Demokratët sot përkujtojnë fitoren e zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, ku Partia Demokratike erdhi në pushtet si forca e parë politike opozitare që u themelua në Dhjetor të 1990-ës, në kulmin e lëvizjes studentore për liri dhe demokraci. Për demokratët, 22 Marsi, konsiderohet si dita e parë e lirisë dhe e përmbysjes së diktaturës komuniste në vend.

Në këtë ditë të rëndësishme për demokratët, Lulzim Basha, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë një ditë më parë, shkruan se 30 vite më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhme dhe fituan lirinë, duke përmbysur diktaturën komuniste. Në dekadën e tretë të kësaj fitorje, Lulzim Basha thotë se demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.

‘30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane. Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.  Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t'u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit. Gëzuar ditën e parë të demokracisë!’- shkruan Basha.

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, pas 9 vitesh si drejtues i kësaj partie. Vendimi i Bashës për dorëheqjen vjen pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku jo vetëm nuk fitoi asnjëra nga 6 bashkitë, por u rendit edhe forcë e tretë.