Ishte viti 1937. Mbi supet e një qyteti mijëravjeçar si Berati, koha rridhte më ngadalë. Brenda mureve të kësaj kalaje të lashtë, jeta e përditshme gëlonte nga traditat që përcilleshin brez pas brezi. Në njërën prej këtyre shtëpive karakteristike, ku dritaret shikonin nga lumi Osum, një vajzë e re po thurrte më shumë se thjesht fije peri. Emri i saj ishte Parashqevi Capo.
Në atë kohë, për një vajzë në prag martese, përgatitja e pajës ishte një rit kalimi. Ishte dëshmia e pjekurisë, e durimit dhe e shijes artistike. Por Parashqevia nuk po përgatiste një pajë të zakonshme. Ajo po hidhte mbi pëlhurë një pasion të rrallë, duke mos e menduar kurrë se ky punim artizanal, pas gati një shekulli, do të kthehej në një vepër arti të admiruar nga të gjithë. Ky është fillimi i një shtegtimi 90-vjeçar që lidh Beratin, Fierin, Tiranën dhe Athinën, për t'u prehur më pas në Muzeun e Fierit.
“Disa ditë më parë, dy motra, qytetare të qytetit të Fierit, Anastasia dhe Ariana Papuçiu, i dhuruan Muzeut Historik Fier një vepër arti. Dhe pikërisht këtë objekt që është një qëndismë e nënës së tyre, e vitit 1937. Një objekt që ka vlera, një objekt 90-vjeçar,” tregon historiani Ilirjan Gjika.
“Mamaja kishte shumë të qëndisura që i kishte bërë, por kjo ishte një gjë e veçantë,” e nis tregimin e historisë Anastasia, e bija e madhe e Parashqevi Capos, për qëndismën që udhëton në kohë e hapësirë.
Ajo nuk mbeti e mbyllur në një arkë druri, por dëshmoi stacionet më të rëndësishme të historisë familjare dhe kombëtare: dasma, lëvizje demografike brenda Shqipërisë komuniste dhe dallgën e madhe të emigracionit të viteve '90.
“Do ta quaja 'Shtegtimi i një vepre arti!'” shprehet historiani Gjika.
Por përpara se të nisim udhëtimin e saj nëpër qytete, duhet të ndalemi te një pyetje thelbësore. Pse një vajzë e re në vitin 1937 zgjodhi të qëndiste pikërisht Gjergj Kastriotin? Çfarë e frymëzoi atë në një epokë ku arti i grave ishte kryesisht i kufizuar në motive lulesh dhe gjeometrike?
“Pas pavarësisë, figura e Skënderbeut u vlerësua, iu dha pozicioni i duhur dhe gjeti pasqyrim edhe në artizanat. Sepse ky është një punim artizanal,” tregon historiani.
Kur afrohesh pranë kësaj kornize me përmasa 56 me 46 centimetra, mbetesh pa fjalë. Detajet e punimit dëshmojnë për një mjeshtëri të jashtëzakonshme artizanale të aplikuar në Berat.
“Dhe nuk është e çuditshme në Berat, pasi ka qenë një punishte e artit të aplikuar, e artit tradicional. Jo rastësisht në Berat ruhej edhe epitafi i famshëm i Gllavinicës, që tregonte për një traditë të vjetër të qëndisjes jo vetëm mjeshtërore, siç e ka Berati, por që sot trashëgojmë veshjet e njohura nga pikëpamja etnografike qytetare beratase. Në vitet ’30 edhe këto veshje mbartnin motivet kombëtare, siç i ka edhe kjo vepër, ku kemi dy medalione ku autorja është përpjekur të na sjellë shqiponjën kuq e zi,” shpjegon historiani Gjika.
Çdo pikë e gjilpërës është llogaritur me saktësi matematike për të krijuar dritëhijet e një pikture të vërtetë akademike.
“Skënderbeun e ka paraqitur në një pozicion luftimi mbi kalë, me shpatë në dorë. Shquhet përkrenarja e famshme e njohur me mbishkrimin dhe ornamentet përkatëse. Ka veshur një armaturë ngjyrë bojëqielli, një pelerinë në ngjyrë të purpurt, siç mbanin mbretërit dhe perandorët. Kalin e ka paraqitur në ngjyrë kafe, pajisjet në ngjyrë të artë, ku nuk mungojnë detajet. Ka pasur edhe temina, të cilat kanë humbur me kalimin e kohës,” tregon Ilirjan Gjika.
Kush ishte në të vërtetë kjo vajzë? Pa ndonjë arsimim formal në fushën e arteve pamore, e rritur në një mjedis tradicional, ajo zotëronte një gjenialitet të lindur. Fantazia e saj arriti të kthente fijen e thjeshtë të perit në një mjet shprehës të ndjenjave të saj më të larta.
Viti 1938 do të shënonte një kthesë rrënjësore në jetën e Parashqevi Capos. Martesa e saj e zhvendos qëndismën e Skënderbeut nga muret e gurta të Kalasë së Beratit drejt fushave të Myzeqesë, në qytetin e Fierit. Ajo hyn si nuse në shtëpinë e një prej fiseve më të njohura dhe më me zë të zonës: Papuçinjve. Ky fis nuk ishte thjesht një familje e pasur e kohës, por një familje që la gjurmë të profunda në historinë, sportin dhe kulturën e qytetit të Fierit.
“Sipas të dhënave që trashëgojmë nga një prej biografëve të vjetër të këtij qyteti, Perikli Konomi, ai i përmend për herë të parë në librin e tij 'Historia e qytetit të Fierit' në vitin 1886. Në kohën kur pas rënies së tërmetit që shkatërroi banesat në lagjen Shkozë, familja Papuçiu u zhvendos në lagjen që dikur quhej Belik. Dhe sot janë lagjet '29 Nëntori' dhe '15 Tetori', ku janë ruajtur deri më sot disa prej shtëpive të vjetra të kësaj familjeje,” shprehet Ilirjan Gjika, historian.
Ndikimi i kësaj familjeje ndihet edhe sot në përditshmërinë e qytetit. Stadiumi i Fierit mban pikërisht emrin e një djaloshi nga ky fis: Loni Papuçiu. Ai ishte një futbollist i shquar i viteve '30, një antifashist që dha jetën në lule të rinisë dhe u shpall dëshmor.
“Dhe do të përmend një nga gazetarët e parë sportivë, ish-kryeredaktor i revistës 'Pionieri', e famshme në atë kohë për fëmijët në Shqipëri, siç ka qenë Tuni Papuçiu,” sipas muzeologut Gjika.
Por martesa e Parashqevisë me një djalë të kësaj familjeje dëshmon edhe për një lidhje shumë më të vjetër historike: faktin që Fieri si qytet lindi, u popullua dhe u ushqye kulturalisht nga Berati.
“Lidhja midis Fierit dhe Beratit ka një simbiozë të jashtëzakonshme. Fieri ka lindur pikërisht nga Berati, sepse stacionit të dikurshëm të rrugës Vlorë-Berat, pasi qendra e dikurshme e sanxhakut të Vlorës u zhvendos në vitet 1680 në Berat, i duhej një stacion rrugor fushor për të qëndruar. Dhe kështu lindi Fieri në brigjet e Gjanicës. Më vonë ky qytet pati jetën e vet, por Berati ishte pikënisja e këtij qyteti. Një pjesë e beratasve në periudhën e pavarësisë, në vitet ’20, u vendosën gjerësisht në Fier me banim. Lidhjet martesore të ndërsjella janë një traditë që vazhdon edhe sot me lidhje të forta midis dy qyteteve,” tregon Ilirjan Gjika.
Për një vajzë të rritur mes rregullave të rrepta të Beratit, përshtatja në një familje të madhe tregtare në Fier nuk ishte e lehtë.
“Mamaja ime ishte një grua shumë e mençur dhe pa fjalë. Dhe ishte shumë punëtore, sepse familja jonë ishte shumë e madhe. Kishim tokat e beut që na i kishin falur në përdorim. Ata kishin edhe yzmeqarë që punonin në këto toka dhe mamaja ime duhej të gatuante e t’u shërbente, gjë që e bëri të ndihej jashtëzakonisht e lodhur. Pavarësisht se vinte nga Berati, nuk ishte mësuar fare me ato punë. Nuk e kishte idenë e punëve të bujqësisë. Jeta e saj mori një kthesë rrënjësore pas Beratit. Neve vajzave na thurrte fustane, vëllezërve u qepte pantallona e xhaketa. Gjithçka me dorë, sepse as makinë qepëse nuk kishte,” tregon Anastasia, vajza e madhe e qëndisëses.
Pavarësisht ngarkesës së madhe dhe viteve që kalonin, qëndisma e Skënderbeut qëndronte gjithmonë në vendin më të dukshëm të shtëpisë.
“E kishim në kornizë. Dhe në një dhomë që kishim atje e mbanim të varur. Mirëpo me kalimin e kohës morëm shtëpi tjetër, vëllezërit u martuan njëri pas tjetrit. Një dhomë njëri e një dhomë tjetri, ne flinim në kuzhinë. Që kështu nuk kishte më vend për këtë figurë të bukur që ne ta ekspozonim. Meqë ishte kështu, motra nga Tirana tha: 'Ta marr unë këtë, mama?' Mamaja tha: 'Me gjithë qejf, unë dua të mos prishet kjo',” e vazhdon rrëfimin e saj e bija e Parashqevi Capos.
“Dhe po bëj një statistikë: 1938-1971 në qytetin e Fierit. Në vitin 1971, autorja do t’ia falte të bijës, Arianës, e cila do të martohej në Tiranë. Dhe do ta merrte me vete edhe ajo si pjesë të pajës së saj. Pra, u bë pjesë e pajës së dy brezave,” shprehet historiani Gjika.
Ajo nuk ishte thjesht një zbukurim; ishte pjesa e Beratit që Parashqevia mbante me vete, dëshmitarja e heshtur e rritjes së fëmijëve të saj dhe relikja familjare që shumë shpejt do të përballej me një tjetër stuhi të madhe: vitin e thyerjeve të mëdha, 1991.
Filloi eksodi i madh. Mes qindra mijëra shqiptarëve që paketuan jetën e tyre nëpër thasë e valixhe të vjetra, ishte edhe Ariana, vajza e Parashqevisë, së bashku me bashkëshortin e saj. Ata morën rrugën e vështirë të emigracionit drejt Greqisë, në Athinë. Por mes pak gjërave që mund të merrnin me vete në atë udhëtim të pasigurt, ata zgjodhën të mos linin pas diçka të shenjtë.
“Jo vetëm në Tiranë, por edhe kur shkoi në Greqi, ajo e mbante në mur si një pikturë të çmuar,” tregon e motra, Anastasia.
Për plot 35 vite me radhë, qëndisma e Parashqevisë jetoi në emigracion. Por vitet kalonin dhe dy motrat, Anastasia dhe Ariana, filluan të mendonin për të ardhmen e kësaj pasurie. Kujt do t'i mbetej ajo?
“Madje asaj ia kërkoi edhe vajza e vogël, por unë i thashë që më mirë ta çojmë në ndonjë muze, që të mos humbiste kjo gjë e bukur,” shpjegon Anastasia Papuçiu.
Fillimisht, mendimi i parë shkoi për qytetin e Krujës, kryeqendrën e heroit kombëtar. Megjithatë, zemra dhe historia e familjes rrihte diku tjetër.
“Ime motër ishte interesuar që ta çonte në Krujë. 'Jo në Krujë,' i thashë, 'se nuk na njeh njeri atje'. Kërkova që ta sjellim në Fier dhe na e pranuan menjëherë. Unë u kënaqa shumë, sepse mendova që mamaja ime kështu do të mbahet mend gjithmonë. Dhe të dyja motrat jemi shumë të lumtura për këtë,” shprehet ajo.
Pas më shumë se tre dekadash në mërgim, erdhi koha që Skënderbeu i qëndisur të kthehej në shtëpi.
“Prej disa ditësh u rikthye në qytetin e Fierit, aty ku erdhi për herë të parë nga Berati në vitin 1938, dhe tashmë i përket fondit të Muzeut Historik Fier. Është e hapur për publikun e gjerë dhe për mediat,” shpjegon historiani dhe muzeologu Gjika.
Sot, kjo qëndismë nuk është më thjesht një pajë vajzërie, por një pasuri publike. Muzeu i Fierit merr kështu një xhevahir të dytë të vitit 1937.
“Kjo është vepra e dytë e artit modern që ne tashmë posedojmë, më e vjetra në muzeun tonë. Sepse ne kemi për koincidencë një pikturë të një piktori të njohur të gjysmës së parë të shekullit XX, siç është Vangjel Zenko; një pikturë e vitit 1937 e punuar në material lëkure, 'Moment idilik' titullohet ajo, dhe bëhet fjalë për një piktor që qëndron i ulur duke pikturuar një amforë dhe në këmbë një vajzë e re që e shikon me ëndje. Tema është marrë nga antikiteti. Në të ardhmen ajo kërkon një restaurim, sepse koha ka bërë të vetën,” tregon Ilirjan Gjika.
Për Muzeun Historik të Fierit, ky dhurim ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ai shënoi mbërritjen e një objekti që mbart jo vetëm vlerë artistike, bur edhe një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale dhe historike. Është dëshmia se si muzetë tanë mund të ndriçohen nga vetë shpirti i qytetarëve të tyre.
“Ideja ime është kjo: që muzeologjia të pasurohet jo vetëm nëpërmjet kontributeve të institucioneve, por kontributi kryesor është ai i qytetarëve,” sipas muzeologut Gjika.
Shtegtimi i këtij Skënderbeu të qëndisur plot nëntëdhjetë vite më parë në Kalanë e Beratit, tashmë ka përfunduar. Ky objekt nuk mbylli thjesht një cikël udhëtimi midis qyteteve dhe shteteve nëpër histori, por gjeti atë që familjarët e quajtën me të drejtë 'një prehje shpirtërore'. Vendimi i Anastasisë dhe Arianës është dëshmia më e pastër se historia familjare duhet të kthehet në trashëgimi kombëtare.
“Ne jemi shumë krenarë, sepse atje ajo do të rrinte 'e vdekur'. Asgjë nuk do të kujtohej prej saj,” shprehet Anastasia Papuçiu.
“Si muzeolog, thirrja ime modeste është: dhuroni vepra, artefakte, objekte që i posedoni, të cilat në muze, krahas shënimit 'dhuruar' të kontributit të personit të familjes përkatëse, kanë vlera të jashtëzakonshme, sepse shikohen dhe publikohen për një publik më të gjerë,” është mesazhi i historianit Ilirjan Gjika.
Tashmë, kjo vepër e rrallë nuk i përket më një dhome apo një sirtari të mbyllur; ajo është këtu, e hapur për syrin e çdo shqiptari. Sepse, në fund të fundit, kujtesa e një kombi nuk ruhet duke e fshehur atë, por duke e ndarë me të gjithë.
Komente










