Pajisja me aftësi gjurmuese për çimka e përgjues, e cila pesë ditë më parë iu sekuestruar izraelitit 51-vjeçar Yoram Frig, i nënshtrohet ekzaminimit.
 
Burime për Report Tv nga akuza bënë me dije se sot ka nisur ekspertimi i pajisjes nga ekspert të teknologjisë së informacionit ndaj të cilëve nga prokuroria janë lënë 5 detyra.
 
Ndër to, Prokuroria kërkon ekspertët të përcaktojnë në mënyrë zyrtare dhe ligjore nëse “Omni Spectral Correlator 500” ka aftësi përgjuese, ka kryer apo jo përgjime dhe në cfarë hapësire gjeografike të Shqipërisë është përdorur nëse ka lokalizues satelitor.
 
Ekspertimi është marrë përsipër nga një kompani për të cilën burimet sqaruan se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të thonë nëse është shqiptare apo e huaj.
 
Yoram Frig me vendim gjykate do të qëndroj në Shqipëri deri në përfundim të ekspertimit të pajisjes së tij për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria, ndërsa një ditë më parë edhe gjykata refuzoi t’i ç’bllokojë pasaportën Frig. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)