Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 2-1 me përmbysje të enjten në Varshavë kundër Polonisë, duke sjellë eliminimin nga faza play-off e Kupës së Botës 2026 që në fazën gjysmëfinale.
Ëndrra për të shkuar këtë verë në Amerikën e Veriut u shua për tanët nga golat e Lewandowskit dhe Zielinskit në pjesën e dytë, gjë që solli përmbysjen e golit të Arbër Hoxhës.
Pas ndeshjes 'FlashScore' bëri vlerësimet me nota për të gjithë protagonistët në fushë. Më të mirët për ekipin tonë ishin Arbër Hoxha dhe Elseid Hysaj, të vlerësuar me notën 7.3, ndërsa me notën shtatë u vlerësua Mario Mitaj.
Notë të dobët morën Thomas Strakosha, autor i një daljeje jo të studiuar në pësimin e golit të parë, Berat Gjimshiti dhe Nedim Bajrami, me këtë të fundit që kishte në këmbë golin e dytë për tanët, por goditje e tij përfundoi larg katërkëndëshit.
Notë pozitive për Armando Brojën dhe Stavro Pilon, dy futbollistët e hedhur në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë.
Më i miri i ndeshjes u shpall mesfushori polak, Sebastian Szymanski, i cili u vlerësua me notën 8.6, teksa notë pozitive edhe për Kiwior dhe Zielinskin.
Notat e ndeshjes Poloni 2-1 Shqipëri, sipas 'FlashScore'

Ëndrra e kombëtares shqiptare të futbollit për të siguruar një vend historik në finalet e Kupës së Botës 2026 u shua pas humbjes 2-1 në Poloni. Pas ndeshjes, i zhgënjyer reagoi edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Reagimi i plotë i Armand Dukës:
Sonte (dje) nuk është një natë për të ulur kokën. Përkundrazi. Është një natë për të qëndruar drejt dhe për t’u mburrur me këtë skuadër, me këta djem që në çdo minutë të lojës tregojnë shpirt, karakter dhe atë gjë që nuk mësohet. Gjakun shqiptar.
Po, kjo humbje dhemb. Dhemb sepse na ndërpret një ëndërr që e kemi ndërtuar prej vitesh dhe që sot dukej më pranë se kurrë. Por ajo që këta djem treguan në fushë është më shumë se një rezultat. Është një premtim. Është prova se kjo është, pa asnjë dyshim, skuadra më e fortë dhe më e bukur që kemi pasur ndonjëherë.
Faleminderit që na bëtë të besojmë. Faleminderit që na bëtë të ëndërrojmë. Sot, çuna, nuk ka humbje që e zbeh krenarinë që ndjej për ju.
Komente





