Një ftesë (e re) amerikane

Një ftesë (e re) amerikane
Nisma e publikuar dje nga ambasadori i SHBA në Shqipëri për një shoqëri më aktive civile e qytetare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përbën një risi dhe një zhvillim me rëndësi për Shqipërinë. Kjo, jo vetëm sepse nisma, nxitja dhe mbështetja vjen nga SHBA, shteti me peshën më të
madhe në vendimmarrjen politike ku bën pjesë edhe Shqipëria.

 Kjo, jo vetëm se kemi të bëjmë me një ftesë për qytetarët në një shoqëri ku përballë tyre janë e mbeten gjithnjë qeveritarët. Vlera mbetet e veçantë sepse vjen si një ftesë publike, në një vend anëtar në NATO dhe në një shoqëri ish komuniste, - të drobitur, të lodhur dhe të zhgënjyer nga e kaluara në diktaturë dhe nga eksperimentimet dhe keqqeverisja në tranzicionin drejt demokracisë. Më 1991 sekretari Bejker na siguroi se "liria sjell fryte" se "liria punon dhe ju jeni të lirë të mendoni", por pas 20 vjetësh mesazhi tjetër amerikan është ndryshe: se vetëm liria dhe mendimi i lirë nuk mjaftojnë, se duhet veprim, kurajë dhe vendosmëri. Pra, ftesa vjen me alarmin se demokracia formale është e pamjaftueshme. Ajo kërkon edhe përmbajtje, vlera, garanci kushtetuese dhe virtyte morale.

Ambasadori i mbetet besnik parimeve që mbron e promovon vendi i tij: qytetarë aktivë që mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, kërkojnë barazi ligjore dhe gjinore, që mbrojnë ambientin dhe reagojnë ndaj padrejtësive sociale. Ai bashkohet me qytetarët kur flet për KQZ dhe refuzimin e tij absurd kundër demokracisë direkte, siç bashkon zërin e protestës ndaj masakrës urbane, abuzimit me pronat, dhe formave të tjera korruptuese dhe antikomunitare. Ai pranon mundësinë e hezitimit të shoqërisë apo të keqkuptimit të apelit, por këshillon se kjo është e mbetet e vetmja rrugë në dobi të shoqërisë dhe aspiratave të Shqipërisë. Dhe ka të drejtë, plotësisht të drejtë.

Çfarë ka mbetur në këtë vend pa u marrë peng nga politika? Pronat? I morën. Sovranitetin dhe votën qytetare? I morën. Privilegjet në emër të shtetit, flamurit, integrimit? I morën. Monopolin mbi vendimet politike, kontrollin mbi medien, nismat ligjore deri edhe tek ndryshimi (përshtatje me shijet e tyre) i historisë? I morën. ATA, pra paria politike, e cila me rotacion vjen në pushtet në emër të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vazhdimisht i kthen qytetarët në shërbëtorë të tyre, na diktojnë çfarë gjuhe të flasim, çfarë shkolle të ndjekim, çfarë vendi pune të kërkojmë, ku të bëjmë pushimet apo të udhëtojmë, çfarë biznesi të bëjmë dhe deri edhe çfarë peme apo fryti të mbjellim në kopshtet apo tokat private. ATA na morën festat zyrtare, festat fetare, ceremonitë e dasmës dhe të vdekjes, dhe pasi na morën edhe TVSH na nisin gjoba çdo muaj, pa të drejtë ankese, pa të drejtë kritike apo refuzimi.

Ata na morën edhe të drejtën e votës politike: ata zgjedhin presidentin, ata hartojnë listat dhe imponojnë parlamentin, ata zgjedhin këshilltarët, gjyqtarët, prokurorët, policët, rektorët, mësuesit, mjekët dhe gjithçka tjetër, duke u lënë qytetarëve pushtetin e vetëm të votës për kryetarët e bashkive e komunave, më kushtin që votat, edhe në këtë rast, tua numërojnë e administrojnë militantët e deleguar partiakë. Atëherë çfarë u ka mbetur qytetarëve në këtë vend?

Natyrisht që ka mbetur diçka që nuk merret dot nga politika: shpresa se ky vend ka qytetarë të lirë, njerëz që në vend të duartrokitjes militante për një vend pune apo post zyrtar kanë kurajën të refuzojnë këtë model politik parademokratik, grupe qytetare që nuk pajtohen me idenë se jemi të dënuar të zgjedhim midis të keqes më të vogël dhe se ne meritojmë këtë model oriental qeverisjeje, politike dhe drejtimi. Këta qytetarë janë shumicë, sepse me 55-60% refuzojnë ofertat partiake zgjedhore.

Kjo shumicë ka nevojë të flasë, të dëgjohet, dhe përmes mekanizmave kushtetues universalë (protestës, peticionit, nismës për referendum popullor apo votës selektive politike) të sjellë ndryshimin e madh për veten, për familjen dhe për shoqërinë. Kush pret se një ditë, paria jonë politike do të ndërgjegjësohet dhe do të thotë: mjaft më, po largohemi për tua lënë vendin brezave më të rinj dhe më të aftë, - nuk bën asgjë tjetër veçse beson në iluzionin e 70 viteve më parë kur dikush ende kishte shpresë tek modeli dhe mentaliteti brutal komunist që mori peng Shqipërinë. Forca për të kuptuar kur është koha e duhur, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, si dhe cili është interesi madhor afatgjatë, - përbën dallimin kryesor midis një shoqërie që mbijeton por nuk jeton, një shoqërie parademokratike dhe asaj demokratike.

SHBA edhe njëherë e kaloi sjelljen pragmatiste me politikanët tanë sundimtarë, dhe tregoi se ndodhet në anën e shumicës qytetare. Mesazhi meriton të kuptohet dhe jo vetëm të lexohet. Koha kërkon ndryshim, ndryshim rrënjësor, ndryshim cilësor, ndryshim standardesh dhe mentaliteti, ndryshim kulture dhe norme sjelljeje, ndryshim të raporteve midis politikës, institucioneve dhe qytetarëve. Dhe ndryshimi, sic ambasadori perifrazoi Presidentin Obama, është i mundur, vetëm duhet guxuar, duhen akte konkrete, duhet vendosmëri dhe integritet, - cilësi të cilat fatmirësisht (ende) nuk kanë arritur të na i marrin tërësisht asnjë qeveri apo sundimtar i radhës.
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar