër të madh që na trashëguan etërit.
Asgjë më tepër se flamuri i Arbrit nuk mund t’i bëjë më pranë shqiptarët e Shqipëriësë dhe Kosovës, të Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës dhe të Kalabrisë, të Amerikës dhe Greqisë, Britanisë dhe Australisë, Gjermanisë dhe Italisë, kudo ku shtysa për jetën, instikti i mbijetesës, frymëzimi historik, apo rrethanat, kanë çuar disa prej nesh anembanë botës.
Aty ku kemi vajtur, me gjuhën dhe kujtimin e varreve të gjyshërve, me traditën dhe shpresën për të ardhmen, me sytë në perëndim dhe shpirtin që flet shqip e nuk ndahet nga viset e përjetshme të shqipes së bekuar. Jam thellësisht e prekur. Ndjesë që ndjehem e pafuqishme për të gjetur fjalët e lartësisë që meriton ky rast fatlum. Por për një gjë jam e sigurt: Kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë më e madhe, më e vlerë, më e lirë, më e bashkuar, se sot.
Shqipëria feston këtë 28 nëntor 112 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa sikurse çdo vit, krerët e shtetit, ceremoninë kryesore, atë të ngritjes së Flamurit do ta mbajnë në Vlorë.
Nxënës dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit kanë organizuar aktivitete festive në kuadër të Festave të Nëntorit.
Nëntori i Festave është përcjellë me ngjyrat kuqezi në të gjitha shkollat e vendit, ku janë organizuar ekspozita, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe sportive në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit dhe Ditës së Pavarësisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit këtë prag feste.
Në prag të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga brenda dhe jashtë kufijve.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe pasurisë së traditave që bashkojnë shqiptarët.
"Ky është një moment që përmbledh unitetin tonë kombëtar dhe pasqyron pasurinë e traditave tona. Jam vërtet shumë mirënjohës dhe krenar që unioni i bashkive shqiptare në rajon, është një union që lidh qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor dhe luan një rol kyç të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në realizimin e këtij vizioni Europian të qyteteve bashkësive të komuniteteve shqiptare dhe njëkohësisht Evropiane. Qytetet tona janë pasqyra e historisë tonë e një historie të pasur dhe, përmes këtyre aktiviteteve, ne synojmë që të nxisim një rritje të interesit për ta eksploruar dhe vlerësuar këtë pajë këtë pasuri të veçantë që ne kemi”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi rolin e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, duke e cilësuar si një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve shqipfolëse. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky bashkëpunim shkon përtej kufijve shtetërorë dhe forcon lidhjet kombëtare dhe evropiane.
“Është ky bashkëpunim dhe unitet ai që na bën më të fortë dhe na ndihmon të përballemi me sfidat e përbashkëta. Ndaj dhe në emër të Bashkisë Tiranë dhe të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ju falënderoj për praninë dhe ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar festën e Pavarësisë. Këtë 28 nëntor ne shqiptarët festojmë 112 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, është një nga ato ditë kur zemra na bëhet mal dhe kur shpirti na skuqet kuqezi dhe kur mendja e çdo shqiptari mendon njësoj dhe me zë të lartë thërret “O sa mirë me qenë shqiptar”. E ku ka më bukur se ditën e flamurit ta festojmë të gjithë së bashku këtu në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë kujtoi momente historike nga rruga drejt pavarësisë, duke përmendur intervistat e Ismail Qemalit në prag të shpalljes së saj. Ai riktheu në kujtesë fjalët e Plakut të Vlorës mbi rëndësinë e ndjenjës kombëtare dhe unitetit mbi dallimet fetare dhe politike.
“…për Shqipërinë nuk ka kohë për të humbur, për Tiranën nuk ka kohë për të humbur, për Prishtinën nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët Arbëreshë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Preshevë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Mal të Zi nuk kaq kohë për të humbur është thirrja që na vjen pas 112 viteve sepse është nevoja urgjente për të bërë punë të mira, vepra të mira dhe për të krijuar komunitete të shëndosha në shqiptari kudo ku ne shërbejmë. Dhe prej kësaj kohe që të humbi për 600 vite lind një kohë e re. Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira. A na tremb një vështirësi? A tutemi, a tërhiqemi pas pas çdo sfide, pas çdo minorance të zhurmshme që nuk pëlqen një ndryshim një zhvillim një progres? Tutemi pas apo ndjekim shtegun më të vështirë, ndoshta rraskapitës por që në finale na çon në destinacion?! Falë njerëzve të mëdhenj që marrin në konsideratë vetëm gjëra të mëdha dhe pengesat që shfaqen dhe qëllimeve madhështore dinë tu japin prioritet, i shohin veç si vogëlima këto sfida që nuk meritojnë as të zihen me gojë. Ata që zgjedhin shtegun e vështirë dhe jo zgjedhjet e thjeshta dhe komode janë ata që e çojnë vendin, qytetin, komunitetin përpara”, nënvizoi Veliaj.
Në përfundim, Veliaj bëri thirrje për reflektim mbi të kaluarën dhe punë të përbashkët për të ardhmen:
" Ne sot pavarësisht ku gjendemi, cep e më cep, u festua dita e pavarësisë nga Antony Albanese në Australi e deri tek bashkia e Neë York-ut sot në mëngjes. Po unë besoj se fjala e Ismail beut është përgjigja më e saktë. Ne na bashkon kulti i Atdheut tonë të përbashkët. Gëzuar festën e pavarësisë, gëzuar festën e flamurit dhe rroftë Shqipëria, rrofshin shqiptarët kudo ku janë", deklaroi Veliaj.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj mirpriti sot në Presidencë një grup fëmijësh shqiptaro- amerikanë, të cilët ndodhen në Shqipëri për të festuar Ditën e Pavarësisë.
Grupi, i përbërë nga artistë valltarë, është pjesë e shoqatës “Rrënjët shqiptare”, e drejtuar nga Marko Kepi. Me origjinë nga trevat shqiptare dhe veprimtari në Neë York, nxënësit dhe përfaqësuesit e shoqatës “Rrënjët shqiptare” kanë ruajtur gjuhën amtare dhe traditat e të parëve të tyre.
‘Kreu i Shtetit shprehu dashamirësinë për grupin e artistëve, që me shumë pasion vijojnë të ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat, si dhe i përgëzoi ata për veprimtarinë e tyre. Presidenti Begaj vuri theksin mbi bashkëpunimet dhe mundësitë mbi vizitat në tryezën mike të “Rrënjëve shqiptare” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.
Drejtuesi Marko Kepi i dha Presidentit të Republikës një vlerësim në emër të shoqatës, duke i shprehur falënderimet për premtimin e mbajtur, si dhe për punën që bën për kombin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët.
Atmosfera e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit ka ardhur edhe tek Presidenca.
Godina e Presidencës ka veshur tashmë dekorin e festave, ku në një foto të siguruar nga Report Tv, shihet se ambientet jashtë të presidencës janë veshur me drita plot ngjyra dhe me një dekor të veçantë.