Njëzet shkrimtarët që krijuan traditën e letërsisë për fëmijë

Njëzet shkrimtarët që krijuan traditën e letërsisë për fëmijë

 1. Libri “Profile letrare” (studime) për njëzet shkrimtarë të Letërsisë për fëmijë është vepra e parë e studiuesit Milaim Nelaj. Ai vjen si një ogur i mirë për të na rikujtuar, për të na rishfaqur e nënvizuar edhe një herë, disa elemente biografikë, historikë e letrarë të traditës në kohë dhe në hapësirë të letërsisë për fëmijë; disa rrugë, procese e faza zhvillimi të saj, fati i së cilës është i lidhur pazgjidhshmërisht me kohën kur u shkruan dhe me shkrimtarin. Të veçantat i gjejmë: në prurjet e risitë e autorëve, në analizat, si dhe veprat e tyre të botuara në këto dy dekadat e fundit. Kështu studiuesi i jep frymëmarrje të re librit, plotëson më tej portretin artistik të shkrimtarëve që i ka të pranishëm në veprën e tij studimore.

2. Ashtu siç e përmendëm më lart, OPTIKA e studimit të këtij libri ka përzgjedhur njëzet shkrimtarë. Ata janë: Adelina Mamaqi, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Isuf Nelaj, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Petraq Zoto, Rifat Kukaj, Skënder Hasko, Sokol Jakova, Shkëlzen Zalli, Tasim Gjokutaj, Vangjush Saro, Vehbi Kikaj, Viktor Canosinaj, Xhahid Bushati, Xhevat Beqaraj, Ymer Elshani. Në studimin e tij Milo Nelaj ka preferuar qoftë nga pikëpamja formale, qoftë nga pikëpamja strukturore të ndërtimit të librit, shkrimtarët t’i shqyrtojë sipas rendit alfabetik. Duke qëndruar prapë te ndërtimi i librit, pothuajse paraqitet kjo skemë: jeta e shkrimtarit, kontributet e tij në gjininë a gjinitë përkatëse, veprat, analizë e gjerë e një a më shumë veprave të tij, në fund disa konkluzione, ku jep dhe vendndodhjen e autorit në rrjedhën e letërsisë për fëmijë. Me të drejtë studiuesi Ali Xhiku pohon: “Pa dyshim kjo “skemë” është e pranueshme. Po ajo mbetet e mangët, sepse nuk lejon të zbulohet dukuria që studiohet në veçoritë e saj, pra në ato karakteristika që e dallojnë nga fushat e tjera të përafërta të jetës shpirtërore. Ç’është më e rëndësishmja, ajo i kufizon mundësitë për ta parë letërsinë si proces, që, megjithatë, ka edhe ligjësi të vetat. Duke ndjekur kryesisht kriterin e përshkrimit letërsisë së një periudhe të dhënë, tekstet në fjalë, më shumë se histori, duket se janë kronologji e njerëzve që kanë krijuar letërsi.” (Xhiku, Ali: “Letërsia shqipe si polifoni”, Sh. B. “Dituria”, 2004, fq. 7).

 Më tej studiuesi Xhiku vazhdon: “Prandaj punimet që ndjekin kontributin e çdo autori në veçanti, janë shkencërisht të domosdoshme dhe gjithmonë të pranishme.” (Po aty, f. 7). Kjo tezë mbetet argument bazal i këtij libri. Mbi këtë bazë është ndërtuar hierarkia e vlerave të autorit dhe hierarkia e vlerave të librave që janë përzgjedhur si më dinjitozët nga opusi i krijimtarisë së shkrimtarëve në fjalë.

Duke pranuar këtë zgjedhje metodologjike të studiuesit Milaim Nelaj, është e pamundur të mos vesh re se, një pjesë e shkrimtarëve i takojnë një brezi. Nga pikëpamja kohore kanë nisur të njëjtën udhë letrare. Individualitet artistike e bëjnë më të plotë peizazhin letrar, kohën po ashtu, gjeografinë po ashtu, klimën po ashtu. Ndaj kjo periudhë e letërsisë për fëmijë pasqyrohet më bindshëm, më në thellësi e plotëni. Ka autorë të tjerë, më të hershëm me krijimtarinë letrare, ka autorë të tjerë më të vonshëm me krijimtarinë. Ndjehet nevoja e një përqasjeje, për të parë më në evidencë: mënyrën e vijimësisë së letrave për fëmijë, si është zbehur apo ndriçuar klima letrare, si janë zhvilluar gjinitë a zhanret letrare, cilat kanë pasur përparësi dhe cilat kanë pasur një zhvillim më të ngadaltë, ku dhe si janë pasuruar, varfëruar dhe cilat janë risitë që kanë sjellë grupet a brezat e shkrimtarëve, e përbashkëta dhe veçantitë e tyre. Të gjitha këto janë pika ndriçimi për të pohuar si dhe sa janë krijuar vlerat e vërteta letrare në periudha të caktuara historike, “cili ishte orientimi i letërsisë së kohës, në ç’rrugë duhet të ecte...”. (Po aty, f. 25). 

3. Pasi pranuam zgjedhjen metodologjike të autorit, tani do të pranojmë edhe konceptin “Profil letrar”, po, të përzgjedhur e pranuar nga autori Milaim Nelaj. Koncepti “Profil letrar” si nocion, vlerë dhe përftesë paraqitet në këtë libër i përfaqësuar me një skemë të tillë: -Mënyra e zbërthimit të kësaj sintagme përvijohet si element zhvillimor brenda për brenda strukturës së çdo studimi. -Portreti i shkrimtarëve “vizatohet” përmes veçantive, tipareve dhe spikatjeve të tyre. -Bashkëlidhen: këndi i vështrimit dhe larushia e individualiteteve. -Prirja e analizave dhe e dukurive të krijimtarisë si përgjithësim, përzgjedhje dhe dallueshmëri.

Këto e të tjera shpërfaqen si arritje të pasqyruara dhe të zbërthyera teorikisht dhe praktikisht në libër, dhe e bëjnë Milaim Nelaj njohës të procesit letrar të kësaj letërsie, apo të kësaj historie letërsie që ka përzgjedhur kësaj here në këtë libër. Libri për vlerat që mbart, i ka thirrë shkrimtarët nga kujtesa e kohës për t’i gdhendur në kujtesën e librit.

4. Për të realizuar një libër të këtij lloji, ku parimi historik është element kryesor, studiuesit Milaim Nelaj i është dashur të përballet jo me pak vështirësi, si: Njohja e procesit krijues të veprës, përcjellja e vlerave të saj, laboratori krijues i shkrimtarit, etj. Nisur nga këto dukuri, studiuesi e ka parë dhe ndërtuar profilin e shkrimtarit, si marrëdhënie e drejtpërdrejtë e komunikimit, kësaj here, mes kritikut dhe krijuesit. Kjo bëhet që në formulimin e titullit të studimit. Formulimi është produkt e deduksion i përmbajtjes së paraqitur. Tek disa autorë mbetet në këto caqe. Kurse në disa autorë të tjerë, të cilët kanë edhe një hapësirë më të madhe krijimtarie për fëmijë, zgjerohet përmes shumë rrathëve krahasimtarë. Pra, autori rend drejt formulimit përzgjedhës (selektiv) dhe përfaqësues nga opusi i krijimtarisë së shkrimtarit. Në këtë përzgjedhje procedimi nga ana e autorit është i tillë: -Kërkon dukuri dhe veçori thelbësore tek veprat që merr në analizë. -Kërkon te vepra vlera artistike, didaktike e edukative. --Kërkon shumëkuptimësinë e rrëfimit. -Kërkon mjeshtërinë e narracionit. -Kërkon aspekte vlerësuese për shkrimtarët e pranishëm pa i shkëputur nga përkatësia e veprave më të mira.

 Kjo është arsyeja që autori Nelaj ka përzgjedhur këto sintagma përcaktuese e ngulitëse. P.sh. për Adelina Mamaqin “Kopshti i bukur i vjershave dhe përrallave, për Agim Devën “Motivet fëminore në krijimtarinë e pasur letrare”, për Astrit Bishqemin “Forma të reja artistike në romanet për fëmijë”, për Bedri Dedjen “Shkrimtari, studiuesi dhe personaliteti i shquar i letërsisë për fëmijë”, për Gaqo Bushakën “Proza fantastike dhe humoristike për fëmijë”, për Isuf Nelajn “Bota letrare dhe tregimet realiste”, për Odhise Grillo “Individualiteti i spikatur krijues”, për Pandeli Koçin “Profili letrar dhe romani i tij historik”, për Petraq Zoton “Veçoritë dhe vlerat artistike të prozës për fëmijë”, për Rifat Kukajn “Shkrimtari që dhuroi kaq shumë libra dhe dashuri për fëmijët”, për Skënder Haskon “Humori dhe vlerat edukative të veprës së tij”, për Sokol Jakovën “Një zë i veçantë në krijimtarinë për fëmijë”, për Shkëlzen Zallin “Poezia-metaforë në vëllimet poetike për fëmijë”, për Tasim Gjokutajn “Mjeshtër i poezisë humoristike për fëmijë”, për Vangjush Saron “Humori gazmor në krijimtarinë e tij letrare”, për Vehbi Kikajn “Vlerat artistike dhe edukative të poezisë së tij”, për Viktor Canosinajn “Autor i temave bashkëkohore në prozën për fëmijë dhe të rinj”, për Xhahid Bushati “Lëvrues i spikatur i poezisë dhe përrallës për fëmijë”, për Xhevat Beqarajn “Lirizmi në poezinë e tij për fëmijë”, për Ymer Elshanin “Një talent dhe vepër letrare që u këputën në mes”.

Po i paraqesim sipas kësaj polifotoje:

1. Adelina Mamaqi: *Krijimtaria e saj letrare: u shfaq në fund të viteve ’50. *Angazhimi: e përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë. *Krijimtaria e saj letrare për fëmijë është shfaqur në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare. Analizë: “Mësoi Adi shkronjën “A”” (vjersha dhe poema) – Naim Frashëri, T. 1987; Horizont, Tiranë, 2001. “Në tërësinë e tyre, vjershat e poetes Adelina Mamaqi janë të sinqerta e të ngrohta, ato rrokin tema e detaje nga jeta e përditshme e fëmijëve, më së pari, shprehin mendimin dhe shpirtin poetik të vetë poetes, janë, si të thuash, një bashkëbisedim i saj me fëmijët.” (f. 13). Analizë: “Si e gjete folenë, moj dallëndyshe?” (përralla) – Naim Frashëri, T. 1985; Extra, T. 2007.) “Përrallëzat e kësaj autoreje shquhen për thjeshtësinë e tyre, përshtatjen me moshën e vogël, ndaj janë edhe të shkurtra; gjithashtu, dallojnë për nivelin artistik, moralin e mesazhet që përcjellin, si dhe për vlerat didaktike dhe edukative që bartin.” (f.13)

2. Agim Deva: Krijimtaria e tij letrare: u shfaq në fundin e viteve ’60. *Angazhimi: i përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë., *Krahas poezisë, në opusin e veprës së tij zënë vend edhe studimet letrare. Si krijimtaria poetike, ashtu edhe studimet letrare përbëjnë një univers të magjishëm për letërsinë shqipe për fëmijë, si dhe një pikë referimi, si për shkrimtarët ashtu edhe për studiuesit e kësaj letërsie. Analizë: “Shitet babi im” – bot.aut., P. 2006    “Autori ( Agim Deva, - shënimi im Xh.B.) të befason me motivet, idetë dhe mesazhet që përcjell në to, me qartësinë dhe thjeshtësinë e vargut, me metaforizmin e pasur, duke na ofruar në çdo libër detaje e imtësi të reja e interesante, si dhe emocione e ndjesi të veçanta.” (f. 17)

3. Astrit Bishqemi: *Krijimtaria e tij letrare: u shfaq në mesin e viteve ’60. *Angazhimi: i përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë. *Krahas prozës së shkurtër e të gjatë, në opusin e veprës së tij zënë vend edhe studimet letrare. Vepra e tij e titulluar “Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”, është një vepër madhore, ku rrok gjithë hapësirën e procesit letrar mbarëshqiptar, zhvillimin e tij shumëplanësh, shumështresor, me paralelet dhe ndërprerjet e tij, me dukuritë e fenomenet të para edhe në vështrimin historiko e teorik, analitik e problemor. *Krijimtaria në prozë ka edhe një dukuri: lëvrimi me sukses i zhanrit fantastiko-shkencor. Analizë: “Kronikë me tank” (roman, Sejko, Elb. 2004) “Është një roman i spektrit kronikal, ku në fokus është kronika dhe ku autori, bashkë me “petkun” e shkrimtarit, ka veshur edhe atë të kronikanit apo të gazetarit për realizimin e misionit që i ka vënë vetes.” (f. 27-28) Analizë: “Klik, Rrapatushët 1,2,3,4” (roman, Extra, 2007) “E veçanta tjetër e këtij romani është arkitektura krejtësisht e re, e cila del jashtë çdo konturimi tradicional, ku nuk kemi një subjekt të caktuar, që shtjellohet brenda një boshti apo kompozicioni klasik, por tërë përmbajtja voluminoze e tij është një mozaik copëzash letrare, disa të risjella nga krijimtaria e tij më e spikatur në vite, një alternim rrëfimesh, përshkrimesh, gojëdhënash, historish, vizatimesh, portretesh, pikturash, fotografish artistike, por edhe humoristike, si të thuash, një enciklopedi e tërë letraro-artistike, e cila krijon variacione në të lexuar, ndjesi e kënaqësi të veçanta dhe, nga ana tjetër, ofron një informacion të pasur e të larmishëm për lexuesit.” (f. 28-29)

4. Bedri Dedja: *Krijimtaria e tij letrare u shfaq në vitet ’50. *Angazhimi: i përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë, psikolog e pedagog i rrallë në këto fusha, si dhe studiues i sprovuar dhe shpesh udhërrëfyes në zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë për fëmijë në shumë dekada, një figurë dimensionale. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe zhanre letrare), përkthime. (veçojmë letërsinë fantastiko-shkencore). Analizë: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” (novelë, 1954), “Seria e poezisë së zgjedhur”, “Shkolla e pyllit” (poemë), “Presidenti i Planetit të Kuq” (roman, 2006).

5. Gaqo Bushaka: u shfaq nga fundi i viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë e për të rritur., *Krijimtaria (prozë e poezi) (veçojmë letërsinë humoristike). Analizë: “Çufoja dhe Bubi kaçurrel” (roman), “Një natë vjeshte” (tregime), “Gladiatori dhe tigri” (tregime).

6.Isuf Nelaj: u shfaq në fillim të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për të rritur e për fëmijë. *Krijimtaria (poezi e prozë për të rritur e prozë për fëmijë).            Analizë: “Më shpejt se lumi” (tregime, 1986), “Çerdhja e lejlekut” (tregime, 1996),  “Loja e ndërprerë” (tregime, 1998, pas vdekjes).

7. Odhise K. Grillo: u shfaq në vitet ’50. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, studime letrare. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe zhanre letrare, si: përrallë, poezi, poemë, tregim, novelë, tekste këngësh, libra shkollorë, përkthime, rikrijime e përshtatje të disa veprave madhe nga Letërsia botërore). Analizë: “Historia e Skënderbeut” (rikrijim, ), “Lahuta e Malësisë” (rikrijim).

8. Pandeli Koçi: u shfaq në vitet ’60. *Angazhimi: letërsi për të rritur, studime letrare, letërsi për fëmijë. *Krijimtaria: prozë e poezi për fëmijë. Analizë: “Komitët e Malit të Bardhë” (roman).

9. Petraq Zoto: u shfaq në fillim të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi të rritur e letërsi për fëmijë. *   Krijimtaria: prozë për fëmijë (tregime, e veçanërisht romane). Analizë: “Burimi i Drerit” (roman), “Kali fluturues”  (roman), “Bishti i dhelprës” (roman).  

10. Rifat Kukaj: u shfaq në vitet ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë e për të rritur. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe në zhanre të ndryshme letrare, si: përrallë, poezi, poemë, tregim, novelë, tekste këngësh, libra shkollorë etj.). Analizë: “Gogozheli i Gogozhinës” ( roman ).

11. Skënder Hasko: u shfaq në fund të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, letërsi për të rritur. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare. Lëvron letërsinë humoristike). Analizë: “Vallja e shkronjave”, “Me litar të botës mos hyr në pus” (rrëfenja, 1996).

12. Sokol Jakova: u shfaq në fillim të viteve ’70. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, studime letrare. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare). Analizë: “Ndodhitë e çuditshme të Mirosh Guximtarit”, “Përrallat e gjyshes sime”,  “Pas provimit të algjebrës”.

13. Shkëlzen Zalli: u shfaq në vitet ’80. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, e në letërsinë për të rritur. *Krijimtaria: poezi për fëmijë, por edhe në zhanre të tjera letrare. Analizë: “Bleta e Abetares”.

14. Tasim Gjokutaj: u shfaq në fund të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, studime letrare. *Krijimtaria: poezi (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare. Lëvron me sukses poezinë dhe poemën humoristike). Analizë: poezi nga krijimtaria nëpër vite e poetit: “Dhelpra dhe baloshi”, “Keci që s’bëri detyrat”, “Derrkuci që bëri dush”, “Kush e hëngri akulloren?”   

15. Vangjush Saro: u shfaq në fillim të viteve ’70. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, letërsi për të rritur dhe publicistikë. *Krijimtaria: prozë e poezi (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare. Lëvron me sukses letërsinë humoristike. Analizë: “Një ditë pa mamin”.

16. Vehbi  Kikaj: u shfaq në fund të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, studime letrare.*    Krijimtaria: poezi e prozë (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare). Analizë: poezia të shkruara nëpër vite nga autori.

17. Viktor Canosinaj: u shfaq në vitet ’80. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, letërsi për të rritur e studime letrare. *Krijimtaria: prozë (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare). Analizë: “Monstrat e Rrugës së Mimozave”.

18. Xhahid Bushati: u shfaq në fund në gjysmën e viteve ’80. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, letërsi për të rritur e studime e kritikë letrare., *Krijimtaria: poezi dhe prozë (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare). Analizë: “Kush e zgjoi këngën e zogut?”, “Kush t’i solli yjet, hënën?”, “Maço Maçoku mbeti gojëhapur”.

19. hevat Beqaraj: u shfaq në fillim të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, kryesisht poezinë; si dhe në përkthime. *Krijimtaria: poezi (në gjini dhe zhanre të ndryshme letrare, si përkthime, rikrijime e përshtatje të shumë përrallave nga Letërsia botërore. Është mjeshtër i poezisë lirike në Letërsinë shqipe ). Analizë: “Rruazat e djersës”.

20. Ymer Elshani: u shfaq në fillim të viteve ’60. *Angazhimi: letërsi për fëmijë, studime letrare. *Krijimtaria: prozë (në gjini dhe zhanre  të ndryshme letrare). Analizë: “Gjeli i kuq” (tregime të zgjedhura, botuar nga Shtëpia Botuese “Asdreni”, Shkup, viti 2000, pas vdekjes së autorit).

Duke marr shkas nga emërtesat e mësipërme që ruajnë të veçantat dhe të përbashkëtat mes autorëve, nuk është e vështirë të dallojmë pozicionin e studiuesit Nelaj përballë kësaj pasurie letrare, si e ka zgjedhur dhe si e shqyrton, si e paraqet dhe si e përkufizon objektin (që në rastin tonë është shkrimtari), si i përshkruan llojshmërinë e stileve, të formave të shfaqjes së rrëfimit, modelet e ofruara dhe modelet e krahasuara brenda së njëjtës gjini a zhanër.

Në realizimin e këtij libri autori shpërfaq e përcjell një vullnet të admirueshëm kërkimi,  një kod estetik ndaj krijuesve që merr në shqyrtim, shqyrtim ku spikat shpirti poetik dhe një fjalor i përzgjedhur.

5. Po të vërejmë me kujdes materialin e paraqitur, çdo studim ka në thelb fillesën e një monografie për çdo shkrimtar, ndonëse monografitë e këtij lloji në letërsinë për fëmijë me numrin që kanë arritur kanë krijuar një traditë. Për vlerat që mbartin po përmendim disa prej tyre, si: monografitë për shkrimtarët Xhevat Beqaraj, Vehbi Kikaj, Ymer Elshani të studiuesit nga Kosova Xhevat Syla, monografi për poetin Mark Krasniqi e shkrimet e vazhdueshme nga studiuesi Anton Nikë Berisha, monografinë për poeten Adelina Mamaqi të studiueses nga Kosova Shukrije Rama, monografitë për poetët Ali Huruglica e Ramadan Mehmeti e shkrimet e vazhdueshme të studiuesit nga Kosova Prend Buzhala, monografinë për Odhise K. Grillon të studiuesit Milaim Nelaj, monografinë për poetin Tasim Gjokutaj të studiueses Merita Gjokutaj, monografinë për studiuesin Astrit Bishqemi të kritikut nga Kosova Faik Shkodra, studimet monografike të studiuesit të palodhur Astrit Bishqemi, shkrimet e vazhdueshme të kritikut Hasan Hasani, etj.

Po të vërejmë me kujdes materialin e paraqitur në librin e Milaimit, nga ana metodike do të bënim ndonjë ndarje, e pse jo edhe ndonjë statistikë. Do të thoshim: nga njëzet krijues, dhjetë kanë ndërruar jetë. Për këta të fundit krijimtaria është e mbyllur dhe shpresojmë që do të jenë studimet ato që do të verifikojnë vlerat e vërteta artistike. Disa prej tyre kane qenë shkrimtarë jo të zakontë, dhe kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë shqipe për fëmijë. Vetë letërsia shqipe për fëmijë do të ndihej e mangët pa emrat e tyre.

Është ruajtur një ekuilibër mes prozatorëve dhe poetëve. Shpesh krijimtaria e shqyrtuar i është nënshtruar edhe vërejtjeve nga ana e studiuesit, që mendojmë se në disa raste duhet të ishin më të thelluara. Duhet të evidentoheshin disa risi interesante që në këto dy dekada kanë sjellë, veçanërisht, shkrimtarët Adelina Mamaqi, Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Gaqo Bushaka, Vangjush Saro e Viktor Canosinaj me veprat e tyre. Pavarësisht nga këto dëshira, duke kuptuar dhe vështirësitë e kësaj ndërmarrjeje shumë  fisnike, puna prej studiuesi e Milaim Nelaj ka vlera bashkëkohore dhe i jep mundësi lexuesit të ketë informacion të saktë dhe njohje sa më të plotë të vlerave të letërsisë për fëmijë nëpër vite. Gjithashtu autori u ofron mësuesve dhe nxënësve njohuri parësore për universin e vlerave të kësaj letërsie, për rrugët e zhvillimit të saj, prurjet dhe kualitetet, interpretimet në tipologjinë e shkrimtarëve në ndërthurjet si bashkëkohësi, por edhe në ruajtjen e veçantive, si dhe të shumë problemeve që shtrohen para kësaj letërsie dhe që marrin mjaft përgjigje në këtë libër të vlefshëm e të dobishëm..

Libri “Profile letrare” me hapësirën gjeografike që mbart prezanton me dinjitet një pjesë të letërsisë mbarëshqiptare për fëmijë, arritjet e saj, gjithnjë duke menduar gjithnjë që kjo vepër është një kolanë e hapur për njohjen edhe të krijuesve të tjerë. Sepse, “Prej kohësh është ndier se historia e letërsisë së një kombi, e ndërtuar si renditje kohore e jetës dhe e veprimtarisë së shkrimtarëve më të shquar të saj, është megjithatë e pamjaftueshme për  ta kuptuar atë letërsi si një proces ndryshimesh të paprera, që përmes krijimit të vazhdueshëm lë mënjanë pjesë të tëra të vetvetes për të rilindur e rritur të tjera pjesë, të cilat përsëri do t’i zëvendësojë me vepra, prirje e dukuri të tjera.” (Po aty, f. 7).

Po, libri “Profile letrare” (studime) i studiuesit Milaim Nelaj, në thelbin e vet është një histori letërsie shqipe për fëmijë: me parafytyrën, me hapësirën, me informacionin e vet. Botimi i këtij libri, për vlerat që mbart, u jep më shumë jetë poetëve dhe shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë! Sepse “Milaim Nelaj, me këtë libër studimor, vjen si një studiues i formuar, një qëmtues i pjekur i dukurive letrare dhe i vlerave më të mira të autorëve të ndryshëm të letërsisë për fëmijë e të rinj, ... por edhe si nuhatës i mprehtë i dobësive e mangësive që hasen në krijimtarinë e tyre, si dhe në tërë letërsinë tonë për fëmijë e të rinj.” (Nelaj, Milaim: Profile letrare (studime), OMSCA – 1, Tiranë 2008, parathënie e shkruar nga shkrimtari Sokol Jakova, f. 8.)

Shkodër, qershor 2019

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë