Për shumë persona, gatimet para viteve 90’ edhe pse me pak përbërës mbeten më të pëlqyerat. Lefteri Gjosha autore e librave me receta të ndryshme tradicionale në një intervistë nostalgji në emisionin “ Rreze Dielli” risjell në kujtime receta të vjetra shqiptare mjaft të shijshme.

“Dikur përgatisnim makarona me sheqer, me qumësht edhe shijonin jashtë mase por ka edhe shumë gatime të tjera që kur i provojmë tani themi pse atëherë na dukeshin sikur ishin më të shijshme, sepse ishte edhe koha edhe skamja.

"Cfarë mund të kujtoj unë nga ajo kohë, qoftë tavat me patate dhe me oriz, byrekët por më pëlqente shumë edhe njëlloj bukëvale që gatuhej me gjalp, bëhej pak mbi zjarr brumi dhe e gatuante me gjalp, i veçonte topa topa dhe i shtronte në tepsi” tha ajo.

Znj. Lefteri tregoi edhe për ushqimet që gatuante më shpesh:

‘’Dhallanik me shtresa, bëhej me dhallë. me vezë, me gjalp me miell misri, me miell gruri, dhe shtronin një pjesë në tepsi, e lyenin me gjalp dhe e piqnin. Shtronin pjesën tjetër siç bën veriu flitë por këta e bënin në sobë, shtronin dy tre pjesë të tjera të lëngut , dy tre garuzhde e linin të piqej vetëm nga ana e sipërme e sobës dhe përsëri lyhej me gjalp dhe bëhej me 4-5 shtresa.

"Petullica janë sic bëhen krepat tani por bëheshin shumë copë dhe i rrotullonim ose I lyenim me djath, por tradicionalja e e tyre ishte se përgatitej një lloj lëngu me gjalp me hudhër me gjizë dhe pastaj shtrohej një petë, hidhej lëngu, dhe kështu vazhdonte derisa bëhej e gjitha.”

Ndërsa tregon edhe për ëmbëlsirën e preferuar:

"Mua më ka ngelur në mendje  një lloj ëmbëlsirë e ftohtë, bëhej me biskota, i shtypnim ato biskotat 10 lekëshe, i shtypnim dhe i bënim pak me gjalp dhe me pak kakao dhe shtronim aty, po të kishim mundësi dhe ndonjë lloj reçeli ja shtronim përsipër i hidhnim përsëri disa thërrime biskotash dhe përsipër e lyenim sërish me kakao.” përfundoi ajo.

Znj.Lefteri nëpërmjet eksperiencës së saj në kulinari dhe si amvisë tregoi  me nostalgji për ushqimin si pjesë e rëndësishme e traditës shqiptare por edhe si një element që mbledh familjes pranë tryezës.