Nis sezoni i 6 i ‘Metrofest’, artisti Rafael Hoxhaj rrëfen pa zë ‘Zhurmën e Kohës’! Luajti për 9 vjet në teatrin e rrugës, aty ku zë fill historia

Një klloun dhe një i moshuar. Është i njëjti personazh në tri kohë, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Rafael Hoxhaj, e sjell pa zë historinë e tij në edicionin e gjashtë të “Metrofest”.

“A do të kishim fjalë pa pasur trup, diafragmën, artikulimin?! Unë e dua , fjalën, teatrin e fjalës, por fjala e hequr në teatër është një mënyrë për të gërmuar më tej brenda gjendjes shpirtërore”, shprehet aktori.

Lëvizja, pantonima, elementët e klounit, rrëfejnë përjetimet e personazhit të tij, nga sot në “Metropol”, përmes “Zhurmës së kohës” i asistuar në ndërtimin e pjesës e vënien në skenë të saj nga regjisori i ri Bujar Hoxhaj. Dramat, humbjet njerëzore, e ato momentume lumturie, tregon se i ka të rrëfyera, përgjatë 9 viteve, ndërsa performonte shfaqje lëvizëse, në sheshet e Italisë.

“Zhurma e kohës ka lindur shumë kohë më përpara gjatë kohës që unë jetoja e punoja në Itali dhe bëja ‘street art’, ‘street performer’. Gjatë këtij rrugëtimi unë gjithmonë kisha kohën, kisha vetminë, kisha historitë e njerëzve të pastrehë, histori të njerëzve artista të rrugës, që kishin braktisur vendin për të ardhur aty. Lufta me njerëzit, lufta me publikun, lufta me kohën, dhe me veten, për të realizuar qëllimet tona”, rrëfen Rafael Hoxhaj, autor, regjisor dhe aktor në shfaqje.

 

Aktorin përtej skenës, ai e rrëfen si “Mimo”. Portreti i Hoxhës shndërrohet kështu në një hartë, ku publiku përshkon përditshmërinë e tij përmes mimikës e lëvizjes së trupit…

"Nga jeta e përditshme është deri kur personazhi shndërrohet në një kloun, sepse unë vetë jam aktor dhe të gjitha këto janë edhe pjesë të brendshme të miat. Është pjesa e vetmisë, pjesa e kohës, historisë sime, të shkuarës sime që nuk është e futur 100 për qind, por kam gërmuar tek vetja. Sepse në fund të fundit e gjitha kjo shfaqje është studim i situatave të përditshme, i karaktereve njerëzore"

Me nota komiciteti e melankolie, ai interpreton pa ngurruar betejat, përballjen me vetminë, që e bën ta shikojë të ardhmen të zymtë, e të shkuarën, një rrugë ngushëllimi, por edhe trishtimi në mungesë fizike të bashkëudhëtarëve të personazhit... Por,  përtej personazhit, për Rafaelen, cila është frika më e madhe si aktor?


"Frika ime më e madhe, nëse unë do ta merrja në kohë të gjatë, do ishte plakja. Sepse si aktor, me plakjen edhe kujtesa cënohet, trupi nuk të përgjigjet njësoj, nëse do të bësh teatër fizike. Kështu që është një lloj frike që ti jeton gradualisht. Ndërsa po ta lidh me kohën e tashme, para publikut është gjithmonë frika që ti a je në lartësinë e duhur", shprehet aktori. 

 

Pasi ka spikatur në disa shfaqje si “5 ditë mbret”, “The box” e “Mephisto” etj., “Zhurma e kohës” e sjell Hoxhën në rol të trefishtë, si autor, regjisor e aktor, duke i dhuruar publikut, magjinë e teatrit pa zë, por me mesazhe të fuqishme.

G.MO/A.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Projektligji për Ballkanin Perëndimor sërish para senatit amerikan, kërkohet angazhim i shtuar i Shteteve të Bashkuara

Projektligji për Ballkanin Perëndimor sërish para senatit amerikan, kërkohet angazhim i shtuar i Shteteve të Bashkuara