Poshtë faqeve 251 dhe 252, ku parashtron këto gjykime të tij, Enver Hoxha vendos edhe dokumentacionin mbështetës: “Në përgjigje të letrës që S. Martini (“ministër i oborrit”) i dërgonte Fan Nolit në emër të Zogut në 7 prill 1943 në lidhje me krijimin e një qeverie shqiptare ku thuhej se “Mbreti do të kishte qejf të shihte hirësinë tuaj në krye të kësaj qeverie” Fan Noli në 27 maj 1943 i shkruante “Jam gati të bëj gjithçka që më takon...nën udhëheqjen e mbretit Zog...duhet ta bëj të qartë se mund të shërbej vetëm në cilësinë e këshilltarit për arsye të nënshtetësisë sime amerikane...”.
Prej shkrimit nga gazeta proqeveritare e Tiranës “Atdheu”, botuar më 12 tetor 1943, në mbështetje të gjykimit që në vitin 1982 jep për Nolin, Hoxha shkëput edhe këtë fragment të deklaruar prej këtij: “Do të jetë në dobi për Kombet e Bashkuara me e njohtë zyrtarisht mbretin Zog dhe me i dhanë rast me luejtë rolin e vet për shpejtimin e fitores që neve të gjithë e presim. Mbreti Zog asht i zoti me punue për aleatët më tepër se cilindo shqiptar ose grup shqiptarësh...”.
Më tej nga deklarata e Fan Nolit: “Disa kundërshtarë të sinqertë të mbretit Zog që kanë vuejtë me vjetë në mërgim për kundërshtimin e tyre, mendojnë se asht në interesin e të dy palëve, të Kombeve të Bashkueme dhe të Shqipnisë, me pasë një qeveri zyrtarisht të njohtun në mërgim nën mbretin Zog....”
Me kaq përfundon gjykimi i Enver Hoxhës për Nolin dhe mund të kuptohet lehtë se ai, disi i rafinuar në sipërfaqe, brenda vetes është shumë i ashpër, pothuaj i egër. Kryekomunisti shqiptar, i cili këto çaste ishte në gjendje aspak të mirë shëndetësore dhe pas tre motesh do të ndërronte jetë, është mjaft i ndërgjegjshëm për çfarë po bën. Çfarë shkroi në librin shumë të përhapur në shqip dhe në disa gjuhë të botës, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ai e kishte pjesë të testamentit të tij politik. Ndoshta lante edhe ndonjë hak, me pak fjalë hakmerrej ndaj Fan Nolit, sepse gjykonte se ky qe një rrezik i dytë anglo-amerikan, madje më i rrezikshmi se i pari.
Hoxha mohon, Shtylla pohon
Në fund të fundit Enver Hoxha duhet të ketë arsye të tij përse nuk e anashkalon gjykimin e rreptë për Fan Nolin dhe të shkojë deri atje sa t’i mbushë mendjen lexuesit se nuk i dinte motivet që e patën shtyrë udhëheqësin e njohur të “Revolucionit të Qershorit” të rreshtohej me Ahmet Zogun. Kjo duket shumë e pabesueshme, sepse gjithçka e patën sqaruar jo vetëm një publicistikë e caktuar pro monarkut, e cila qarkullonte në pas luftë mes bashkëkombësve në Perëndim, por edhe e tëra kjo, nëpërmjet ambasadave shqiptare, e përzgjedhur prej Ministrisë së Jashtme, dërgohej në paradhomën e zyrës së Hoxhës në Tiranë.
Apo në inatin e pafashitur të kryekomunistit shqiptar ndaj Fan Nolit në 1982 ka edhe një antiamerikanizëm të fortë, prirje që Enver Hoxha ideologjikisht e ka pasur në vazhdimësi? Mos pa dashje ai nxjerr mbi rreshta merakun se mbase Noli gjatë luftës e sidomos në vitet pas saj, duke bërë sikur qe me nacionalçlirimtarët, luajti më së shumti në favor të Shtëpisë së Bardhë?
Pra, mendojmë, se Hoxha i di fare mirë motivet që e shtynë Fan Nolin në atë , por nuk i intereson t’i hedhë në letër dhe t’i shpërndajë nëpër opinionin publik. Mund të ndodhte, po t’i shpjegonte korrektësisht, që mjaft lexues të bëheshin përkrahës të zgjedhjes që pati bërë ato çaste Fan Noli ose të paktën justifikues të saj. Kur pas lufte Fan Noli do t’i shpjegonte Behar Shtyllës arsyet përse e mbështeti Ahmet Zogun në projektin e tij për një qeveri shqiptare në mërgim si edhe krijimin e Frontit të Bashkuar, edhe pse, ndërkohë, sipas tij, i duhej që derrit t’i thoshte dajë, qëndrimin e vet e formuloi si “një veprim diplomatik për të pasur në duar një instrument politik që mund të pranohej nga qeveritë amerikane dhe britanike, gjë që do të siguronte njohjen e Shqipërisë si komb i bashkuar, pavarësinë dhe tërësinë e saj tokësore pas lufte”.
Dhe ja një argument tjetër i Nolit: “Kjo do të pengonte e do të thyente intrigat dhe pretendimet tokësore antishqiptare të qeverive shoviniste greke e jugosllave të Londrës”.
Behar Shtylla i bëri të ditura këto deklarata shpjeguese të Nolit vetëm kur e përfundoi së shkruari librin e tij “Fan Noli siç e kam njohur” në fund tetor 1992. Ndërkohë që ai do të botohej në 1997. I çliruar prej detyrimeve politike ndaj periudhës kur sistemi politik shoqëror qe hoxhist, ato që pohon diplomati i njohur duhet të jenë të vërteta.
1949, letra që ra në duart e CIA-s
Në irritimin e dukshëm të Enver Hoxhës për qëndrimin prozogist të Fan Nolit ka ndikuar edhe urrejtja e tij ndaj monarkut, i cili jo vetëm e dëshiroi që Shqipëria e pas luftës të mos vendoste asnjë lloj qeverie komuniste, por as që ajo të kishte shef të saj Enverin. Kur Hoxha në librin e vet të kujtimeve e ka rrëfyer përpjekjen qeverishpallëse të Zogut, realizuar nëpërmjet një aleance me Fan Nolin, si rrezik pothuaj “anglo-amerikan”, e ka fjalën për mesin e vitit 1944, kur Lëvizja Nacionalçlirimtare e drejtuar nga PKSH, shpalli në Kongresin e Përmetit një kabinet qeverisës me pikërisht Enver Hoxhën në krye. Por Ahmet Zogu fillimisht do ta mohojë këtë qeveri dhe do të luftojë për ta rrëzuar për të paktën edhe një dekadë të pasluftës, minimalisht deri sa u mbyll moti 1953 dhe viti pasardhës e bëri të qartë se jo ish-mbreti, por as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në europerëndim nuk kishin fuqi ta realizonin.
Për ta perceptuar edhe më mirë këtë gjendje këmbënguljeje të ish-mbretit për t’u rikthyer në majë të pushtetit në Shqipëri, çfarë e inatoste vazhdimisht Hoxhën gjatë luftës dhe sidomos pas saj, mes shumë dëshmive provuese është edhe një letër e 14 qershorit 1949, e cila atë kohë ra në duart e CIA-s.
Ajo qe hartuar nga Ghazi Khan Bessolt dhe i ishte dërguar zëvendës-atasheut ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi, majorit Allin. Sipas Bessolt, “nëse populli shqiptar voton për monarkinë duhet të vendoset Mbreti Zog dhe nëse votojnë për republikën, duhet të bëhet President, Ahmet Zogu”. Po ashtu ai mendon se “Të gjithë liderët politikë të Shqipërisë, përfshi miqtë dhe armiqtë e Mbretit, kanë demonstruar një mungesë të madhe aftësish...Unë nuk po flas këtu për Enver Hoxhën, Koçi Xoxen apo persona të tjerë kriminalë, por edhe për persona si Mehdi Frashëri (i mbretërisë), Mit’hat Frashëri (lider i partisë kombëtare), Mustafa Kruja (kryeministër gjatë pushtimit italian) Fevzi Agolli e të tjerë”.
Mirëpo komunistët, ndërsa nuk e kanë dashur Ahmet Zogun, nuk rezulton se e kishin zgjedhur gjatë luftës së rezistencës si frymëzues politik Fan Nolin. Bolshevikët e PKSH-së prej brezit të veprimtarëve shoqërorë të viteve njëzetë patën veçuar si më të spikatur dhe si një nga simbolet e tyre Avni Rustemin. Madje portretin e tij e vunë në ballë të sallës-dhomë ku mblodhën në 16 shtator 1942 në Konferencën e Pezës. Patën nxjerrë në pah pranë tij edhe dy figura të tjera të “Revolucionit të Qershorit 1924”: Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin.
Fan Noli nuk ka qenë foto e afishuar në krye të asnjë kuvendi të mbledhur nga Fronti Nacionalçlirimtar.
Duhet vënë në dukje gjithashtu se ndaj Fan Nolit qenë të ndjeshëm për ta admiruar dhe patur në krahun e tyre, por kurrë marrë si shembull e model lideri apo platformë politike orientimi, edhe ballistët. Pothuaj pjesa më e madhe e udhëheqjes së nacionalistëve të BK, duke filluar prej vetë Mit’hat Frashërit, si edhe masivisht simpatizantë e ndjekës, qenë fanolistë të viteve njëzetë, po ashtu në mërgim edhe të dekadës tridhjetë.
Duhet sjellë ndërmend ndërkaq se kur Ahmet Zogu qe në pushtet Fan Noli pati hequr dorë prej veprimtarisë politike dhe merrej me kulturë e atdhetari, me veprimtari fetare në favor të shqiptarizmës. Kjo kthesë e dukshme në personalitetin e tij, rikthimi i vrullshëm në veprimtari politike, deri pak çaste më parë aspak e pritur dhe e imagjinueshme, pati ngjarë menjëherë pasi mbreti i kishte ofruar një ndihmë shpëtimtare për gjendjen e rëndë shëndetësore, pasojë e rëndë e një të ftohme në mushkri. Ahmeti në një farë mënyre i pati shpëtuar jetën.
Shpesh zhvillimet shoqërore shfaqen si dukuri arsyesh personale. Noli i ndihet borxh monarkut dhe e mbështet atë në këmbim të parave për ilaçe (ndërsa Faik Konica si ambasador i mbretërisë shqiptare në SHBA, i bënte presion Ahmet Zogut për të mos ia dhënë). Habia për veprimin “kontrasens” të Nolit shtohet edhe më shumë kur mëson se rihyrjen në politikë për vetëm t’i shërbyer mbretit, e kreu bashkë me Konicën dhe nën ndikimin e tij.
Kongresi i Përmetit i dërgoi mesazh përshendetës vetëm pesë personave: Titos, Stalinit, Ruzveltit, Çërçillit dhe Fan Nolit
Siç e tregon edhe Enver Hoxha në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë” komunistët e sidomos udhëheqja e tyre e dinin anësimin e thellë të Nolit me Zogun, por nuk bëzanin, e mbanin fshehur. As i dërgonin atij ndonjë mesazh për të ndërruar udhë. Çështja u bë e dallueshme edhe për sytë e një opinioni të caktuar kur ata organizuan Kongresin e Përmetit. Në mbyllje të tij, në 28 maj 1944, krahas nëntë mesazheve përshëndetës, njërin ia dërguan Nolit. Ishte një manovër e fortë dhe inteligjente e PKSH-së, çfarë vërteton edhe dimensionin e vlerës politike që këtë kohë kishte rimarrë ish-udhëheqësi i revolucionit që për gjashtë muaj në gjysmën e dytë të vitit 1924, rrëzoi Ahmet Zogun.
Konkretisht mesazhet e Kongresit të Përmetit iu drejtuan Titos; Lëvizjes Nacionalçlirimtare Greke (EAM); Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane-Vullnetare Nacional-Çlirimtare; të burgosurve në burgjet e fashizmit, të internuarve në fushat e përqëndrimit brënda dhe jashtë Shqipërisë, luftëtarëve nëpër katunde dhe qytete të paçliruara të Shqipërisë; Fan Nolit; Stalinit; Çërçillit dhe Ruzveltit.
Në mesazhin për Nolin thuhet:
“Fan Nolit
për Shqiptarët e Amerikës.
Kongresi i I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar, që përfaqëson vullnetin e popullit, përshendet koloninë shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është çquar në kontributin e saj të math në fushën kombëtare.
Populli shqiptar, në luftë të ashpër e të pa-prerë kundër okupatorit fashist dhe shërbëtorëve të tij, ka mundur të organizojë pushtetin e tij politik dhe një Ushtëri Nacional-Çlirimtare, që janë sot një armë e shëndoshë në duart e tij për të çliruar Atdhenë nga thundra e okupatorit dhe për të vendosur një Shqipëri demokratike popullore.
Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e një qeverije provizore, që po del nga ky Kongres, do t’i japij një vrull më të math luftës s’onë.
Kongresi pret nga vëllezërit e Amerikës që këta t’i japin popullit shqiptar ndihmën e tyre morale dhe materiale sot në luftën që po bën kundër okupatorit dhe trathëtorëve, dhe nesër për rindërtimin e Shqipërisë.
Populli shqiptar do t’a vazhdojë luftën me forcë më të madhe gjer në shkatërrimin e plotë të fashizmit.
Kongresi I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë”.
Të mos harrojmë: në Kongresin e Përmetit qëllimisht nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i misionit ushtarak britanik, madje edhe amerikan. Por erdhi për “të hedhur një sy”, Thomas Stefani, shqiptaro-amerikan i këtij misioni të fundit. Sipas dëshmisë së shkruar të Behar Shtyllës tërë delagatët e kongresit unanimisht e miratuan dërgimin e këtij mesazhi, por menjëherë pas pushimit të seancës Stefani i pati thënë: “Përse t’i drejtohet Fan Nolit përshëndetja? Më mirë t’i dërgohet Kosta Çekrezit, se ky është me ju dhe jo Fan Noli”.
Gjithnjë sipas Shtyllës “Unë e dija se kush ishte Kosta Çekrezi, por se ç’kishte bërë gjatë luftës dhe ç’bënte tani do ta mësoja më vonë, kurse për Fan Nolin, sido që të ndodhte, kisha bindjen se ai do të dëgjonte zërin e mëmëdheut dhe do të radhitej në një krah me popullin, për të cilin kishte luftuar gjithë jetën”.
E informojmë lexuesin se në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dosjen 53, për vitin 1945, faqja 103, thuhet se Kosta Çekrezi ka deklaruar: “Për sa i përket Uashingtonit çështja e njohjes së qeverisë së Tiranës është një defter i mbyllur”. Po ashtu ky material sekret i zbulimit të fshehtë politik shqiptar të kohës vë në dukje se “K. Çekrezi u thirr në SHBA nga shefi i misionit amerikan në Shqipëri, i cili i dha direktivën se “emigracioni shqiptar nuk duhet të përkrahë qeverinë shqiptare në formën që ajo kish marrë në Kongresin e Përmetit”, sepse sipas të dhënave të tyre “ajo duket si qeveri komuniste”.
Në Përmet: me Nolin apo kundër Nolit?
Siç dihet në Kongresin e Përmetit, i cili i pati nisur punimet në 24 maj, u shpallën si objektiv i parë ndërtimi i një Shqipërie të re demokratike popullore.
Si qëllim i dytë qe: “T’i ndalohet hyrja Zogut në Shqipëri”.
Vendimi i tretë ishte: “Të mos njihet asnjë qeveri tjetër që mund të formohet brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar”.
Objektiv i pestë: “Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe kundër shërbëtorëve të tyre shqiptarë, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge, Legalitetit, Ballit Kombëtar dhe bajraktarëve, deri në shkatërrimin e plotë të tyre”.
(I gjashti dhe i shtati vendim kishte të bënte me miratimin e plotë të veprimtarisë së deriatëhershme të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Në vendimin e tetë dhe të fundit kongresi shfaqte dëshirën që pranë këtij Shtabi qeveritë e Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dërgonin nga një mision ushtarak).
Me pak fjalë PKSH në Përmet tre prej tetë vendimeve të saj i kishte të ndalonte krijimin e çdo qeverie tjetër, ato, në rast se shfaqeshin, t’i luftonte me armë deri sa t’i zhdukte. Në këto tre direktiva të saj për veprim Partia Komuniste kishte qëllim të parë likujdimin e mundësisë së Ahmet Zogu të rikthehej në pushtet. Për mënjanimin e Mit’hat Frashërit qe më e thjeshtë, sepse ai nuk përfaqësonte ndonjë qeveri as para lufte dhe as gjatë saj. Madje Balli Kombëtar as ngriti ndonjëherë një kabinet qeveritar për Shqipërinë e pasluftës.
Vështruar kështu, si kongres antizogizmi, rezoluta e Kongresit të Përmetit, edhe pse ndërkohë delegatët i patën dërguar Fan Nolit një mesazh përshëndetës, qe një shpallje e tërthortë edhe kundër zgjedhjes që ai kishte bërë për të bashkëpunuar me Ahmet Zogun në sipërmarrjen e një qeverie në mërgim.
Pro dhe njëkohësisht kundër Nolit, ky ishte thelbi i Kongresit të Përmetit. PKSH shpresonte, me këtë manovër, t’ia shkëpuste mbretit mërgimtar udhëheqësin e Revolucionit të Qershorit 1924.
Pagëzimi i qeverisë së mërgimit në një zyrë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Por si veproi Noli pas kësaj? Për ta hetuar këtë do të na duhet të depërtojmë nëpër ngjarje më të hershme: përshembëll si është historia e propozimit të Ahmet Zogut që kundërshtari i tij i dikurshëm politik të bashkohej me të.
Ajo dukshëm nisi kur Faik Konica dhe Fan Noli në 15 nëntor 1942 patën një takim në një zyrë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas këtij takimi në 19 nëntor të dy të mëdhenjtë e politikës dhe të diturisë kombëtare, shumë kohë edhe mospërputhës të njohur mes tyre, lëshuan një deklaratë për shtyp. Kjo është publike dhe dihet, sepse përveç të tjerash është botuar në 1984 në librin “Fan S. Noli në 100 vjetorin e lindjes 1882-1982”, shtypur në Prishtinë. Ajo deklaratë nënkupton temën e bisedës së rezervuar që Konica dhe Noli patën bërë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Teksti i saj thelbësor është ky: “Ne theksojmë pikat që vijojnë: 1-Se vetëm një front i bashkuar shqiptar i cili të përfshijë të gjithë personalitetet shqiptare të gatshme mund të kenë shans që t’i bëjë thirrje popullit shqiptar në tërësi dhe mund të ishte i dobishëm për Kombet e Bashkuara. 2-Se mbreti Zog është personaliteti kryesor shqiptar i gjallë dhe përjashtimi i tij do të prekte forcën e lëvizjes në fjalë...”
Më tej, tek pika 5: “Se ne jemi gati në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.
Konica dhe Noli pas këtij deklarimi publik, për ta nxitur qeverinë amerikane në favor të shpëtimit të Shqipërisë prej ndonjë kurthi fatal filogrek të pas Luftës, ku anonin edhe anglezët, u treguan aktivë me tre ngjarjet shumë të rëndësishme të dhjetorit 1942. Ato datonin 10, 17 dhe 18. Qenë si granata sulmi që hidheshin njëra pas tjetrës në llogoren fashiste italo-gjermane.
Në 10 dhjetor 1942 u bë publike personalisht nga sekretari amerikan i Punëve të Jashtme, Kordel Hall, deklarata e Shteteve të Bashkuara. Në të ai e vlerësonte dukshëm rolin çlirimtar të partizanëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë, ofronte ndihmë ushtarake dhe theksonte se qeveria amerikane “nuk e kishte njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Kurora Italiane”. Po ashtu Hall bënte të ditur para opinionit publik ndërkombëtar se “angazhimi i Kartës së Atlantikut për rivendosjen e të drejtave sovrane dhe vetëvendosjen e popujve zbatohej edhe për rivendosjen e një Shqipërie të lirë”.
Një javë më pas, në 17 dhjetor, deklarimin e tyre publik, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Iden (Anthony Eden), e kryen britanikët. Ata nuk e shtynë më tej dashamirësinë e amerikanëve, të qeverisë së saj dhe të presidentit Ruzvelt, por u përpoqën t’i bëjnë një frenim. Anglezët lanë të kuptohej se qenë të pakënaqur prej homologut të tyre dhe se nuk ishte rastësore ajo çfarë pati thënë menjëherë pas deklaratës së Sekretarit Amerikan të Shtetit ambasadori grek në Uashington. Ky kishte protestuar se nuk njiheshin “të drejtat e Greqisë mbi krahinat e Epirit të Veriut”. Ballkani ishte, sipas britanikëve, i tyre dhe aty nuk kishte shumë vend për t’u komunikuar entuziazëm shqiptarëve të pas luftës.
(Vijon)
Fotot shoqëruese: 01. Fan Noli, 02. Mesazhi i Kongresit të Përmetit për Fan Nolin, 03. Enver Hoxha gjatë luftës.
dy.b/shqiptarja.com