Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja është shkarkuar nga KPK pasi kishte lidhje me njerëz të botës së krimit dhe probleme nga ana profesionale.Pas seancës të KPK, Ndoja nënkuptoi se do e ankimojë vendimin në gjykatën e Strasburgut. Report Tv mëson se KPK nuk pranoi riçeljen e hetimit administrativ. Prokurori i Durrësit u shkarkua me vota unanime. Ndoja ka të drejtë të ankimojë vendimin në Kolegjin e Posacëm të Apelimit.

Arjan Ndoja ka qenë shënjestra e atentatit të 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Landi Muharremi u bë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit duke i sekuestruar makinën e blinduar të Landi Muharremit, i njohur me pseudonimin 'Rrumi' nga Shijaku. Makina e blinduar e Landi Muharremit është Audi dhe sekuestrimi është bërë mbi dyshimet se është vendosur me veprimtari të jashtëligjshme.

Në seancën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) më 29 prill, u konstatua se ka të dhëna se Ndoja ka kontakte me ekspontentë të krimit të organizuar, që janë shumë aktivë jashtë Shqipërisë. Prokurori Ndoja mohoi gjetjet e ONM duke thënë se nuk është takuar dhe nuk ka kontaktuar asnjëherë me persona të përfshirë në krimin e organizuar, por nëse gjendet një fakt për këtë, thotë se largohet vetë nga sistemi i drejtësisë.

Sipas DSIK dyshohet se Ndoja ka favorizuar persona me precedent penal. Në vitin 2009 dhe 2010 ka rezultuar se ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt prone. Në seancë u përmend edhe atentati që iu bë në vitin 2019 dhe fakti se ai ka qenë në prani të personave të njohur për institucionet ligjzbatuese.

Në atë seancë, pati edhe përplasje mes prokurorit Arjan Ndoja dhe përfaqësuesit të ONM, Theo Jacobs, i cili tha se shqiptarët e dinë se me kë shoqërohet, duke e akuzuar se del xhiro me personat e gabuar. Për këtë arsye tha se nuk do të donte ta kishte në skuadër duke i përmendur edhe të ardhurat. Nga ana e tij Ndoja tha se përfaqësuesi i ONM po e paragjykonte për pasurinë që ka dhe nuk ka fshehur asnjë pronë. Ai e akuzoi Jacobs se me të njëjtin perceptim ka pretenduar lidhje me kriminelë për 60% të subjekteve që kanë dalë në vetting. Ndërkohë që Ndoja i tha se nga kjo sjellje e personave si Jacobs drejtësia sot është më keq.