Ardian Nuhiu është prezantuar këtë të dielë si trajneri i ri te Tirana, klubi që po kalon një periudhë të vështirë në Superligë ku aktualisht renditet në vendin e parafundit. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut, i cili sëfundmi ka drejtuar Gjilanin në Kosovë, thotë se ka marrë një detyrë me shumë përgjegjësi.

“Skuadra ka shumë tifozë dhe unë jam jashtëzakonisht i motivuar të udhëheq këtë skuadër dhe ta kthej te fitoret. Besoj e meriton kjo skuadër,”-u shpreh fillimisht Nuhiu.

Nuhiu thotë se e ka ndjekur futbollin shqiptar këtë sezon dhe beson se Tirana mund të përmirësohet shumë.

“Jo rastësisht kam marrë skuadrën, pasi kam besuar fort te çunat. Mendoj që klasifikimi nuk përcakton kualitetin që kanë ata,”-tha Nuhiu.

Bardheblutë të hënën në Selman Stërmasi, në orën 14:00, do të presin Bylisin për ndeshjen e javës së 10 në Superligë.

“Është një skuadër që lufton shumë dhe që del shumë shpejt në tranzicion duke shkuar në sulm. Gjithashtu jemi munduar të japim edhe një plan për të shkuar drejt portës së kundërshtarit për ta fituar takimin,”-deklaroi Nuhiu.

Java e 10 vijon të hënën me sfidat Dinamo-Teuta dhe Flamurtari-Elbasani që luhen në orën 17:00, ndërsa mbyllet të martën me ndeshjet Egnatia-Vllaznia dhe Vora-Partizani.