Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur do të asistojë autoritetet shqiptare për të gjetur personat zhdukur nga regjimi komunist në Shqipëri. Marrëveshja e depozituar për miratim në Kuvend synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri midis datave 29 nëntor 1944 dhe 2 korrik 1991. Pakti parashikon rregulla të detajuara për bashkëpunimin mes Komisionit Ndërkombëtar dhe autoriteteve përgjegjëse shqiptare për identifikimin, gjetjen e personave të zhdukur, si dhe për koordinimin e punës me organet kompetente. ICMP është organizata e vetme në botë, që merret me personat e zhdukur. Ajo po punon në të gjithë kontinentet, ku ka persona të zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura si në Siri, Irak, Libi, etj. Në Ballkan ICMP ka zbuluar mbi 70 për qind e personave të zhdukur nga konfliktet në ish-Jugosllavi, falë metodave shkencore dhe provave me ADN.

Zyra në Tiranë  
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP-ja) do të krijojë një zyrë shërbimi në Tiranë me ekspertë, për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Përfaqësuesit ICMP, sipas marrëveshjes, do të përdorin metoda tekniko-shkencore të zbulimit e të identifikimit të të zhdukurve, ndërsa do të shkëmbejnë  informacion me organet kompetente shqiptare, në kuadër të koordinimit të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e aktivitetit administrativ. ICMP-ja do të jetë vetë përgjegjëse financiarisht për ambientet në Tiranë, pajisjet dhe orenditë për përmbushjen efektive të funksioneve të saj. Si fillim palët do të konsultohen me njëra-tjetrën në lidhje me problematikat që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje.

Ekspertët
Sipas marrëveshjes që pritet të miratohet nga Parlamenti, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur mund të punësojë ekspertë të huaj, por edhe ata me shtetësi shqiptare. ICMP-ja merr përsipër trajnimin e ekspertëve, ku mund të organizojnë trajnime të përbashkëta, nëse është e nevojshme. Gjithashtu, në përputhje me legjislacionin e tyre, autoritetet kompetente të palëve mund të shkëmbejnë ekspertizë nëpërmjet zyrës, lidhur me çështjet e parashtruara në këtë marrëveshje, me qëllim thjeshtësimin dhe harmonizimin e procedurave e të praktikave për identifikimin e personave të zhdukur. “ICMP-ja do të gëzojë imunitetet dhe privilegjet e garantuara për të gjitha misionet diplomatike të akredituara në Shqipëri, në përputhje me Konventën e Vjenës. Përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë marrëveshje dhe në dokumentet e rregulloret e ICMP-së dhe të personelit, të shpallura në lidhje me kushtet e punësimit të zyrtarëve, në ambiente do të zbatohen ligjet dhe rregulloret e Shqipërisë”, parashikon marrëveshja.

Shkëmbimi i informacioneve dhe hyrja në fuqi
Sipas marrëveshjes, shkëmbimi i përbashkët i të dhënave personale ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës dhe atë ndërkombëtar. Shkëmbimi dhe mbrojtja e informacionit të klasifikuar do të kryhet në përputhje me legjislacionin kombëtar e atë ndërkombëtar. “Kjo marrëveshje hyn në fuqi kur Këshilli i Ministrave të njoftojë ICMP-në se janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe ku Krijimi i kësaj zyre nuk do të sjellë mbivendosje me organet e zbatimit të ligjit, pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve, nëpërmjet evidentimit, gjetjes së personave të zhdukur, shkëmbimit të informacionit, duke përcaktuar mirë detyrat e zyrës, të pavarura nga detyrat e organeve të administratës publike”, parashikon marrëveshja.

Nuk ka bilanc për viktimat
Njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit, akoma nuk ekziston një burim zyrtar i plotë informimi i aksesueshëm për të gjithë, mbi viktimat e këtij regjimi. Në vitin 1993-1995, nga Komiteti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë dhe filialet e tij nëpër rrethe, u arrit të bëhej një regjistrim i individëve të persekutuar në formën e sondazheve personale dhe dokumentacionit mbështetës nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe Ministria e Drejtësisë. Dhe mbi këto të dhëna u bë përcaktimi i statusit të persekutuarve sipas kategorive, që do të shërbente më vonë edhe si bazë dokumentuese, për shpërblimin e tyre financiar. Por, ky regjistër është i paplotë, sepse është ndërtuar në bazë të kërkesave të interesuarve, jo në bazë të një studimi shterues mbi baza shkencore. Nga kërkimet e deritanishme të ISKK, numri i të dënuarve të të gjitha kategorive, është shumë herë më i madh se shifra aktuale zyrtare. Nga ana tjetër, statistikat e deritanishme, përveçse të paplota, janë të paaksesueshme nga publiku.