Nicolas Maduro u paraqit sot para gjykatës "Daniel Patrick Moynihan", gjykatë federale në Manhattan, ku u njoh me akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga gjyqtari Alvin Hellerstein. Kur gjyqtari i gjykatës së Manhattan-it i kërkoi të konfirmonte identitetin e tij, Maduro u përgjigj në spanjisht, duke e quajtur veten "President i Republikës së Venezuelës" dhe duke shtuar se ishte "rrëmbyer". 'Jam i pafajshëm, nuk jam fajtor', shtoi ai, duke u deklaruar i pafajshëm për akuzat kundër tij.
Edhe Cilia Flores, bashkëshortja e Maduro-s, konfirmoi identitetin e saj në gjykatë dhe deklaroi: “Jam Zonja e Parë e Venezuelës”. Kështu raportojnë mediat amerikane. “Jam plotësisht e pafajshme”, shtoi ajo.
Avokati i Maduros, Barry Pollack, tha para togave të zeza se Maduro dhe gruaja e tij kanë probleme mjekësore dhe se mund të kenë pësuar fraktura si pasojë e operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë.
Gjykatësi Alvin Hellerstein, i Gjykatës së Lower Manhattan-it, ka caktuar për datën 17 mars seancën e radhës gjyqësore, ku i pandehur është presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizata e Kombeve të Bashkuara për Venezuelën, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara, Mike Waltz, deklaroi se SHBA nuk është në luftë me Venezuelën dhe as me popullin e saj.
“Siç ka theksuar Sekretari Rubio, nuk ka asnjë luftë kundër Venezuelës apo popullit të saj. Ne nuk po pushtojmë Venezuelën, bëhet fjalë për një operacion policor. Në zbatim të akuzave legjitime që janë në fuqi prej dekadash, Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar një narkotrafikant që tani do të gjykohet në SHBA, në respekt të shtetit të së drejtës, për krimet e kryera kundër popullit tonë gjatë 15 viteve të fundit,” u shpreh Waltz në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit.
Nicolas Maduro dhe gruaja e tij u nisën nga qendra Metropolitane e Dënimit në Brooklyn, një institucion që njihet për incidentet e dhunshme dhe i quajtur ndryshe edhe si Alkatrazi i Nju Jorkut. Ata u transportuan rreth orës 8 të mëngjesit me orën e Nju Jorkut drejt godinës së Gjykatës. Maduro u transportua me helikopter, nën masa të rrepta sigurie teska forca të shumta sigurie e shoqëruan të armatosur, drejt gjykatës federale të Manahatanit.
Gjykatësi Hellerstein ndjek dosjen e Maduros për më shumë se një dekadë ndërsa prej 15 vitesh ndaj tij janë ngritur akuza dhe Maduro është konsideruar i pandehur prej 6 vitesh për “komplot narko-terrorizmi, importim kokaine, zotërim armësh dhe pajisjesh shkatërruese dhe konspiracion për të zotëruar armë dhe pajisje shkatërruese kundër SHBA-ve.”

Delcy Rodríguez do të bëjë sot betimin para Asamblesë Kombëtare: në këtë mënyrë ajo do të jetë presidente e përkohshme e Venezuelës. “Duke marrë parasysh mandatin e Gjykatës së Lartë dhe në përputhje me parimet kushtetuese, presidentja e përkohshme do të bëjë betimin”, deklaroi kryetari i Asamblesë.

Foto e postuar nga Donald Trump me diçiturën 'Kjo është hemisfera jonë'
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh të fortë politik, duke theksuar rolin dominues të Shteteve të Bashkuara në hemisferën perëndimore.
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara publikoi mbrëmjen e sotme një fotografi të presidentit Donald Trump, e shoqëruar me mbishkrimin “THIS IS OUR HEMISPHERE” (“Kjo është hemisfera jonë”).
Në postimin përkatës, DASH shkruan: “Kjo është hemisfera jonë dhe Presidenti Trump nuk do të lejojë që siguria jonë të kërcënohet”, duke nënvizuar qasjen e administratës amerikane ndaj çështjeve të sigurisë dhe ndikimit gjeopolitik në rajon.
Mesazhi vjen në një moment tensioni të shtuar ndërkombëtar dhe shihet si një sinjal i qartë politik mbi qëndrimin e Washingtonit për çështjet e sovranitetit, sigurisë dhe ndikimit të fuqive të huaja në hemisferën perëndimore.

“Jam një i burgosur lufte.” Kështu deklaroi Nicolas Maduro në spanjisht, teksa largohej nga salla e gjykatës, ku kishte këmbët e lidhura me zinxhir dhe mbante një këmishë blu me mëngë të shkurtra mbi një kostum të portokalltë të të burgosurit. Kështu raportojnë mediat amerikane.
Ndërkohë që brenda gjykatës federale të Manhatanit, Nicolas Maduro u deklarua i pafajshëm, jashtë gjykatës u mblodhën turma të mëdha njerëzish.
Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.
Protestuesit u panë duke valëvitur flamuj venezuelianë dhe duke brohoritur slogane si: “Kush jemi ne? Venezuela! Çfarë duam? Liri!”. Disa mbanin pankarta me mbishkrimin “Liri për të burgosurit tanë politikë në Venezuelë”, ndërsa të tjerë shfaqnin banderola ku shkruhej “Liri për Presidentin Maduro”. Në protestë u vu re edhe një pankartë me mbishkrimin “Trump për Mbret”.
Sipas prokurorisë amerikane, Maduro akuzohet se ka udhëhequr “banda kriminale të sponsorizuara nga shteti” dhe ka korruptuar institucione shtetërore për të lehtësuar importimin e sasive të mëdha të kokainës në Shtetet e Bashkuara. Akuzat përfshijnë gjithashtu çështje që lidhen me armë dhe bashkëpunim kriminal ndërkombëtar.
Paraqitja e sotme në gjykatë konsiderohet një moment kyç në një proces që pritet të jetë i gjatë dhe me ndikim të madh politik e diplomatik, ndërsa zhvillimet në Nju Jork po ndiqen me vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar.
.jpg)
Pamje nga jashtë gjykatës në Manhatan ku u mbajt seanca e parë ndaj Nicolas Maduros
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, u paraqit për herë të parë para Gjykatës Federale të Manhattanit, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat penale që rëndojnë ndaj tij, ndërsa jashtë gjykatës ishin mbledhur turma protestuesish me qëndrime të kundërta.
“Jam i pafajshëm, nuk deklarohem fajtor”, i tha Maduro gjyqtarit federal Alvin K. Hellerstein, sipas CNN.
Kur gjykatësi i kërkoi të konfirmonte emrin e tij, Maduro tha se ishte presidenti i Venezuelës dhe pretendoi se ishte kapur në shtëpinë e tij.
"Jam një njeri i nderuar, president i vendit tim,' tha ai
Edhe bashkëshortja e tij Cilia Flores ndoqi shembullin e Maduros.
“Jam e pafajshme, komplet e pafajshme. Jam Zonja e Parë e Venezuelës”, Flores i tha gjykatësit.
Të dy ishin të veshur me kostumet e burgut dhe të prangosur në këmbë.
Seanca që zgjati shumë pak shënoi nisjen formale të procesit penal ndaj ish-udhëheqësit venezuelian, i cili u soll në Shtetet e Bashkuara pas një operacioni amerikan dhe tani ndodhet nën juridiksionin e drejtësisë federale.
Në këtë seancë, Maduro nuk kërkoi lirim me kusht, por avokati i tij nuk përjashton mundësinë që kjo kërkesë të bëhet në një moment tjetër.
Seanca e rradhës do të mbahet me 17 Mars.

Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij duke u transferuar drejt Gjykatës
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, pritet të dalë sot për herë të parë para një gjykate federale në Nju Jork, pas arrestimit të tij në një operacion amerikan, shkruan CNN.
Sipas analistit të lartë ligjor të CNN, Elie Honig, seanca pritet të ndjekë disa hapa procedurale standarde.
Fillimisht, prokuroria do të lexojë zyrtarisht akuzat, duke e informuar Maduron për veprat penale për të cilat akuzohet. Në këtë fazë, ai do të ketë mundësinë të deklarohet fajtor ose i pafajshëm.
Më pas, gjykatësi do të verifikojë që Maduron i është caktuar një avokat mbrojtës, duke siguruar që të drejtat e tij procedurale janë respektuar.
Një tjetër çështje që pritet të shqyrtohet është lirimi me kusht. Megjithatë, sipas vlerësimeve ligjore, ka pak gjasa që gjykata të miratojë një masë të tillë, për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe profilit të të pandehurit.
Në fund të seancës, gjykatësi pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm të procesit, përfshirë afatet kohore për paraqitjen e mocioneve nga palët dhe, nëse është e mundur, një datë paraprake për nisjen e gjykimit.
Seanca e sotme konsiderohet një hap kyç në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe pritet të ketë pasoja të rëndësishme ligjore dhe politike.

Nicolas Maduro dhe Barry Pollack
Presidenti venezuelian Nicolas Maduro, i marrë i pandehur nga SHBA nën akuzën për narko-terrorizëm do të përfaqësohet në seancën e parë gjyqësore nga një emër i njohur i avokatisë amerikane.
Bëhet fjalë për juristin amerikan Barry Pollack, i njohur për përfaqësimin afatgjatë të themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.
Barry Pollack, një avokat penalist me reputacion të lartë në Shtetet e Bashkuara, ka depozituar zyrtarisht njoftimin e përfaqësimit ligjor në dosjen e çështjes për trafik droge në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, përpara seancës gjyqësore të parashikuar për orën 18:00.
Ndërkohë gruaja e Maduros, Celia Flores, do të mbrohet nga një avokat i caktuar kryesisht. Mark Donnelly, është një avokat nga Hjustoni i specializuar në krimet e jakave të bardha dhe ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë.
Çështja penale ndaj Nicolas Maduro-s në Shtetet e Bashkuara përbën një nga përplasjet më të forta ligjore dhe diplomatike mes Ëashingtonit dhe Karakasit, ndërsa autoritetet amerikane e akuzojnë presidentin venezuelian për përfshirje në rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar se operacioni në Venezuelë përbën akt lufte apo pushtim, duke e cilësuar atë si një veprim policor për zbatimin e akuzave penale ndaj presidentit Nicolas Maduro.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizata e Kombeve të Bashkuara për Venezuelën, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara, Mike Waltz, deklaroi se SHBA nuk është në luftë me Venezuelën dhe as me popullin e saj.
“Siç ka theksuar Sekretari Rubio, nuk ka asnjë luftë kundër Venezuelës apo popullit të saj. Ne nuk po pushtojmë Venezuelën, bëhet fjalë për një operacion policor. Në zbatim të akuzave legjitime që janë në fuqi prej dekadash, Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar një narkotrafikant që tani do të gjykohet në SHBA, në respekt të shtetit të së drejtës, për krimet e kryera kundër popullit tonë gjatë 15 viteve të fundit,” u shpreh Waltz në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit.
Waltz e krahasoi operacionin me ndërhyrjen amerikane të vitit 1989 kundër ish-diktatorit panamez Manuel Noriega, duke kujtuar se ai u arrestua, u akuzua, u dënua nga një gjykatë amerikane dhe vuajti dënimin në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Panama.
Deklarata vjen mes reagimeve të forta ndërkombëtare ndaj arrestimit të presidentit venezuelian dhe debatit të ndezur në Këshillin e Sigurimit mbi ndikimin e këtij veprimi në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të Donald Trump, duke i cilësuar ato shpifje dhe duke pretenduar prej tij ndaljen e sulmeve personale.

Në një postim të gjatë në rrjetin social X, Petro i është drejtuar Trump dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke u kërkuar atyre të ndalojnë, sipas tij, shpifjet ndaj figurës së tij publike.
“Nuk jam një president i paligjshëm dhe as një narkotrafikant. Emri im nuk figuron në asnjë çështje të trafikut të drogës,” shkroi Petro.
Kreu i shtetit kolumbian ka kujtuar gjithashtu arritjet e tij në luftën kundër drogës duke pretenduar se në cilësinë e komandantit suprem të forcave të armatosura, ka urdhëruar atë që e cilësoi si sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë botërore.
Në reagimin e tij, Petro ka deklaruar se ka besim të plotë te populli kolumbian dhe se për këtë arsye ka kërkuar nga qytetarët të mbrojnë institucionin e presidentit nga çdo akt, sipas tij, i paligjshëm apo i dhunshëm kundër tij. Petro tha se ndonëse është betuar se nuk do të prekte më armë me dorë, do të ishte gati të armatosej për hir të atdheut.
Akuzat e Trump ndaj Petros përfshijnë pretendimin se presidenti kolumbian ka “fabrika dhe impiante të kokainës”, një deklaratë për të cilën Petro nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por që e ka cilësuar si të pavërtetë dhe fyese.
Përplasja verbale vjen në një klimë të tensionuar politike në rajon dhe pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë që kanë rritur përplasjet diplomatike mes vendeve të Amerikës Latine dhe Shteteve të Bashkuara.

Foto nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Këshilli i Sigurimit i Organizata e Kombeve të Bashkuara po zhvillon një mbledhje urgjente për të diskutuar operacionin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nicolas Maduro, një zhvillim që ka shkaktuar reagime të forta në rajon dhe më gjerë.
Mbledhja po mbahet nën agjendën “Kërcënime ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” dhe është thirrur me kërkesë të Kolumbisë, e mbështetur nga Kina dhe Rusia.
Në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, deklaratën zyrtare e mbajti nënsekretarja e përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo. Në deklaratë, Guterres e cilëson operacionin si një precedent të rrezikshëm, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë në rendin ndërkombëtar dhe stabilitetin global.
“Jam thellësisht i shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të paqëndrueshmërisë në vend, ndikimin e mundshëm në rajon dhe precedentin e rrezikshëm që mund të krijohet për mënyrën se si zhvillohen marrëdhëniet mes shteteve,” thuhet në deklaratën e Guterres.
Sipas OKB-së, zhvillimet e fundit rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet në Amerikën Latine dhe të minojnë parimet e sovranitetit shtetëror dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit pritet të vijojë me diskutime mes anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim pasojat politike dhe diplomatike të arrestimit të presidentit venezuelian.
Operacioni i SHBA-së në Venezuelë dhe ndalimi i Nicolas Maduro-s konsiderohen ndër zhvillimet më serioze gjeopolitike të kohëve të fundit, duke rihapur debatin mbi ndërhyrjet ndërkombëtare, balancat e fuqive të mëdha dhe rolin e OKB-së në garantimin e paqes dhe sigurisë globale.
Gjatë mbledhjes së saj të parë të kabinetit, Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, njoftoi masa urgjente për të adresuar krizën në vendin e saj, duke përfshirë krijimin e një komisioni të nivelit të lartë për të siguruar lirimin e Nicolas Maduro dhe gruas së tij Cilia Flores, të cilët u kapën nga SHBA-të dhe tani përballen me akuza të rënda në gjykatat amerikane.
Sipas transmetuesit shtetëror VTV, komisioni do të përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, Ministri i Jashtëm Yvan Gil, Ministri i Komunikimit Freddy Ñáñez dhe Zëvendësministrja për Komunikimet Ndërkombëtare, Camilla Fabri.
Kërkesat për lirimin e Maduro-s dhe Flores kanë qenë në qendër të debatit zyrtar që nga ndryshimi i detyruar i udhëheqjes pas veprimit ushtarak amerikan. Ñáñez theksoi se kërkesa për lirimin e tyre ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë "një britmë në rrugët e Evropës, Amerikës, Azisë dhe madje edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara". Ai gjithashtu theksoi se, gjatë takimit të fundit të CELAC, shumica dërrmuese e kombeve dënuan shkeljen e imunitetit diplomatik të zyrtarëve.
"Nuk mund të lejojmë që një ngjarje kaq katastrofike të krijojë precedent, sepse do të ishte destabilizuese jo vetëm për rajonin, por për të gjithë botën", theksoi ministri.
Ish-Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur në Gjykatën e Manhattanit në New York, pasi u morën më herët nga qendra e paraburgimit.
Mediat e huaja raportojnë se pasi zbritën nga helikopteri në Manhattan, Maduro dhe gruaja e tij iu drejtuan gjykatës me një automjet të blinduar.
Maduro dhe gruaja e tij u kapën 2 ditë më parë nga ‘Delta Force’ e SHBA-së, gjatë një operacioni të mirëorganizuar me urdhër të Presidentit Donald Trump.
Ish-Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u arrestua pak ditë më parë nga SHBA-të në një aksion ushtarak në Karakas, po shkon drejt Gjykatës Federale të Manhattanit në New York, për t’u njohur me akuzat që rëndojnë mbi të.
Sipas mediave të huaja, një eskortë automjetesh janë nisur për të marrë Maduron nga qendra e paraburgimit dhe për ta dërguar në Gjykatë.
Sipas Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, Maduro përballet me akuza për:
1. Konspiracion narko-terrorizmi
2. Komplot për importimin e kokainës
3. Posedimi i mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese
4. Komplot për të poseduar mitralozë dhe pajisje shkatërruese kundër SHBA-së

Foto: Nicolas Maduro
Irani u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara lirimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
“Presidenti i një vendi dhe gruaja e tij janë rrëmbyer. Nuk ka asnjë arsye për të qenë krenar, ky është një akt i paligjshëm”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghai. “Siç ka theksuar populli venezuelian, presidenti i saj duhet të lirohet”, shtoi ai në një konferencë shtypi në Teheran.
Irani tha se raportet me Caracas do të mbeten të paprekura pavarësisht arrestimit të Maduro.
Marrëdhëniet tona me të gjitha vendet, përfshirë Venezuelën, bazohen në respekt të përbashkët dhe do të mbeten të tilla. Jemi në kontakt me autoritetet venezueliane.










