Për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako është marrë masa e 'arrest me burg' nga GJKKO, i vënë në akuzë për aferën në inceneratorin e Fierit. Menjëherë pas këtij vendimi policia i ka shkuar në banesë ish-deputetit, bashkë me agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit por siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga report Tv është larguar nga pallati pa Bllakon. Vendndodhja e deputetit është ende mister pasi askush prej palëve nuk jep një version të saktë. 

Mediat kanë raportuar gjate ditës për arrestimin e deputetit përmes burimeve dhe dërgimin e tij në Drejtorinë e Policisë Tiranë, por askush zyrtarisht nuk ka reaguar, as për ta mohuar e as për ta pohuar këtë fakt.  Ajo që dihet është se policia i shkoi në banesë dhe se Bllako nuk ndodhet as në drejtorinë e Policisë së Tiranës. Avokati Sokol Hazizaj, i kontaktuar nga report Tv thotë se nuk është njoftuar për arrestimin dhe se ai ka një prokurë për përfaqësimin e Bllakos. Telefoni i Bllakos prej ditësh del i fikur.  Në mungesë të informacionit nga autoritetet, nuk dihet nëse ish deputeti të jetë arratisur para se policia të ekzekutojë masën e gjykatës.

Me vendimin e sotëm GJKKO pranoi kërkesën e SPAK, një ditë pasi ai dorëzoi mandatin e deputetit. Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. 

SPAK ka nënnvizuar se nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer  në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Përfitimi i parregullt dyshohet se mund të jetë marrë përmes rrogës së babait të tij në një nga kompanitë e inceneratorit. Në 16 muaj, ai është paguar 14.964.900 lekë nga Inceneratori i Tiranës. Këto të ardhura janë përfituar në tre mujorin e fundit të vitit 2018, në vitin 2019 dhe në janar të vitit 2020. Por se si e ka përfituar shumën SPAK nuk e saktëson në njoftimin e tij. 

Në një reagim të shkurtër për ngjarjen 2 ditë më parë, Bllako mohoi akuzat, teksa u shpreh se do të sqaroj të vërtetën para drejtësisë.

Dy ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie 'arrest me burg' dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
Ku ndodhet Alqi Bllako? Postimi i dyshimtë i avokatit të tij që i bëri të gjithë të mendojë se është arratisur

Policia prej orësh nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet Alqi Bllako, për të cilin ka një mandat arresti për aferën e inceneratorëve. Teksa kjo ngjarje është e mbuluar me mister, akoma edhe më të paqartë e bën situatën avokati i tij, Sokol Hazizaj që ka publikuar një foto nga avioni ku shkruan "Ciao, përqafime". A është ky një mesazh për një arratisje të mundshme të klientit të tij, Alqi Bllako apo një foto e publikuar pa asnjë mesazh të fshehtë? Kjo mbetet për t'u parë...  

 

Ora 17:43
VIDEO/ Gjykata ka vendosur ‘arrest me burg’, në banesën e Alqi Bllakos BKH dhe policia e shtetit

 

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, ndërkohë që nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket se në banesën e tij kanë shkuar forca të policisë si dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimet.

Ora 15:02
Inceneratori i Fierit, GJKKO konfirmon masat e sigurisë për 5  nga 9 të akuzuarit

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për të akuzuarit për inceneratorin e Fierit, dhe arrest shtëpie për një tjetër.

Gjykata zhvilloi sot seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj personave që akuzohen për abuzime në lidhje me inceneratorin e Fierit, ku konfirmoi masën arrest me burg për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri dhe Florjan Muçaj, ndërsa në arrest shtëpie Sabina Cenameri.

SPAK lëshoi 9 urdhër arrestet për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit, ku 7 ishin masa sigurie 'arrest me burg' dhe 2 në “arrest shtëpie”. Klodian zoto ëhstë ende në arati, ndërsa pritet të jepet masa edhe për 3 të tjerët Erjon Murataj, Arenc Myrtezani dhe Etleva Kondi

(Kliko këtu për të lexuar vendimin)

Ora 12:56
GJKKO lejoi arrestimin e tij nga SPAK, arrestohet në banesë Alqi Bllako

Pas dorëheqjes një ditë më parë nga mandati i deputetit dhe pas miratimit të sotëm të GJKKO se SPAK ta arrestoje, Alqi Bllako është arrestuar në banesën e tij. Ai do të dërgohet në Drejtorin e Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij Sokol Hazizaj