TIRANE - Në ditën e 19-të, protesta e banorëve të "Astirit" pas përplasjes së dhunshme përpara Kuvendit, u zhvendos te "Unaza e Re" ku sërish bllokuan rrugën. Protesta nisi me konfrontime mes banorëve dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët kërkuan lirimin e rrugës.

Në krye të protestuesve ndodhet kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy deputetët Ervin Salianji dhe Klevis Balliu. Bllokimi i rrugës solli kaos e trafik edhe sot përgjatë segmentit të "Unazës së Madhe" në "Astir". Edhe deputeti Klevis Balliu është konfrontuar me Forcat Speciale, teksa është fiksuar në disa momente duke shtyrë policët. Uniformat blu, të ndihmuar edhe nga FNSH, kërkuan largimin e banorëve nga rruga e bllokuar te "Astiri", por hasën në rezistencën e banorëve.

Në prononcimin për mediat, kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh se përgjegjës për dhunën përpara Parlamentit dhe për plagosjen e efektivëve të policisë dhe protestuesve, është kryeministri Edi Rama. Sipas tij, do jetë Rama ai që do mbajë përgjegjësi për këtë situatë. 

Më herët, banorët e "Unazës së Re" protestuan përpara Kuvendit, teksa paralelisht zhvillohej seanca. Protesta degjeneroi në akte dhune, ndërsa mbetën të lënduar 16 punonjës policie, mes të cilëve edhe një efektive e "Shqiponjave", Ina Muka, 24 vjeç, e cila humbi dy gishta nga shpërthimi i një kapsolle që u hodh në drejtim të saj dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Dhuna ndaj policëve/ Basha iu prin protestuesve te Unaza e Re

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfaqur sot në krye të protestuesve te Unaza e Re. 

Ora 17:22
Dhuna ndaj policëve/ Basha iu prin protestuesve: Efektivët, të patrajnuar, kapën kapsollat me dorë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfaqur sot në krye të protestuesve te Unaza e Re. Pak minuta pasi protestuesit u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Basha foli për gazetarët dhe tha se faji për dhunën e përdorur në protestë është i qeverisë, që sipas tij, nxorri në protestë policë të patrajnuar, të cilët prekën kapsollat me duar. I gjendur në krye të protestës, Basha tha se Rama do ta paguajë rëndë atë çka po ndodh me këtë protestues, që sipas tij u dhunuan nga policia. Sipas lideri të PD-së, Rama nuk njeh "vijat e kuqe", por vetëm "vijat e bardha".

Ai do paguajë për gishtat e polices. Ai do paguajë për vjedhjen 40 mln euro. Po përdor sot për vjedhjen dy faktorë, policinë dhe propagandën. Po vendos policinë dhe popullin përballë. Si qytetarët dhe policët. Ai s’njeh vija të kuqe, ai njeh vetëm vija të bardha që i heq me hundë. Do paguajë shtrenjtë për dhunimin e qytetarëve. Shpreh urimet e mia për një shërim sa më të shpejtë. I çoi të patrajnuar policët të kapnin kapsollat me dorë. Kush i goditi qytetarët, kush e goditi 60-vjeçaren? Dhunën e filloi Rama në Kuvend. E pe çfarë emrash u tha këtyre, e patë si i trajtoi? Ai është hajdut që përdor sharje raciste ndaj popullit të tij.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 17:20
Nis protesta te 'Unaza e Re', banorët përplasen me FNSH