Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, duket se do të jetë 'kurbani' i radhës i Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se Xhoxhaj ka bërë deklarime të pavërteta dhe nuk justifikon burimin e të ardhurave të saj për apartamente e truall në Tiranë dhe Durrës, si dhe nuk justifikon shumën prej 4.4 milionë lekë.

Në nisje të seancës, KPK ka lexuar raportin e ILDKPKI, ku thuhet se Xhoxhaj ka pasuri të justifikuar. Në përgjigjen e ILDKP rezulton se gjyqtarja e Kushtetueses ka pasuri të ligjshme dhe nuk e ka fshehur atë. Por, pavarësisht kësaj, trupa gjykuese, e cila përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja dhe Genta Tafa, njofton se ka kryer hetim më të thelluar lidhur me pasurinë e gjyqtares, prej ku ka rezultuar se ajo ka bërë deklarime të pavërteta, ndërsa vendimi final do të jepet më 25 prill.

“Xhoxhaj ka apartament banimi 101 m2 në rrugën ‘Reshi Petrela’, blerë 61 mijë e 50 euro. Ka truall me sipërfaqe 221.9 m2, blerë në vitin 2013 në Gjirin e Lalzit, si dhe apartament 2+1 plus verandë po në Gjirin e Lalzit.

Xhoxhaj ka disa llogari kursimi së bashku me bashkëjetuesin. Asaj i është kërkuar shpjegim për këtë pasuri. Gjyqtarja nuk i ka sjellë disa dokumente në kohë. Xhoxhaj sot ka barrën e provës për të provuar burimin e pasurisë për apartamentin me sipërfaqe 101 m2. Ajo ka bërë deklarime të pavërteta.

Janë afër 4.4 milionë lekë për të cilat nuk ka justifikim në dokumentacion. Kemi informacione konfidenciale. Apartamentin 2+1 në Gjirin e Lalzit ka rezultuar se nuk e ka blerë me para të ligjshme dhe nuk justifikohet. Në truallin me sipërfaqe 221.9 m2 Xhoxhaj ka përfituar 100 m2 më tepër nga çfarë i takonte.

Kemi verifikuar edhe TIM-s për këtë gjyqtare, burimin e pagave dhe rezulton se Xhoxhaj nuk i justifikon të ardhurat. Edhe bashkëjetuesi i gjyqtares mban para cash tej kufirit të lejuar me ligj. Në vitet 2003-2004 Xhoxhaj ka bërë deklarime të pasakta. Xhoxhaj ka arsyetuar vendime me vonesë edhe pse nuk ka pasur ngarkesë në punë, ka vonuar gjykime. Shtetasi B. C. ka sjellë denoncim për gjyqtaren për vendimin e vitit 2016, ku Xhoxhaj ka qenë anëtare"

Raporti i KPK

Sa i takon kontrollit të figurës, KPK ka deklaruar se gjyqtarja ka njohuri ligjore dhe formim profesional, ndërsa nga informacionet e marra nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar ka rezultuar se Xhoxhaj nuk ka kontakte me botën e krimit. Nga ana e saj, gjyqtarja Xhoxhaj ka deklaruar para KPK se është e pastër dhe duhet të rikonfirmohet në detyrë. Ajo është treguar e ashpër me relatorët e KPK, teksa ju ka thënë se nuk e njohin ligjin.

“Më rikonfirmoni në detyrë. Pasuria ime është e justifikuar. Diferencat e KPK janë llogaritje apriori, nuk e njohin ligjin. Bashkëjetuesi ka deklaruar çdo gjë. Ju KPK më keni ngarkuar barrë prove për vitet 1992-2000”

Altina Xhoxhaj, gjyqtare e Kushtetueses


Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj sot pas seancës në KPK

Ndërkohë edhe avokatja e gjyqtares, Entela Shejkala, ka deklaruar se Xhoxhaj nuk ka fshehur pasurinë dhe kërkon të vazhdojë detyrën.

“Altina Xhoxhaj ka pritshmëri të kualifikohet për të vazhduar detyrën. Xhoxhaj ka qenë bashkëpunuese me ju. Ajo kërkon të vazhdojë detyrën, pasurinë e ka të justifikuar, ka aftësi profesionale. Pasuria e gjyqtares është vlerësuar nga ILDKP, kjo provohet në raport. Xhoxhaj nuk ka fshehur pasurinë. Udhëtimet jashtë vendit, ajo i ka bërë si anëtare e KLD dhe si pedagoge e magjistraturës. Bashkëjetuesi dhe fëmijët e saj janë vendosur në Amerikë dhe kjo ka qenë arsyeja e disa vizitave”

Entela Shejkala, avokatja e gjyqtares



Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, sot para Komisionit të Vettingut

Gjyqtarja Xhoxhaj është anëtarja e tretë e Gjykatës Kushtetuese që shqyrtohet nga KPK-ja, pas gjyqtarit Fatos Lulo, i cili u shkarkua pasi nuk justifikonte dot pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, si dhe gjyqtarja Vitore Tusha, që rezultoi e pastër. Gjithashtu, në ‘rrjetën’ e Vettingut kanë rënë dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, dhe prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës, Besa Nikëhasani.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
KPK 'djeg' gjyqtaren Xhoxhaj, Ballanca: Person korrekt, verifikimi të jetë i drejtë

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka ndjekur nga afër seancën dëgjimore në KPK ndaj gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj. Balanca deklaroi se e ka njohur Xhoxhajn si një ndër gjyqtaret më korrekte, duke kërkuar që verifikimet të jenë të drejta dhe të sakta.

Balanca ishte për herë të parë e pranishme vetë në një seancë dëgjimore, ku KPK arriti në konkluzionin se gjyqtarja Xhoxhaj nuk justifikon pasurinë e saj.

“E kam njohur Xhoxhaj si një ndër gjyqtaret më korrekte. Verifikimet duhet të jenë të drejta, të sakta. Gjyqtarët kanë të drejtat e tyre dhe ato duhen respektuar. Nuk isha këtu si shoqe e Xhoxhajt, por erdha ta dëgjoj në mbrojtjen e saj, pasi e njoh si një person korrekt”

Erinda Ballanca, Avokatja e Popullit