Nga shpifja tek gjobëvënia, debati për median shqiptare po bëhet gjithnjë e më i fortë. Rasti i fundit i gazetarit Elio Laze të arrestuar për gjobvënie ka rihapur një pyetje të madhe: a po e humb media misionin e saj?
Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV , përballë njëri-tjetrit ishin Koloreto Cukali, kreu i Këshillit Kombëtar të Medias, dhe gazetarja Esiona Konomi për të folur hapur për një realitet që, sipas tyre, nuk ka më lidhje me gazetarinë, por me para, presion dhe interesa.
Cukali tha se ndryshe nga sa mendohet në Shqipëri janë rreth 150 media online. Sipas tij, problemi nuk është hapja e tregut, por qëllimi. “Pyetja është: duan të përcjellin të vërtetën apo të bëjnë para nëpërmjet zhvatjes dhe shantazhit?” tha ai. Ai përmendi raste kur portale kërcënojnë biznese me formulën “ose lekët, ose lajmi del”.
Për Cukalin, këto nuk janë çështje etike, por penale.
“Kjo nuk është më gazetari por është pjesë e krimit. Duhet të merret prokuroria, ata që shantazhohen. Ne na vijnë 50-60 ankesa në vit. Një pjesë zgjidhen mirë se janë gabime, por aty ku bëhet me qëllim për zhvatje, nuk ka rregullim që e zgjidh. Ata nuk janë gazetarë por tregtarë të lajmit. Personi vetë duhet të denoncojë, por njerëzit unk denoncojnë se nuk kanë besim tek drejtësia. Të gjithë ankohen për shantazh dhe zhvatje nga të ashtuquajturit gazetarë të cilët janë tregtarë të lajmit. Prokuroritë ose nuk kanë kohë ose nuk duan të merren me këtë fenomen, edhe kur shkon në gjyq gjyqtarët janë të trembur nga presioni. Kjo nuk është gazetari dhe vetërregullimi funksionon vetëm nëse funksionojnë të gjitha hallkat e shtetit” tha ai.
Nga ana tjetër, Esiona Konomi kërkoi ndarje të qartë mes gazetarit dhe atyre që i quajti “të veshur si gazetarë”. “Ose i shërben publikut dhe të vërtetës, ose fabrikon dhe tregton lajme. Nuk mund t’i bësh të dyja”, tha ajo. Sipas saj, ‘vrasësit me pagesë’ nuk janë gazetarë, por njerëz të përdorur nga parti politike, interesa ekonomike apo edhe kriminale për të deformuar të vërtetën.
"Duhet të ndajmë qartë gazetarin nga çdo grupim interesi, nga portali nga gjobvënësi. Nuk mund të jesh edhe njëri edhe tjetri. Pra ose je gazetar dhe i shërben publikut dhe së të vërtetës, ose nuk je dhe fabrikon apo tregëton lajme, ose suportohesh nga partitë politike apo interesa ekonomikë. Gazetari nuk është ‘vrasës me pagesë’ dhe nuk vë as gjoba e as amplifikon interesa. Ata që e bëjnë këtë janë të veshur si gazetar, janë të përdorur nga parti politike, nga pronarë mediash apo interesa kriminale për të deformuar të vërtetën. Për mua nuk është problem që ka kaq portale mediatike” tha ajo.
Konomi propozoi krijimin e një databaze shtetërore ku të bëhet transparente se kush qëndron pas çdo portali, në mënyrë që qytetarët të dinë ku të drejtohen kur dëmtohen. Ajo paralajmëroi se ideja që shteti të japë leje për hapjen e portaleve është e rrezikshme për demokracinë dhe fjalën e lirë.
“Llogjika që të na japë shteti leje për të hapur një portal, është llogjikë e rrezikshme dhe nuk e ndihmon demokracinë dhe fjalën e lirë. Ne kemi një problem të madh për të bërë një mekanizëm vetë rregullues të qëndrueshëm. Unë jam e shqetësuar për këdo që e çuan veten gazetar dhe merr lekë për të shkruar apo hequr një lajm. Por unë nuk e pres zgjedhjen nga qeveria sepse qeveria do të mbrojë interesin e vet. Nuk ka sot përfitues më të mëdhenj të këtyre ‘vrasësve me pagesë’ se sa partitë politike’ tha ajo duke bërë thirrje edhe për një edukim mediatik më të mirë të publikut.
Debati u ndal edhe tek financimi. Cukali foli për një problem të madh informaliteti. Sipas tij, jo vetëm partitë, por edhe politikanë apo persona të botës së krimit financojnë portale për vetëmbrojtje ose për sulm.
“U duhet për vetëmbrojtje dhe kundër sulm, pra financohen nga persona fizikë. Ky fenomen do të zgjidhej më lehtë nëse nuk do të kishte informalitet. Kemi ikur nga media kemi shkuar tek biznesi. Nga i vijnë paratë këtyre portaleve? Thelbi i çdo problemi, edhe i shpifjes është paraja” tha Cukali.
Ai shtoi se publiku mban gjithashtu përgjegjësi: nëse nuk është i gatshëm të paguajë për informacion cilësor, dikush tjetër do ta financojë atë – dhe zakonisht jo për interesa publike.
“Nëse nuk janë gati të paguash, paguan krimineli. Është një qerthull ekonomik pra thelbi i problemeve të medias është ekonomia. A ka nevojë Shqipëria edhe një ligj për konfliktin e interesit? “tha ai duke thënë se duhet hequr mundësia e bërjes së parave në forma të pandershme.
Në fund, mesazhi i Cukalit dhe Konomit ishte i qartë: kriza e medias nuk është vetëm profesionale. Është ekonomike, politike dhe penale. Dhe pa transparencë, hetim serioz dhe edukim mediatik të publikut, rrethi vicioz vazhdon.
Komente











