Nishani në Kalabri, vlerëson kontributin e diasporës në arritjet e vendit

/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmbylli vizitën në qendrat me popullsi arbëreshe në Kalabri, me takimet në Komunën e San Cosmo Albanese, ku ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore e qendrore të zonës së Kalabrisë. Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi rolin e diasporës
Në fjalën e tij ndër të tjera, presidenti Nishani ripërsëriti respektin e mirënjohjen e madhe ndaj gjithë gjeneratave të arbëreshëve në Itali që kanë mbajtur gjallë identitetin e tyre, gjuhën e kulturën e pasur, duke u shndërruar në 500 vjet në një simbol të fortë të rezistencës dhe mbrojtjes së trashëgimisë së tyre.
"Populli Italian, tha Kreu i Shtetit, meriton falënderim e mirënjohje të veçantë për mikpritjen e tij në momente të vështira ndaj kombit shqiptar", tha ai.
Nishani vlerësoi përpjekjet e arbëreshëve në përpunimin e gjuhës shqipe, ku një nderim i madh, tha ai, i takon De Radës, Zef Skiroit, Jul Varibobës, Giuseppe Serembes, etj, të cilët e lëvruan me devotshmëri shqipen në veprat e tyre, e folën në ritet fetare në kishat e bukura bizantine, por e përdorën me dashuri të zjarrtë edhe në të folurën e përditshme.Presidenti në fjalën e tij theksoi më tej se sot në kapërcyell të vitit të 103-të të shpalljes së pavarësisë saj, Shqipëria është një vend i pavarur, anëtar me të drejta të plota i Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake në botë, të NATO-s, duke aspiruar për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
"Shqipëria në këtë shekull të XXI-të gëzon një autoritet gjithnjë e më të lartë ndërkombëtar, me një rol kyç si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në gjirin e koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Këto arritje pozitive të mëmëdheut tonë nuk mund të ndahen dhe të përfytyrohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të Diasporës e të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave dhe angazhimit tuaj vital, të dashur bashkëkombas", iu drejtua Nishani të pranishmëve në takim.
Vizita e Presidentit vijoi në Vaccarizo me një ndalesë në muzeun mjaft të pasur etnografik të qytezës, një shprehje e gjallë e identitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të ruajtur me zell e pasion. Rrugët e vogla të qytezës ishin të mbushura me banorë që patën rastin të përshëndesin nga afër Presidentin e Republikës. 0692735770Atmosfera festive ishte e pranishme edhe në San Giorgio Albanese ku përpara selisë së komunës me qindra banorë, që valëvisnin flamuj shqiptarë, prisni mbërritjen e Kreut të Shtetit. Një vizitë në mjediset e komunës dhe pinakotekën e saj shërbeu për të shpërndarë edhe njëherë mesazhin kuptimplotë të rëndësisë së mbrojtjes së kulturës e traditave të hershme arbëreshe.
Presidenti i Republikës vijoi vizitën me një ndalesë në Kolegjin e Shën Adrianit, një nga qendrat kryesore të studimit e edukimit ndër shekuj në komunitetin arbëresh, vendin ku Jeronim De Rada e Luigj Gurakuqi kanë studiuar. Kompleksi i Kolegjit së bashku me kishën e hershme të ruajtur mjaft mirë përbën një shenjë të qartë të vullnetit të arbëreshëve për të mbrojtur gjurmët e të kaluarës së tyre.
Gjatë kësaj vizite Kreu i Shtetit në takimin e zhvilluar në Komunën e Shën Mitrit vlerësoi në një ceremoni të veçantë filozofin, poetin e iluministin Jeronim De Rada (pas vdekjes) me "Dekoratën e Flamurit Kombëtar" si dhe kantautorin Giuseppe Cacozza me Titullin "Naim Frashëri".
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e konsideroi këtë vizitë një moment të veçantë në jetën e tij duke u ndier krenar për gjeneratat e arbëreshëve të Kalabrisë dhe duke u bërë homazh atyre për mbajtjen gjallë të identitetit kulturor.
Në Kishën ku është varrosur poeti De Rada, në Macchia Albanese ishte ndalesa e radhës e Presidentit të Republikës, i cili vendosi një buqetë me lule te varri i shkrimtarit De Rada dhe u përul me nderim përpara varrit dhe kujtimit të tij. Dita e dytë e vizitës së Kreut të Shtetit në Kalabri u përmbyll në muzeun etnografik të Santa Sofia D'Epiro dhe kishën e tij ku shprehu urimet më të mira dhe falënderimet për mikpritjen e ngrohtë e vëllazërore.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet